Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndryshime në rregulloren e Kuvendit, që prekin seancat si edhe orët e vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës.
Në fjalën e tij pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri theksoi se aktiviteti parlamentar duhet të shtohet, duke përmendur më shumë seanca. Ai theksoi se duhet të ketë edhe seanca të shtuara të posaçme në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Ky vit që nis dhe i ardhshmi do të kenë ngarkesë si asnjëherë më parë në kuvend. Numri i ligjeve që duhet të kalojnë në filtrin dhe në seancën e vendimmarrjes së Kuvendit do të jetë më i larti ndonjëherë për shkak të procesit të negociatave. Nga ana tjetër, na duhet të kalojmë ligje por edhe të jemi sa më cilësor në këtë proces. Kjo shton nevojën për të rritur angazhimin, të punës dhe të numrit të seancave të parlamentit. Nuk është i përballueshëm në këtë proces me këtë numër seancash dhe mbase mund të konsiderohet përfshirja në kalendar e seancave të posaçme vetëm për procesin e negociatave. Që për natyrën dhe përmbajtjen e tyre nuk janë seanca që kërkojnë gjatësi orësh por përqendrim dhe numër prezence.”, u shpreh kryeministri.
Po ashtu kreu i qeverisë paralajmëroi ndryshimet edhe sa i përket hapësirës në orar të opozitës gjatë seancave parlamentare. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për ulje të orëve që i përkasin opozitës, por të ketë ndërhyrje në rastet kur opozitarët “marrin” peng Kuvendin, duke iu referuar rasteve të kaosit dhe tensioneve që janë shkaktuar.
Sipas Ramës, “duke qenë se rregullorja e parlamentit nuk është shkruar në gur, duke u bazuar në praktikat e BE, të ndërhyhet që fjala procedurë të mos jetë e barabartë me konceptin pengmarrje”.
“Dua ta ritheksoj që në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe. Në ndarjen e orëve të fjalës në Kuvend, po të shikosh nga orët duket sikur jemi në një parlament 51 me 49. Që dmth se orët e vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës janë anomalisht shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në parlamentet e BE. Nuk dua të them se duhet t’i ulim orët opozitës por të shikojmë se si duhet të ndërpriten orët e marra me forcë, me abuzim, në shkelje të plotë të etikës parlamentare duke përdorur procedurën për të marrë peng jo kuvendin por publikun, për një ose dy orë kur fillon seanca dhe pushtuar sallën e parlamentit duke i vendosur deputetët e shumicës në pozitën e atyre që janë spektatorë të një teatri balte. Duhet të mbarojë. Në asnjë parlament demokratik dhe të BE kjo gjë nuk i lejohet asnjë force politike. Prandaj duke qenë se rregullorja e parlamentit nuk është shkruar në gur, duke u bazuar në praktikat e BE, të ndërhyhet që fjala procedurë të mos jetë e barabartë me konceptin pengmarrje. Legalizimi i rrugaKërisë në sallën e kuvendit është bashkëveprim dhe bashkëfajësi në goditjen e të gjithë atyre që ndjekin kuvendin, është një goditje në nivelin psikologjik, edukativ dhe në aspektin social sepse krijon vetëm nxitje të urrejtjes dhe vetëm zgjerim të hendekut të pamerituar për shqiptarët që e ka hapur dhe gërmon politika.”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri theksoi edhe domosdoshmërinë e rritjes së aktivitetit diplomatik parlamentar. Ai theksoi se është e nevojshme që të rritet bashkëpunimi me parlamentet e vendeve të BE-së. U ndal edhe te shtimi i administratës së Kuvendit, duke theksuar se “
“Lidhur e domosdoshmërinë e rritjes së aktivitetit diplomatik parlamentar, që duhet të jetë në fokusin e kryetarit të Kuvendit, por edhe të deputetëve të përfshirë në grupet e miqësisë me parlamente të vendeve anëtare të BE, dhe të atyre parlamente ku nevoja për më shumë komunikim, prani dhe shpjegime është më e madhe. Besoj se është e qartë për të gjithë që ky proces kërkon edhe një administratë apo shërbim administrativ të Kuvendit më cilësor. Kemi folur për reformën e brendshme në Kuvend prej disa vitesh, janë bërë disa hapa por një administratë, e cila numëron rreth 350 vetë nga të cilët, rreth 300 janë nëpunës civil, është goxha e madhe në numër, në ndërkohë që barra e punës mbështetëse për komisionet për deputetët, kryetarin e Kuvendit bie mbi një numër më të vogël se sa i përgjithshmi. Kjo kërkon vëmendje të veçantë dhe nëse për arsyet që lidhen edhe me sigurinë juridike të atyre që janë, duhet të shtojmë forca të reja”, shtoi Rama.
© Panorama.al












