Rama: Nëse drejtësia nuk bën drejtësi, s’njohim rezultatin

May 25, 2011 | 11:05
Rama dje gjate konferences per shtyp

Kreu socialist, Edi Rama, iu rikthye dje bashkëbisedimit me gazetarët, pas rreth tre muaj mungesë të tij. Në qendër të tij Rama sqaroi pozicionin e PS përballë KQZ-së, qeverisë dhe kryeministrit Berisha, por edhe shkallës së fundit të ankimimit ligjor të zgjedhjeve, siç është Kolegji Zgjedhor.Rama tha se ka shpresë tek kolegji, se do të tregojë integritet profesional për të mos prekur vullnetin e popullit sipas tij, të shprehur me votë, duke i dhënë atij avantazhin në zgjedhjet e Tiranës. Por sipas Ramës, nëse Kolegji do ta mohojë këtë të drejtë, atëherë PS do të udhëheqë popullin që do të kërkojë vendosjen e drejtësisë së mohuar. Kreu socialist e cilësoi avantazhin e tij nga numërimi paraprak i Njësisë Nr.5 si fitore dhe pse me 10 vota, duke e cilësuar atë fitore, ashtu siç ka qenë fitorja e presidentit Bush me 500 vota, kur palët u ndalën në gjykatë.
Sa besim keni tek Kolegji Zgjedhor për të vendosur atë që ju thatë, drejtësinë në vend dhe çfarë argumentesh do të përdorë PS duke pasur parasysh që kjo mbetet e vetmja rrugë për të përmbysur atë rezultat që ju thoni?
Kjo nuk është e vetmja rrugë, kjo është rruga e hapave të parashikuar nga Kodi Zgjedhor në adresë të institucioneve. Të jesh pjesë e të vetmes rrugë që është përballja sy për sy e dhëmb për dhëmb me këtë pushtet të vjedhur, për të vjedhur Shqipërinë me këtë mendje të shthurur që, me atë që ndodhi në Komisionin Qendror të Vjedhjeve, ka shthurur përfundimisht institucionin në fjalë. Sigurisht që kriza e sistemit gjyqësor është një krizë e kahershme, nuk lë vend për optimizëm të plotë. Por rasti është kaq flagrant, sa unë e shoh të vështirë që gjyqtarë me një integritet minimal profesional të mund t’i hanë popullit opozitar një hak të pashlyeshëm.
Sapo KQZ nisi këtë procedurë që ju e quani krim elektoral, ju dhe zoti Ruçi deklaruat se do të ketë revolta popullore, sot po thoni se do të ketë rezistencë popullore. Por për sa kohë që ky lloj presioni me protestat që ju bëtë në KQZ nuk është se ndikoi shumë në procedurën e ndjekur nga KQZ, si do të vazhdojë më tej, kush do të jetë aksioni i PS-së dhe nëse Kolegji do të lërë në fuqi vendimin e KQZ-së, kush do të jetë reagimi i PS-së?
Nuk i heq asnjë presje atyre që kam deklaruar unë, ka deklaruar Gramozi, ka deklaruar PS-ja. Dhe jo vetëm jemi më të vendosur se kurrë, por më shumë se kurrë e drejta që kemi me vete është e qartë për të gjithë për shqiptarët, por edhe për miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. Sigurisht që jemi shumë të shqetësuar dhe jashtëzakonisht të angazhuar që të ulim kostot, të cilat Saliu po i rrit përditë duke ja faturuar të ardhmes së afërt të vendit. Nga ana tjetër, ne asnjëherë nuk kemi braktisur rrugën e institucioneve, pavarësisht kalbëzimit të tyre, pavarësisht degjenerimit të tyre, pavarësisht mungesës së integritetit të tyre. Por s’ka pikë dyshimi që atë që ky popull nuk e gëlltiti në kohën e Saliut të parë, nuk mund ta gëlltisë në kohën e Saliut të dytë.
