Rama me Zaganjorin: S’të mbështes

Jun 2, 2012 | 13:51

Partia Socialiste ka konfirmuar dje se nuk i jep konsensus kandidaturës së Xhezair Zaganjorit për postin e Presidentit të Republikës. Kreu socialist, Edi Rama, bëri të ditur dje se opozita nuk do të japë mbështetje për asnjë nga kandidaturat që do t’i propozohen nga maxhoranca, përfshirë dhe atë të Xhezair Zaganjorit, në rast se nuk do të zhvillohet një tryezë midis kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe Kryeministri Sali Berisha. Në këtë qëndrim ka dalë kryetari i PS-së, Edi Rama, pas përfundimit të takimit me kandidatin e maxhorancës Xhezair Zaganjori, të zhvilluar në selinë e PS ditën e djeshme në zyrën e tij. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur rreth 40 minuta. Në dalje nga selia e Partisë Socialiste, kandidati Xhezair Zaganjori i propozuar nga PD, LSI, PDIU dhe PR ka deklaruar se takimi ishte kërkuar prej tij me qëllimin e vetëm për t’u njohur nga afër në kreun e opozitës dhe për të mirën e debatit të nisur për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.
Zaganjori
Zaganjori theksoi se nuk kishte kërkuar votat e kreut të opozitës, pasi sipas tij ky ishte një proces që i përket politikës. “Kemi pasur një njohje nga larg, thjesht u prezantuam me njëri-tjetrin nga afër. Është hera e parë që diskutojmë me njëri-tjetrin. Unë i përshkrova arsyet që më kanë shtyrë që të marr vendimin për të kandiduar dhe që nuk e kam pasur të lehtë, dhe kaq. Mendova që është në të mirën e debatit dhe procesit që po zhvillohet. Unë e kërkova takimin, Rama nuk më tha asgjë, nuk i kërkova mbështetje dhe nuk kishte detyrim të më përgjigjej”, deklaroi kandidati i propozuar nga maxhoranca. Pas përfundimit të takimit, kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk ka pranuar të flasë për gazetarët mbi takimin e zhvilluar me kandidatin e maxhorancës për postin e kreut të shtetit. Gjithçka është sqaruar me pas me anë të një deklarate për mediat të nisur nga zyra e shtypit pranë PS-së. Në deklaratë, kryesocialisti Edi Rama shprehet se “Partia Socialiste nuk do të mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria. Kjo, theksoi kryesocialisti gjatë takimit, vlen konkretisht qoftë për kandidaturën e zotit Xhezair Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria nëse mungon dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës”.
Votimi
Në qëndrimin e tij të bërë publik, kryesocialisti Edi Rama shprehet se është i gatshëm të negociojë me kreun e qeverisë, para zhvillimit të raundit të dytë të votimit për Presidentin e ri të vendit. “Vetëm kështu mund të ndërtohet konsensusi i domosdoshëm që do të zgjidhte pozitivisht njërën nga katër pikat kyçe të paketës për të synuar statusin e vendit kandidat në BE, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri, si edhe do të krijohej hapësira e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tri pikave të tjera”, thuhet në qëndrimin e PS-së.

Kandidati për President sqaron akuzat ndaj tij

“Berishën ka 7 vite pa e takuar, vërejtje Topallit për doktoraturën”
Kandidati për postin e Presidentit, Xhezair Zaganjori, ka sqaruar dje akuzat që bëhen në adresë të tij, se ka qenë kundër kërkesës për të rrëzuar Marrëveshjen detare midis Shqipërisë dhe Greqisë. Gjatë një interviste për Top Channel, anëtari i Gjykatës Kushtetuese i cilëson si absurde këto deklarata dhe thekson se vota e tij kundër kërkesës së pesë partive ka qenë për legjitimimin dhe vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, partitë politike nuk mund të kërkojnë rrëzimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Kandidati i propozuar nga shumica thekson gjithashtu se nuk është takuar me Kryeministrin Sali Berisha prej rreth 7 vitesh dhe se takimet e fundit kanë qenë kur ai ka pasur postin e Presidentit. Duke folur për deklaratën se ka udhëhequr doktoraturën e kryetares së Kuvendit, Zaganjori shprehet se i është caktuar kjo detyrë dhe nuk e ka zgjedhur. “Nuk ma ka kërkuar zonja Topalli ta udhëheq, por jam caktuar. E kam udhëhequr për dy vite dhe mbaj mend që dy herë ia kam kthyer me vërejtje punimin. Nuk e kam vlerësuar unë punimin, por e ka vlerësuar një komision shumë i nderuar, me kryetar profesor Aleks Luarasin, profesoresha e nderuar Aurela Anastasi dhe profesoresha Marjana Asemimi. Ata e kanë vlerësuar punimin. Vlerësimi është edhe për kandidatin, edhe për udhëheqësin. Vlerësimi ka qenë maksimal se punimi në të vërtetë ishte shumë i mirë dhe kaq”, theksoi Zaganjori.

Topi: Politikanët të jenë më konkretë
Presidenti Bamir Topi ka shfrytëzuar festën e fëmijëve për t’i dhënë një tjetër mesazh klasës politike nga Pallati i Brigadave. Kreu i shtetit u ka bërë thirrje politikanëve që të mos humbasin kohë me komunikime të gjata dhe pa fryt, por të jenë sa më konkret. “Më pak humbje kohe për komunikime shumë të gjata, pa fryt, sikurse jemi mësuar të shikojmë, më konkret, më realizues, sepse në këtë mënyrë do të ndihen mirë të gjithë, në funksion të shtetit shqiptar, të institucioneve dhe të mbarë shoqërisë shqiptare!”, u shpreh Topi.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura