“Rama mbron financimin 4 mln euro për Kanye West”- New York Times: Kryeministri shqiptar s’dha detaje si do shpenzohen paratë! Mbi një muaj po përballet me protesta

Jul 10, 2026 | 8:41

 

Gazeta amerikane New York Times i ka kushtuar një artikull debatit për koncertin e reperit amerikan Kanye Ëest, i njohur edhe si “Ye”, i planifikuar të zhvillohet në Tiranë, si dhe polemikave për projektet turistike në bregdetin shqiptar.

rama kanye west protesta

Sipas New York Times, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin për financimin e koncertit, duke deklaruar se Shqipëria ka akorduar rreth 4.5 milionë dollarë për organizimin e tij. Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar koncertin “një mundësi fantastike për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik” për adhuruesit e muzikës.

Gazeta shkruan se “kryeministri nuk ka dhënë detaje se si do të përdoren fondet, ndërsa kujton se ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, kishte deklaruar më herët se për koncertin po ndërtohej një stadium i përkohshëm me kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh”.

Sipas artikullit, Rama pret që eventi të gjenerojë të paktën 114 milionë dollarë për ekonominë shqiptare. Ai argumenton se shpenzimet publike janë të nevojshme për të shmangur, sipas tij, “turpërimin e Shqipërisë” përballë afro 25 mijë vizitorëve nga 80 vende, të cilët kishin blerë prej kohësh biletat për koncertin. Kryeministri citohet të ketë deklaruar se aktiviteti do të ndikojë pozitivisht në konsumin, bizneset dhe të ardhurat e shtetit.

nyt

New York Times e lidh debatin për koncertin me protestat që po zhvillohen kundër projektit të resortit turistik në bregdetin e Adriatikut, ku është i përfshirë Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Gazeta shkruan se Rama i ka cilësuar kritikat ndaj koncertit dhe projektit turistik si pjesë e një fushate dezinformimi dhe ka deklaruar se të njëjtët kritikë kanë “rrëmbyer” protestën qytetare për qëllime të tjera politike. Në reagimin e tij, ai është shprehur se “Shqipëria nuk do të ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet pas”.

Artikulli ndalet edhe te figura e Kanye West, duke kujtuar se artisti ka shkaktuar polemika ndërkombëtare pas deklaratave antisemite dhe komenteve në mbështetje të Adolf Hitlerit dhe nazizmit, deklarata për të cilat më vonë ka kërkuar falje.

New York Times thekson se turneu i tij ka hasur në kundërshtime dhe anulime në disa vende evropiane, ndërsa në vende të tjera koncertet janë zhvilluar me pjesëmarrje të lartë.

© Panorama.al

Te lidhura