
Kreu socialist mblodhi në selinë rozë grupet e punës për programin dhe statutin e ri të PS.Dje në mesditë, kryesocialisti, i cili i drejton ato, mblodhi grupin për programin e ri të PS. Ra në sy mungesa e deputetëve Ben Blushi, Arben Malaj dhe Erion Braçe. Mësohet se deputetët janë lajmëruar nga Sekretariati i Asamblesë Kombëtare socialiste, ndërsa mungesa e tyre duket se ka pasur si shkak angazhimet e tyre profesionale. Rama, i cili drejton grupet e punës, ka kërkuar nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare që ta marrin seriozisht këtë proces, i cili në fund të tij do të sjellë si produkt një program të ri politik të PS, që do të jetë themeli i programit qeverisës në zgjedhjet e 2013-s. Për këtë Rama ka kërkuar kontakte dhe ballafaqime me të gjitha grupet e interesit, që do të bëjnë dhe fokusimin e orientimit të socialistëve në politikat e tyre opozitare dhe qeverisëse. Anëtarët e grupit të punës së programit janë ndarë në 5 nëngrupe, duke bërë dhe një ndarje të punës së tyre. Nëngrupet do të merren me çështjet specifike që do të bëhen pjesë e programit. Pjesë e nëngrupeve janë bërë dhe tre deputetët që munguan dje në mbledhjen e parë të nisjes nga puna të grupit për programin.
Deri në fund të gushtit nëngrupet do të bëjnë një vlerësim të situatës politike, ekonomike e sociale. Gjithashtu do të vlerësohen se cilat janë sfidat e së majtës sot në Europë dhe problematikat e saj. Pas fotografimit të situatës qeverisëse në vend, situatës ekonomike, klimës së biznesit, perspektivës europiane të vendit, por dhe të së majtës europiane, në fillim të shtatorit, kur do të punohet për programin, këto shqetësime dhe problematika do të jenë pjesë e zgjidhjeve që duhet të japë programi i ri politik i Partisë Socialiste. Në programin e tyre të ri socialistët do të kenë të fotografuar se cila është problematika e të papunëve, problematika e biznesit, e ish-ushtarakëve, e studentëve, e pushtetit vendor, e arsimit, kulturës, investimeve etj., ku do të ofrojnë dhe zgjidhjet e tyre për çdo kategori.
Statuti
Dy ditë më parë, kryesocialisti mblodhi dhe grupin e punës që do të merret me reformën organizative dhe statutore. Edhe anëtarët e këtij grupi pune janë ndarë në 5 nëngrupe, të cilët do të shikojnë pjesët e statutit, funksionimin e strukturave të PS-së, marrëdhëniet me shoqërinë civile dhe qasjet e reja me të, por dhe reformimin e forumeve të gruas dhe rinisë socialiste. Për të shkuar në një draft përfundimtar, që do t’i paraqitet Asamblesë Kombëtare dhe më pas dhe kongresit të nëntorit, nëngrupet e punës do të zhvillojnë takime me strukturat e bazës ku do të marrin propozimet dhe vërejtjet e tyre për mënyrën e funksionimit të partisë. Gjithashtu pritet që të përdoren dhe pyetësorët që do të shpërndahen në të gjithë vendin, përmes të cilëve do të vilet mendimi dhe propozimet për çështjet organizative dhe statutore të partisë. Takimet e ardhshme me grupet e punës priten të zhvillohen në muajin shtator, pasi të ketë mbaruar faza e parë, ajo e mbledhjes së fakteve dhe problematikave.
Grupet e punës
Grupet e punës për programin e ri dhe reformën organizative dhe statutore u ngritën dhe u miratuan nga mbledhja e fundit e Asamblesë Kombëtare socialiste. Grupet përbëhen nga 20 persona, anëtarë të Asamblesë, deputetë, por dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Në fund të punës së tyre, e cila pritet të përfundojë në fund të shtatorit, programi dhe statuti i ri do të miratohen nga mbledhja e Asamblesë dhe kongresit të nëntorit.
Tre kritikët
Tre deputetët që mungonin dje në mbledhjen e grupit të punës për programin e ri politik të PS, Blushi, Braçe dhe Malaj, njihen si kritikët e vijës politike të ndjekur nga PS dhe të qëndrimeve të saj në lidhje me bojkotin e Parlamentit. Ben Blushi, që prej rizgjedhjes së Edi Ramës në krye të PS-së pas humbjes së zgjedhjeve të 2009-s, ka mbajtur një qëndrim pasiv ndaj veprimeve të Edi Ramës, ndërsa dy deputetët e tjerë, Braçe dhe Malaj, kanë qenë më aktivë. Braçe ka kërkuar javët e fundit kthimin e PS në Parlament, ndërsa Malaj, përmes një bashkëbisedimi me rininë dhe strukturat e PS në rrethe, kërkon hapjen dhe modernizimin e partisë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