Përballja dhëmb për dhëmb me pushtetin dhe realizimin e transparencës e kemi dëgjuar përgjatë dy vjetësh në zgjedhjet e 2009. Sa besoni se këtë herë kjo rezistencë e juaja do të jetë efektive?
Besoj më shumë se kurrë, ashtu siç jam i bindur që edhe rezultati spektakolar i 8 majit ishte fryt i rrugës sonë të rezistencës dhe të betejës për mbrojtjen e vlerave dhe të parimeve të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Prandaj, si forca fitimtare e këtyre zgjedhjeve, PS është akoma më e energjizuar, akoma më e vetëdijshme, akoma më e angazhuar që ta çojë përpara betejën e vet me këtë regjim horrllëku që kërkon t’u imponojë shqiptarëve një model që ne e refuzojmë dhe të cilin do ta shkatërrojmë me fuqinë e rezistencës sonë me të gjitha rrugët demokratike.
A do të pranoni ju çdo vendim që do të jap Kolegji Zgjedhor?
Ne nuk e njohim këtë rezultat dhe nuk kemi për ta njohur këtë rezultat, sepse ky rezultat nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve të Tiranës. Po është fryt i kanibalizmit elektoral të Saliut që u materializua në tavolinën e Komisionit Qendror të Vjedhjeve. Ne jemi shpresëplotë se do të rrëzohet në tavolinën e drejtësisë.
Po në rast se nuk e rrëzon?
Në rast se drejtësia nuk do të bëjë drejtësi, populli do ta gjejë rrugën për të vendosur të drejtën e vet. Për këtë nuk ka asnjë pikë dyshimi dhe ne do ta udhëheqim popullin në kërkimin e së drejtës së vet.
Në rast se Kadare do jua dërgonte ju letrën, si do ta komentonit?
Kjo është një pyetje për Ismail Kadarenë, për të cilin unë kam vlerësimin tim të lartë dhe ato që ai bën si qytetar janë pakte për të cilat është ai që duhet të japë përgjigje dhe jo unë.
PS ka humbur minibashkitë në Tiranë, nga nëntë që drejtonte, ka vetëm katër. Cili është qëndrimi juaj për këtë?
Këto janë thërrimet që ngushëllojnë Saliun dhe kjo është çështje e të humburit që kërkon të ngushëllohet me thërrimet. Rezultati në Tiranë nuk është i dyshimtë. Rezultati në Tiranë është i qartë dhe transparent. Sigurisht ka brenda me dyshimin e thellë për gjithçka ka ndodhur në këtë proces zgjedhor dhe për të gjitha format e manipulimit dhe deformimit të vullnetit të zgjedhësve, që çuan në një ngushtim shumë të ndjeshëm të rezultatit. Por rezultati është i padyshimtë, sepse u materializua në sytë e të gjithë shqiptarëve drejtpërsëdrejti dhe votat nuk u numëruar vetëm nga numëruesit, por pothuajse nga çdo familje shqiptare që ndoqi atë numërim me zemrën pezull. Ne i fituam zgjedhjet në Tiranë, kjo është pak, por e sigurt.
Ju thatë që i njihni institucionet dhe i respektoni ato, por dje, kur ka filluar puna në komisionet parlamentare, grupi parlamentar i PS nuk është bërë pjesë e tyre. Do të thotë që është një bojkot zyrtar i Parlamentit?
