
Prej fillim korrikut të nxehtë më prek vëmendjen ngjarja e rëndë e grevës së urisë së minatorëve në Bulqizë, protestat e përplasjet e tyre me policinë në hiçin e heshtjes indiferente të qeverisë që po e mbyt atë qytet të lindur në një ditë bashkë me minierën, ku thonjtë e korrupsionit gërryejnë me çmendimin e etheve të parasë pasurinë e gjithë shqiptarëve, duke shkallmuar barqet e hapura të nëntokës që po shterpëzohet nga shfrytëzimi pa kriter e as karar dhe hapur varrin e parakohshëm kolektiv të një komuniteti barkzbrazët që ushqehet me thërrime teksa shumat e majme të fitimeve të punës së tij fluturojnë çdo muaj jashtë, në drejtim të paditur, duke i lënë qytetit funeralet e minatorëve të vrarë në fund të dheut, jetimët e panumërt të familjeve të tyre ku gra të plakura në moshë të re bëhen edhe burra të vetmuar e të papunë që duhet të rrisin fëmijë, bilardot e lokalet e basteve ku adoleshentët rreken t’i ikin burgut të pamundësive duke ëndërruar të mbledhin lekët e arratisë e vrarë kohën me stekat e kotësisë, kafenetë ku grumbullohen qysh në sabah me pije të trukuara robërit e papunësisë që mbledhin mineral me trasta për të blerë bukën e gotën e ditës tjetër, rrugët e shkatërruara e plot gropat e fushat e thata përreth që ngjajnë me një klon kufitar mes dëshpërimit social e botës së paarritshme matanë, klanin e mafies lokale të kromit që fiton rregullisht zgjedhjet bashkiake, duke i mbledhur votat me hijen e frikës e dorën e ryshfetit dhe lidhur nëntokën me politikën e lartë të Tiranës zyrtare që nënshkruan symbyllur prej vitesh tradhtinë kombëtare në marrëveshje kriminale koncesionesh e në licenca shfrytëzimi të pasurisë së përbashkët për gjithfarë dallkaukësh e derdimenësh turrur mbi Bulqizën si mbi tokën e askujt: skllavëro, gërmo, merr, ik, mbyt, vdis, kiameti u bëftë kur të mbarojmë punë, sot është dita fatlume për t’u pasuruar derisa të mbajnë trarët e galerive dhe të thyhet përtokë kurrizi i skllevërve bashkë me qytetin e tyre, prandaj o burra sa të kemi me vete parlamentin e kusarëve të votës, ministrat që firmosin edhe në emër të parlamentit po t’i paguash mirë, drejtuesit e sektorit në ministri që duan thjesht çapën e tyre për të mbyllur sytë, pushtetin e tërë që s’do t’ia dijë përveçse për pjesën e vet të plaçkitjes së shfrenuar. Bulqiza është një gur i mozaikut të shthurur të modelit ekonomik shqiptar “modelit të suksesshëm pa recension ekonomik”, siç e quan Saliu që monologon përditë këto ditë në mes të vapës, njësoj si Partia e Punës në dimrin e vetmisë për shembullin botëror të Shqipërisë pa dhimbje në botën që përpëlitet dhimbjesh, Shqipërisë ku bota mund të shohë përparime që vetë s’i bën dot në kushtet e krizës financiare që e ka mbërthyer, Shqipërisë që ka shkopin e së ardhmes së turbullt botërore dhe recetën e shpëtimit të vetë botës me taksat më të ulëta në botë. “Ulni taksat edhe kur logjika ju thotë se s’mund të ulen më”, u dha Saliu mend udhëheqësve të vendeve të mëdha, kur siç e tregoi vetë, e pyetën, sipas tij, si ia del ti Sali ta ngjisësh Shqipërinë lart, ndërkohë që ne të gjithë po mundohemi të mos na bjerë bota poshtë, Shqipërinë që para pak vitesh la pas Kinën, gjithnjë sipas Saliut, dhe së fundi Saliu na njoftoi se doli e dyta pas Gjermanisë në klasifikimin e fuqive ekonomike për frymë të Europës, Shqipërinë e mrekullive që Saliu e shet përditë nga ekranet e altoparlantët e oborrit të tij siç shiste dikur Sudja iluzionet e fitimeve të pambarueshme nga penxherja e sportelit të saj. “Na u bëfshin kuran të tërë, edhe kriza globale, edhe Europa në krizë, edhe fqinjët në krizë, edhe pronat private në krizë, edhe toka e bukës në krizë, edhe parlamenti në krizë, edhe drejtësia në krizë, edhe mediat në krizë, edhe arsimi në krizë, edhe spitalet në krizë, edhe dyqanet në krizë, edhe varrezat në krizë, ne po bëjmë Shqipërinë tonë”, Shqipërinë e vetes së tyre dhe e një milion të papunëve, e cila jeton në Bulqizë si në librat e Arçibald Kroninit, me renë e qymyrtë të vdekjes mbledhur shuk mbi kokën e qytetit; në Laç si në oazet pa shtet të zgafelleve urbanistike të industrializimit primitiv ku rroftë jashtështeti, se do të kishin dhënë shpirt të gjithë, ngjitur me Mamurrasin e dorëzuar ndaj papunësisë që shpresa e vetme që i ka mbetur është të mundë Laçin në futboll; në Tepelenë si në rrugëkalimet pa stacion, ku nën muret e rrënuara të kështjellës së pashait kokëprerë inercia e jetës ka lënë qosheve stërnipërit e plakur para kohe të heronjve të së shkuarës që ngrohen në diell; në Koplik, ku hija e shëmtimit urban të kohës së re ka gjetur një prej shumë shtëpive të veta mes baltës dhe varfërisë së mbjellë kudo përmbi vreshtat e dikurshëm, që qysh nga koha e Skënderbeut çuan me shekuj në Venedik mushtin e verës së doxhëve dhe kardinalëve; në Konispol, ku burrat dalin nga shtëpia pa gdhirë e hyjnë me lista në Greqi për të punuar argatë nën portokajtë e ullinjtë e zengjinëve fqinj e për t’u kthyer përsëri po me lista të rraskapitur në mesnatë; në Lushnjë, ku pallatet e tullës lartësohen si mure deri në vrimat e mbetura të qiellit mes oborreve e pas godinave të vjetra të arkitekturës komuniste si për të realizuar projektin e fshehtë të një burgu të sigurisë së lartë që do të ndajë qytetin nga vetja dhe vetë jeta përtej mureve të tij: dy hapa më tutje, në Divjakë, ku rëra matanë pyllit të magjishëm të pishave është bërë fushësherri mes lumenjve që i fusin çdo natë në gojë Adriatikut si kudo gjatë vijës së tij shishet e qeset e plastmasit mbledhur rrëkeve anepërqark dhe detit të keqtrajtuar që pa gdhirë i vjell mbrapsht në breg plehrat e patretshme, teksa Adrian Klosi me një grup ambientalistësh përpëliten brigjeve e vendeve të vyera vënë nën thundrën e shkatërrimit për të vënë alarmin që s’e dëgjon askush; në Fushë-Arrëz, si në rrënojat e shpresës se jeta mund të jetë më shumë sesa ajër, bukë misri, ujë përroi e arrati në shtegun më të parë; në Rrogozhinë, si në një pistë të gjerë asfalti të rrëgjuar pa dalje dhe mbyllur anash me mure leckash e mallrash të harruara bashkë me njerëzit që vejevijnë pa lekë në xhep nën qiellin e sheshtë; në Librazhd, si në një burg papunësie buzë lumit të ndotur e të inatosur paq prej plehrave që kanë zëvendësuar brigjet, ku ujërat ngrihen nga shirat për t’u futur tinëz nën krevatet e ca shtëpive të varfra ndërtuar mbi shpinën e dalë të lumit; në Ballshin e rrethuar nga erafënda njëzet vjet e pafashitur e kufomave të industrisë komuniste të naftës që dekompozohen mes fushave djerrë; në Gjirokastër, ku qyteti i measnjëtëpërngjasuarin ndër qytetet e trashëgimisë kulturore botërore, i cili i fali Ismail Kadaresë parafytyrimet fantastike për të nxjerrë zënë e gurëve kudo në botë, rënkon në agoninë e zgjatur të ngrënies së vetvetes gur pas guri, rrethuar me pallate të veshur me suva që u ngjajnë trashëgimtarëve të pangopur mbledhur kërrusur mbi shtratin ku del ymri tekanjoz e koprac i stërgjyshit pasanik; në Burrel, ku një voc i kthyer në Naltmadhnia i Shqiptarëve ka lënë pas trashëgim përrallën e tij si ushqimin e munguar të jetës së përditshme të njerëzve të mbetur në mëshirën e fatit pa punë; në Përrenjasin ku qyteti i krijuar si hallkë e industrisë minerare komuniste ndryshket buzë rrugës kombëtare, si të ishte varrezë maunesh prej betoni të ngecura aty bashkë me njerëzit e mbetur rob brenda; në Bilisht, si në harresat amnezike të pijetoreve pas punëve të rënda të krahut në fusha e sherreve të humbjes së durimit nga qëndrimi pa punë ndenjur; në Ersekë, si në një kurth malesh ku kush hyn do vetëm të ikë dhe kush është brenda do vetëm të dalë; në Beratin e njëmijë dritareve që kurrë s’i ka ngjarë më pak se sot ëndrrës qelibar të atyre që e ndërtuan sënduk të gurtë xhevahiresh buzë rrjedhës së historisë, ku uji çapitet mbi ishujt e llumrave të papastruara prej dy dekadash; në Krujën dhe Fushë-Krujën që përqafohen përditë nën çarçafin e endur me tymin e guroreve, gëlqeres së djegur me goma makinash apo çimentos së prodhuar duke zhveshur malin që ua fshehu turqve Atletin e Krishterimit e mori në mbrojtje qëndrestarët e rezistencës së lavdishme kundër Perandorisë Otomane; në Shkodrën e sakatuar prej orgjive ideologjike të së djeshmes e së sotmes, ku janë rrafshuar e zhdukur me gjithë gjurmë shtëpi burrash të ndritur të këtij kombi për të ngritur banesat e larta popullore të stilit të periferive të Amanit, ndërkohë që drita ngazëlluese e të jetuarit me shijen europiane që përçojnë prej kohëve të vjetra fotot e dinastisë së lavdishme të Lymierëve shqiptarë a pikturat e Kol Idromenos e Zef Kolombit, apo vetëpërmbajtja fisnike e qytetit të penguar të Danish Jukniut e të Franc Ashikut që i jepnin pengimin ngjyrat e ndritshme të nostalgjisë, ia ka lënë vendin mugëtirës së zhvillimit pa përmbajtje; në Elbasanin e sëmurë prej të ndenjurit në një krevat me të vdekurin e pakallur të metalurgjisë komuniste; në Kuçovën e vogël që pasoi Qytetin e sajuar Stalin ku komuniteti jeton si i internuar pa asnjë ndihmë e lajm nga lart; në Sarandën që mos e pyet; në gjolin e Lasgushit si buzë liqeni poezish të mbytura me gurët e banalitetit të përditshëm që mbjell fushat e lëmuara rrotull pasqyrës ujore me godina të mizerabilitetit estetik e mbulon bregun e shëtitjeve poetike me ngrehinat e larta të iluzioneve turistike; në Kavajën e fellahut Sali që asgjë veç urrejtjes antikomuniste të bejlurçinës komuniste dhe batakçillëkut të gogozhelëve të tij lokalë s’pati për t’u dhënë në njëzet vjet mbështetësve të zjarrtë të ndryshimeve demokratike; në Peshkopinë e njerëzve të zgjuar që të papunë hedhin e presin loxha Dibre nëpër tavolina; në Peqin, si në vendqëndrimin e një pengu syfashuar për të mos e marrë vesh ku ndodhet; në Përmet, si në majën e zbrazët të një tradite të bukur mbetur poshtë në rrugën e së kaluarës bashkë me trëndafilat e vrarë; në Kukës, si në skajin me greminë të papunësisë në fund të një udhëtimi të përmuajshëm ku njerëzit marrin ndihmën ekonomike bashkë me biletat e kthimit që i risjellin gjithnjë e më të shumtë për të jetuar në periferitë e reja të Tiranës; në Durrës, si në mes të një xhungle krijesash të stërlarta betoni që ngjiten sipër njëra-tjetrës për të parë detin hipur mbi kodrat e bukura ku është zhytur e jep shpirt nga plagët e vandalizmit pallati historik që tregtarët e qytetit ia blatuan mbretit Zog; në Urën Vajgurore, qytet udhëkryq mes pluhurit të ngritur nga ata që s’ndalojnë e varfërisë së s’ndalet së futur hajdutçe në shtëpitë e njerëzve; në Krumë, ku s’e gjen dot një arsye tjetër më të mirë për t’u gdhirë përveç pamundësisë për të fjetur pa u zgjuar më deri në ndërrimin e moteve; në Himarë, si në një copë parajsë tokësore rrëmbyer nga dallgët e shkatërrimit urban e përplasur brenda kornizës së shëmtimit të përgjithshëm; në Lezhë, ku delet kullosin mbi varrin gjithë ferra të Heroit Kombëtar për jetë e mot të shqiptarëve, me Shëngjinin, pranë ku pallatet e ngjitur njëri pas tjetrit nga dora kopaçe e tranzicionit qorr i bëjnë karshillëk peizazhit përrallor me detin e mërzitur dhe moli arkaik i ca anijeve që zgjohen me kollitje të gjata duke lëshuar çdo mëngjes tym të zi që djeg sytë para se të dalin për të peshkuar mbijetesën, hapet e mbyllet me një dryn të vjetër nën dridhjet e kodrës barkçarë ku ngulin dhëmbët përditë bizneset qeveritare të inerteve bash aty në buzë të njërës prej pasurive ujore më të mëdha të këtij vendi që mund të kishte njërin nga portet më të lakmuar të Mesdheut falë thellësisë e pozicionit strategjik rajonal; në Parisin e vogël të korçarëve fisnikë e pastërtorë me raftet e historisë plot libra, letra nga Amerika, ftesa për ballo e kostume allafrënga që prej vitesh përpëliten nga humbjet e mundësive si të rënë nga dynjallëku në një grackë të ngritur prej parvenysh hakmarrës ndaj qytetarisë e sqimës së tyre; në Fierin e profesionistëve të naftës që shesin domate për një copë bukë a presin lekët e fëmijëve emigrantë për të blerë domate, ndërkohë që ari i zi i nëntokës thithet kudo nga pompa e oborrit të pushtetit e rrjedh në kanalet e kontrabandës e të parasë së zezë; në Skraparin e kanioneve të mrekullueshme e të njerëzve besnikë që kanë rënë në tatëpjetën pa ndalim të varfërisë së ushqyer me artin e tradhtive të shpërblyera politike; në Rrëshen, si në faqen e një kalendari të kthyer mbrapsht vit pas viti, e ardhmja pa punë është bërë një e shkuar që me të shkuarën e atjeshme nuk ngjan me asgjë të lavdishme; në Delvinë, si në sheshxhirimin pa aktorë të një filmi western, ku boshllëku mes qytetit i mbetet vetëm diellit përvëlues dhe njerëzit vijnë anës si hije pa shpresë; në Rubik, ku qyteza e varfër rri spektatore e papunë mbi një fushë futbolli gjithnjë të mbjellë përgjysmë në një pritje që është vetë ndeshja; në Maliq, ku këneta po rinxjerr gjuhën hakmarrëse nga dheu për të përpirë tokat e mbetura shkretë teksa krahët punëtorë kanë mbetur pa asnjë përkrahje; në Poliçanin e industrisë së armatimit mbetur në duart e trafikantëve që fshihen pas procedurave të Ministrisë së Mbrojtjes për çmontimin e xhephaneve mbetur nga lufta kundër imperializmit, ku njerëzit mbajnë radhën për një punë skllavi në pritje që fushata elektorale t’i përfshijë në listat e çmontuesve; në Pukën e ushqyer me pyjeprerje e lëmosha; në Gramshin e bllokuar jashtë të gjitha rrugëve të komunikimit me pjesën tjetër të zhvillimit zallahi; në Bajram Curri, si në dëshminë e gjallë të vizionit pa qytet e as bashkëjetesë qytetare të të parit të qeverisë ardhur prej andej; në Vlorën e pavarësisë shqiptare që sabotohet qëllimisht prej vitesh nga organizatorët e sotëm në pushtet të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë; në Shqipërinë që deri këtu është Shqipëria e qyteteve e qytezave; të cilën këta njëzet vjet e Saliu sidomos, e kanë degdisur në fatin e vet pa menduar gjatë se ku po e shpie mungesa e planeve të zhvillimit e lënia me vite e taksave të ndërtimtarisë si e ardhur kryesore për buxhetet sifilitike të bashkive….
EDI RAMA











