Kryeministri Edi Rama mori pjesë në inaugurimin e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ku shprehu vlerësimin për punën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë punonjësve të shëndetësisë, duke nënvizuar se ata përballen çdo ditë me “furi fjalësh“ dhe meritojnë respekt për shërbimin që u ofrojnë qytetarëve.
“Dua t’i shpreh respektin tim të gjithë mjekëve, infermierëve, të gjithë punonjësve të shëndetësisë, të cilët bëjnë nje punë të jashtëzakonshme dhe të cilët përballen po ashtu edhe me një furi të jashtëzakonshme fjalësh që nuk i meritojnë. Por kjo është jeta, kështu i kemi ndarë detyrat; disa duhet të bëjnë punën, disa nuk mbetet gjë tjetër veçse ‘’t’i lehin karvanit’’ që shkon përpara.”, tha Rama.
Rama tha se bluzat e bardha i shërbejnë qytetarëve me profesionalizëm dhe dinjitet , ndërsa shtoi se rastet e korrupsionit nuk mund të njollosin punën e ndershme të të gjithë personelit shëndetësor. Rama theksoi se objektiv i tyre mbetet rritja e mëtejshme e pagave në sektorin shëndetësor.
“Është një volum i jashtëzakonshëm shërbimi, i cili flet për faktin që mjekët dhe infermierët në Shqipëri i shërbejnë publikut, i shërbejnë qytetarëve, i shërbejnë njerëzve që kanë nevojë për ta me dinjitet dhe si çdo gjë tjetër që ndodh fatkeqësisht në sistem dhe që i bie ndesh gjithë shumicës dërmuese të bluzave të bardha, nuk e ndyn dot pastërtinë e këtyre bluzave dhe natyrisht është pjesë e objektivit për ta bërë dhe më të mirë sistemin, për ta pastruar tërësisht nga çdo lloj kanali ku veje-vjen llumi i ryshfetit.
Dhe në mbyllje dua të shtoj që ne e kemi bërë çmos që pagat tuaja të rriten në mënyrë të vazhdueshme. I kemi rritur shumë ndjeshëm, por dua që të jeni të bindura, se këtu shumica janë gra për fat të mirë, por edhe burrat, mundësisht të jeni të bindur po dhe po nuk u bindet rëndësi ka të binden gratë, e dini formulën time, – se po u bindën gratë edhe burrat nuk kanë ku shkojnë pastaj, – që ne do të vazhdojmë t’i rrisim pagat.“, shtoi ai.
© Panorama.al