Këto i thoni ju, ndërkohë që ne do të marrim të gjitha vendimet e nevojshme në kohën e duhur. Sot për sot ne jemi të gjithë të fokusuar në betejën ligjore, pra shpresojmë që drejtësia të jap drejtësi dhe ky kapitull të mbyllet drejtësisht. Për të tjerat do të kemi kohën e nevojshme për të marrë vendimet e duhura. Të jeni të sigurt që do të marrim vendimet e duhura. Kush mendon se kjo është një çudi që do zgjasë tre ditë, bën një gabim shumë të madh. Kjo është një çudi për shumë kënd dhe për ne. Ne kemi dy vjet që e dimë çfarë ndodh me procesin zgjedhor nën diktatin e Saliut, por këtë herë vetë Saliu ju tregoi shqiptarëve se ç’është për të një proces zgjedhor dhe ç’vlerë kanë për të votat e qytetarëve. E si mund të ekzekutohet procesi zgjedhor drejtpërdrejtë në televizor përmes banditësh që symbyllur shkelin Kushtetutën, ligjin, normat më elementare të aritmetikës institucionale dhe madje të moralit të kësaj shoqërie. Në këtë aspekt, ashtu siç mendoj se jo të gjitha të këqijat vijnë vetëm për keq, kjo është një e keqe e madhe që ka ndihmuar shumë shqiptarët skeptikë ndaj betejës sonë për votën e lirë dhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të kuptuar nën dritën e diellit se kush dhe si e qeverisë apo e keqqeverisë këtë vend. Për të tjerat, të jeni të bindur se mësimet e historisë së njerëzimit ashtu sikundër mësimet e historisë modeste të Shqipërisë sonë, flasin shumë qartë dhe hapat e mëtejshëm në historinë e afërt të këtij vendi do të flasin po kaq qartë për pabazueshmërinë dhe paqëndrueshmërinë e këtij lloj procesi harbutërie në sytë e shqiptarëve. Nuk mund ta pranojnë dot shqiptarët që vjedhja të kthehet në sistem duke u shfaqur sy për sy si akt që bën qeveria e tyre.
Ju keni humbur edhe me 10 votat, po ta krahasosh me diferencat në 2007 e zgjedhjet e mëparshme. Pse kjo diferencë?
Harrova TVSH-në, ma kujtuat ju. Ne i fituam zgjedhjet në Tiranë. Të tjerat janë objekte analize për partitë politike për analistët, për gazetarët etj. Fakti është i qartë, fitorja është fitore, humbja është humbje. Me një votë, me një mijë vota, me dhjetë mijë, me njëqind mijë vota. Kështu që shembujt e historisë janë shumë të qartë. Presidenti i SHBA-ve u zgjodh me më pak se 500 vota dhe udhëhoqi Shtetet e Bashkuara me legjitimitet të plotë apo raste të tjera, s’kemi pse hyjmë fare në aritmetikën e numrave. Numrat janë shumë të qartë dhe ato dhjetë vota janë vota të arta, sepse u numëruan në sytë e mbarë popullit, ndoshta si askund tjetër asnjëherë, për shkak të specifikës që pati ky proces dhe ndoshta për shkak të pranisë së ndërkombëtarëve që garantoi transparencën dhe integritetin e numërimit.

Zgjedhjet, Edi Rama nis cigaren

Kryesocialisti ka nisur cigaren. Dje, Edi Rama u pa në ambientet rreth selisë rozë me cigare në dorë, duke bërë përshtypje tek të pranishmit. Rreth mesditës, Rama doli nga zyra e tij dhe i shoqëruar nga dy badiguardë, u drejtua për nga lokali “Austria” prapa PS. Në dorë mbante një cigare puro të holla që tymosen jo nga pirësit e rregullt të duhanit. Kurrë më parë Rama nuk është parë në ambientet e jashtme me cigare në dorë. Ai është takuar për pak çaste me një mikun e tij të vjetër biznesmen në lokal e më pas është ngjitur përsëri në zyrë për bashkëbisedimin me gazetarët në orën 13:00. Nga bashkëpunëtorët e tij mësohet se Rama ka nisur të pijë cigare pak para zgjedhjeve, ndërsa ditët e fundit, cigaret për Ramën janë bërë më të shpeshta dhe për faktin se këto zgjedhje ishin nga më të papriturat për rezultatin dhe për administrimin paszgjedhor të tyre.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura