Rama për krizën e karburanteve: Lufta në Iran ndikoi te çmimi i naftës, do futemi në treg për markimin e saj, pasi sistemi i vjetër famëkeq…

Mar 28, 2026 | 18:54

Kryeministri Edi Rama, nga takimi i Asamblesë së PS nga Njësia nr. 2 në Tiranë, pranoi krizën e karburanteve dhe rritjen e çmimit të naftës, duke argumentuar se shkak ishte lufta në Iran dhe konflikti në Lindjen e Mesme.

rama asambleja

Kreu i qeverisë gjithashtu kritikoi sistemin e vjetër të markimit të karburanteve, që e cilësoi “famëkeq” e që manipulohej lehte, duke njoftuar teknologjinë e re të markimit me kompaninë arabe, duke e futur shtetin në treg për të ndaluar kontrabandën dhe rritur të ardhurat.

“Me naftën kemi hyrë në veprim dhe, siç e keni parë me bordin e transparencës, kemi filluar ta diktojmë çmimin. Por, në ndërkohë, jemi duke u përgatitur për një ndryshim të madh, të cilit përsëri duhet t’i vinte koha, sepse nuk mund të bëhej thjesht sepse ne donim ta bënim. Po duhet të krijosh disa kushte që të futet edhe shteti në këtë treg dhe shteti, duke u futur, e para, të garantojë rezervat për çdo rast, sepse bota është shumë e madhe dhe gjithmonë e më shpesh po rrotullohet në drejtimin e gabuar. E dyta, të ndikojë në çmimin e naftës, duke e sjellë atë në parametra të arsyeshëm, sepse shpeshherë nuk është në parametra të arsyeshëm”, tha ai.

Më tej kryeministri shpjegoi edhe teknologjinë e re të markimit dhe hyrjen e shtetit në tregun e karburanteve.

“Dhe po ashtu, ne po përgatitemi jo vetëm që të futemi në atë treg me një komponent shtetëror, por edhe që të fusim në tregun e naftës disa risi, që kanë të bëjnë me kapacitetet e reja teknologjike, qoftë në markimin e naftës, e cila edhe pak del produkti i parë i kompanisë publike që ne e kemi krijuar së bashku me partnerët tanë, Emiratet e Bashkuara, për të markuar naftën, duke e bërë të pamundur shmangien nga detyrimet fiskale si rezultat i pikërisht markuesit të ri”, vijoi ai.

Rama kritikoi markuesit e vjetër të manipulueshëm dhe tha se teknologjia e re do rriste të ardhurat në buxhet, por nuk shpjegoi se sa do të shkonte çmimi i naftës.

“Sepse markuesi i vjetër që ne gjetëm nga ai koncesioni famëkeq i paraardhësve ishte një bojë që lehtësisht mund të manipulohej dhe, nga ana tjetër, duke garantuar ndjekjen e të gjithë naftës tranzit, e cila është një nga burimet e kontrabandës. Të gjitha këto, ne besojmë shumë që do të rrisin të ardhurat në buxhetin e shtetit, por mbi të gjitha do të garantojnë, qoftë cilësinë për konsumatorët, qoftë një çmim më të arsyeshëm të naftës”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura