I lidhur me Jeffrey Epstein dhe nën hetim për trafikim e p*rdhunim, gjendet i vdekur në Francë rekrutuesi i modeleve

Jul 22, 2026 | 18:48

Daniel Siad, agjent për rekrutimin e modeleve dhe personi që rekrutonte edhe gra për financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur në banesën e tij pranë Parisit, kanë bërë të ditur autoritetet franceze.

daniel said epstein

Siad, 69 vjeç, ishte nën hetim nga prokurorët francezë të specializuar në çështjet e trafikimit të qenieve njerëzore, i akuzuar për përdhunim dhe vepra të tjera penale. Emri i tij figuronte në më shumë se 1.000 dokumente të dosjeve të Departamentit Amerikan të Drejtësisë për Jeffrey Epstein, të cilat u deklasifikuan në fillim të këtij viti.

Ai ishte një nga disa shtetas francezë të akuzuar se kishin ndihmuar Epstein në trafikimin dhe abuzimin seksual të grave. Deri tani nuk ishte marrë ende në pyetje nga hetuesit, por i kishte mohuar akuzat, duke deklaruar se dëshironte të jepte versionin e tij të ngjarjeve.

Siad u gjet i pajetë në banesën e tij mbrëmjen e së hënës. Autoritetet kanë hapur një hetim për të përcaktuar shkakun e vdekjes, ndërsa pritet të kryhet edhe autopsia.

Sipas dokumenteve të publikuara, Siad udhëtonte në mbarë botën, duke vizituar fshatra në Evropën Lindore apo duke fluturuar drejt Kubës dhe Suedisë, në kërkim të vajzave për industrinë e modës. Krahas përzgjedhjes së modeleve të mundshme, ai kërkonte edhe gra që mendonte se Epstein do të donte t’i takonte.

Në një email të vitit 2014 drejtuar Epstein, ai e krahasonte punën e tij me peshkimin, duke shkruar se kërkohej durim: “Në këtë punë ndihem si peshkatar, ndonjëherë kap shpejt, ndonjëherë nuk kap asnjë peshk.”

Dosjet tregojnë se Siad ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Epstein. Ai mbajti kontakte të shpeshta me të deri pak muaj para vdekjes së financierit, duke marrë edhe transferta bankare që duket se mbulonin shpenzimet e udhëtimeve për gjetjen e grave.

Siad kishte lidhje të forta në industrinë e modës dhe punonte me komision edhe për Jean-Luc Brunel, një nga agjentët më të njohur të modës në Paris, Nju Jork dhe Majami për më shumë se katër dekada. Brunel vrau veten në burg në shkurt të vitit 2022, pasi kishte kaluar 14 muaj në paraburgim në pritje të gjyqit për akuza për përdhunim të të miturve dhe ngacmim seksual, akuza që ai i mohoi, ashtu si edhe çdo përfshirje në rrjetin e trafikimit seksual të Epstein. Vetë Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për trafikim seksual.

Në një deklaratë me email për gazetën The Guardian në muajin shkurt, Siad pretendonte se besonte se po i prezantonte Epstein gra për sesione të ligjshme përzgjedhjeje modelesh në Paris.

“Ai kishte një apartament të madh ku organizonte takimet e tij, përfshirë përzgjedhjet për modelet që unë rekrutoja, për Victoria’s Secret dhe MC2. Përzgjedhja nuk zgjaste më shumë se 10 minuta. Unë largohesha gjithmonë menjëherë me modelet”, shkruante ai.

Në fillim të këtij viti, ish-modelja suedeze Ebba Karlsson e akuzoi Siad për përdhunim. Ajo deklaroi se ai e kishte zbuluar si modele në Stokholm në vitin 1990, kur ajo ishte 20 vjeçe, dhe më pas e kishte përdhunuar në Francë. Sipas saj, në atë kohë Siad përdorte një emër tjetër dhe ajo arriti ta identifikonte vetëm pasi pa fotografitë e tij në raportimet për dosjet Epstein.

Karlsson, e cila nuk kishte pasur asnjë kontakt me Epstein, paraqiti në Paris kallëzim penal ndaj Siad për përdhunim dhe trafikim njerëzor. Avokatja e tij, Ménya Arab-Tigrine, deklaroi më herët se klienti i saj i mohonte akuzat. Pas lajmit për vdekjen e Siad, Karlsson i tha AFP-së se ndihej “shumë e zhgënjyer”.

“Ai ishte shumë pranë arrestimit. Ne punuam shumë për këtë, duke u përpjekur të arrinim drejtësinë”, u shpreh ajo.

Email-et që Siad i dërgonte rregullisht Epstein përmbanin informacione të detajuara për vajzat e reja që ai po rekrutonte.

“Në Sllovaki është vendi ku duhet të jesh”, i shkruante ai në vitin 2009, duke shtuar se kishte 45 gra për të takuar atje. Ai njoftonte se do ta kalonte verën duke kërkuar vajza në fshatra të vegjël në Sllovaki, Çeki, Poloni dhe Hungari.

“Do të të bëj një surprizë të madhe kur të vish në Paris”, i premtonte ai.

Edhe në vitin 2016 ai vazhdonte të punonte për Epstein, duke i shkruar: “Më telefono nëse ke kohë. Jam në Barcelonë. Me një bukuroshe të jashtëzakonshme.”

Nga ana tjetër, përgjigjet e Epstein ishin shumë të shkurtra. Ai pyeste: “Po për vajzat e reja?”, “Ka ndonjë lajm?”, “Ka ndonjë arsye për të ardhur në Paris?” ose “Ka ndonjë grua interesante?”

Shpesh gratë përmendeshin sipas kombësisë dhe jo me emër. Në qershor të vitit 2014, Epstein pyeste: “Jam në Nju Jork. A është këtu vajza suedeze?”

Në disa raste ai përgjigjej vetëm me një fjalë: “Mosha?”

Siad theksonte vazhdimisht se gratë që i prezantonte dukeshin shumë të reja. Në një rast ai shkruante: “Është 26 vjeçe, por duket 18.”

Siad, i cili e përshkruante veten si të lindur në Francë, me origjinë algjeriane dhe shtetësi suedeze, deklaroi më herët këtë vit për France TV se Epstein kishte abuzuar me besimin e tij dhe se ai “nuk ishte në gjendje ta dinte se ky njeri ishte i rrezikshëm”.

Ai këmbënguli se marrëdhëniet e tij me modelet që rekrutonte kishin qenë vetëm profesionale.

“Me kalimin e kohës zbulon se ky individ ka kryer mizori. Fatmirësisht, unë nuk i prezantova kurrë asnjë të mitur apo të rritur që më pas u abuzua. Nuk kam asgjë për t’i qortuar vetes”, deklaroi ai për televizionin francez.

Dokumentet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë sugjerojnë se FBI ishte informuar për aktivitetin e Siad në shërbim të Epstein që në vitin 2016. Në muajin shkurt, prokurorët francezë njoftuan krijimin e një ekipi magjistratësh për të analizuar provat e dosjeve, në të cilat përmenden disa shtetas francezë, mes tyre edhe Jean-Luc Brunel.

© Panorama.al

Te lidhura