Rama: Nuk votojmë ligjet me 3/5, t’i shqyrtojmë nga e para

Sep 20, 2011 | 11:38
Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar të PS

Kryesocialisti prezantoi dje në mbl-edhjen e Grupit Parlamentar programin e deputetëve në Kuvend. Rama la të kuptohet se votat e deputetëve socialistë për ligjet me 3/5 do të jepet vetëm atëherë kur këto ligje do të jenë rishikuar nga e para. “Ne s’do ta ngremë kartonin jeshil për arnat që zonja Jozefinë fut në çdo rend dite, po jemi gati të punojmë me palën tjetër për një vizion kombëtar e europian të ndërtimit të shtetit modern shqiptar, që, sipas nesh, do të thotë tërheqja e plotë e të gjitha drafteve rromapërtoma të paraqitura në Kuvend për t’i hedhur hi syve Brukselit dhe hapja e disa kantiereve për reforma të mëdha, të thella, të integruara në një vizion të përbashkët e bashkëkohor”, u shpreh Rama. Nisma tjetër e radhës për të cilën Partia Socialiste do të angazhohet, është edhe ajo për heqjen e TVSH-së. Sipas Ramës, PS-ja do të depozitojë këtë javë në Kuvend edhe nismën për heqjen e TVSH-së së ushqimeve bazë dhe ilaçeve, e cila pritet me shumë interes nga familjet shqiptare.
Parlamenti
Kryesocialisti foli dje dhe për reformën parlamentare, një nismë kjo e marrë nga deputetët socialistë. “Depozitimi këtë javë në Kuvend i nismës sonë për rinormalizimin e kuadrit të bashkëjetesës mes palëve në sallën e Kuvendit përmes ndryshimeve të domosdoshme në rregullat e procedurës parlamentare, duhet pasuar pa humbur kohë me një hap të dytë për një reformë të thellë institucionale të Parlamentit, bazuar në diagnozën objektive të raportit të progresit, në deklaratën e përbashkët pa asnjë ekuivok të baroneshës Ashton e komisionerit Fyle”, u shpreh Rama. Sipas tij, “funksionimi normal i bashkëjetesës së palëve në sallën e Kuvendit, si edhe rimodelimi i institucionit të Parlamentit në bazë të standardeve europiane, është një prioritet i mirëpërcaktuar i Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe ne do ta bëjmë të plotë detyrën tonë në drejtim të këtij objektivi të patjetërsueshëm”. Kryesocialisti e cilësoi të nxituar reagimin e kryetares së Parlamentit ndaj nismës së socialistëve. “Mbetet me rëndësi reagimi i palës tjetër, natyrisht dhe kundërshtia e ngutur e spikeres pas publikimit të nismës sonë, pa e marrë atë ende as zyrtarisht, fatkeqësisht nuk lë vend për optimizëm në përmbushjen e këtij prioriteti themelor të jetës institucionale të vendit. Ashtu siç tregon se zonja Jozefinë mbetet një pengesë e madhe në këtë drejtim, tamam siç përshkruhet në raportin e progresit roli i saj destruktiv në drejtimin e Kuvendit”, u shpreh Rama.
Bulqiza
Në qendër të punës së deputetëve socialistë do të jetë çështja e Bulqizës. “Organi kushtetues i akuzës nuk po vepron ndaj zyrtarëve të zhytur në korrupsion, as para provash ulëritëse, siç është, në rastin e Bulqizës, kapërcimi flagrant i kompetencave zyrtare e shkelja po aq flagrante e Kushtetutës e ligjit në marrjen e atributeve të Kuvendit të Shqipërisë për të zgjatur e modifikuar me firmë ministri një kontratë koncesionare që ka kaluar në Parlament. Nisma tjetër e radhës për të cilën Partia Socialiste do të angazhohet është edhe ajo për heqjen e TVSH-së. Sipas Ramës, PS-ja do të depozitojë këtë javë në Kuvend edhe nismën për heqjen e TVSH-së së ushqimeve bazë dhe ilaçeve, e cila pritet me shumë interes nga familjet shqiptare. Një tjetër nismë e Partisë Socialiste, sipas Ramës, do të jetë edhe projekti për përpunimin e mbetjeve. Sipas tij, opozita duhet të fokusohet qartë me fakte e prova kundër projektit politik në përpunimin e mbetjeve ku i është hapur rruga e rrezikshme të plehrave nga jashtë dhe kërcënimit nga mbetet radioaktive.

Prokuroria të hetojë Rulin
Kryesocialisti duke fajësuar direkt ish-ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Rama i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë Genc Rulin. “Edhe njëherë i bëjmë thirrjen e përsëritur Prokurorisë së Republikës të marrë të pandehur ish-ministrin e Ekonomisë për shpërdorim të detyrës zyrtare me pasojë shkatërrimin e pasurisë kombëtare dhe dëmtimin e kushteve të punës e të jetesës së minatorëve të Bulqizës”, u shpreh Rama. Kreu i PS-së, Edi Rama, theksoi se padia patetike e ish-ministrit të Ekonomisë, Ruli, është dëshmi e gjendjes së instaluar në vend. “Kjo është gjendja e dëshpëruar e prototipave të ulët që përfitojnë duke bërë rolin e të prekurit në dinjitet duke u kthyer nga të akuzuar në akuzues kur organi i akuzës nuk vepron”, u shpreh Rama.

Interpelancë me Petrit Vasilin
Duke bërë një ekspoze të planit opozitar të deputetëve socialistë në Kuvend, kryesocialisti u shpreh se do të ketë një interpelancë me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Interpelanca e përgatitur me ministrin e Shëndetësisë do të kompletojë kornizën e punës së kësaj jave parlamentare dhe të vendosë kreun e njërit prej institucioneve më të korruptuara qeveritare përballë publikut me fakte e prova domethënëse”, u shpreh kryesocialisti. Deputetët socialistë, të ndarë sipas komisioneve parlamentare, kanë përcaktuar një program pune për të thirrur në interpelanca të gjithë ministrat e qeverisë. Radha e interpelancave është vendosur të mbahet në varësi të problematikës më të rëndë të dikastereve që ata mbulojnë.

Ditëlindja, Rama uron Malajn dhe Bellon për 50-vjetorin
Kryesocialisti Rama, në fund të fjalës së tij, uroi dy deputetët e Grupit Parlamentar për ditëlindjen e tyre. “Në fundi i uroj dy deputetëve tanë, Marko Bellos dhe Arben Malajt, gëzuar 50-vjetorin e lindjes dhe 50 të tjera me shëndet, lumturi, fat e sukses në detyrat ndaj familjes së tyre dhe ndaj familjes sonë politike”, u shpreh Rama në përfundim të fjalës së tij. Urimi i Ramës ka pasur dhe urimet e deputetëve të tjerë ndaj dy kolegëve të tyre që kishin ditëlindjet. “Nuk është e lehtë të ndërrosh prefiks, nga 04 në 05”, u është drejtuar Rama deputetëve. Dy deputetët, të gjendur në befasi për këtë urim dhe të papërgatitur për të organizuar një festë të vogël mes kolegësh, kanë premtuar një koktej të hënën e ardhshme, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar. Në urimet e deputetëve nuk kanë munguar dhe batutat e shumta mes tyre. Arben Malaj, deputet i qarkut të Vlorës, mbushi dje 50 vjeç, ndërsa Marko Bello kishte ditëlindjen një javë më parë, më 12 shtator. Nuk dihet nëse ai ka marrë dhurata nga deputetët apo dhe kryetari i PS-së, pasi të paktë kanë qenë ata që kanë e ditur atë. Dy deputetët kanë qenë pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS dy vjet më parë, menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, ndërsa nuk kanë munguar dhe akuzat ndaj tyre. Deputeti Arben Malaj, njëkohësisht dhe anëtari i Kryesisë socialiste, është duke bashkëbiseduar me socialistë dhe të rinj platformën e tij për hapjen dhe modernizimin e partive politike shqiptare.

Rama përgëzon Saimir Tahirin
Kreu socialist, që në nisje të fjalës së tij para deputetëve, përgëzoi Saimir Tahirin për interpelancën në Parlament për problemin e Bulqizës. “Lejomëni së pari ta falënderoj në emër të të gjithëve nënkryetarin e Grupit, Saimir Tahiri, për paraqitjen e shkëlqyer të qëndrimit e të shqetësimeve shumë serioze të opozitës në interpelancën e javës së shkuar mbi korrupsionin vrastar e shkatërrues të Gërdecit të heshtur të Bulqizës”, u shpreh Rama.

ARISTIR LUMEZI

 

© Panorama.al

Te lidhura