
Kreu socialist, Edi Rama, mblodhi dje tryezën e partive të Opozitës së Bashkuar. Qëllimi i kësaj tryeze ishte formalizimi i një bashkëbisedimi dhe bashkëpunimi në prag të reformës zgjedhore.Tre nga aleatët e PS-së, Skënder Gjinushi, Spartak Ngjela dhe Vangjel Dule, nuk morën pjesë edhe dje në këtë tryezë. I kontaktuar në telefon, Ngjela tha se “unë jam për nivele shumë të larta tryezash”, duke lënë të kuptohet se ka një pakënaqësi ndaj PS-së. Qëndrimet e tyre të ndryshme me kursin e ri të PS dhe përpjekjet për një bashkëpunim me maxhorancën për reformat integruese, por pas plotësimit të disa kërkesave të socialistëve, duket se po mbajnë larg disa nga aleatët. Gjinushi dhe Ngjela janë shprehur për pamundësinë e bërjes së reformave dhe kodeve me këtë maxhorancë, duke kërkuar vetëm largimin e saj. Ndërsa Dule ka qenë i paqartë për bashkëpunimin me PS për shkak të një kompromisi të pamundur deri dje për Këshillin e qarkut të Gjirokastrës. Koordinatori i tryezës së opozitës, Preç Zogaj, tha se mungesat në tryezë ishin për çështje personale. “Nuk kishte asnjë mungesë politike në tryezë. Natyrisht, do të kishim dashur që të ishin të pranishëm zoti Gjinushi dhe Dule, por ata janë jashtë Shqipërisë. Ata janë përfaqësuar me të tjerë. Pra, nuk ka mungesa politike në këtë tryezë. As e z. Ngjela nuk është mungesë politike”, u shpreh Zogaj. Takimi i djeshëm, që u zhvillua në ambientet e Partisë Demokristiane të Nard Ndokës, zgjati rreth dy orë, ndërsa Rama shoqërohej dhe nga dy negociatorët e PS, Hysi dhe Gjiknuri, që do të merren vesh me demokratët për nisjen e punës së Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Propozimet
Milo, Ndoka dhe Koçi kanë paraqitur pikëpamjet dhe propozimet e tyre për reformën zgjedhore, ku në radhë të parë ata kanë kërkuar që të përfaqësohen si parti në reformën zgjedhore. Në takim u ra dakord që të shihet mundësia ose e përfaqësimit të kryetarëve të partive joparlamentare në Komisionin për Reformën Zgjedhore, ose ata të jenë në rolin e vëzhguesit në këto negociata. Në përfundim të këtij takimi, koordinatori i tryezës opozitare njoftoi për ngritjen e një grupi pune që do të koordinojë negociatat mes partive opozitare dhe Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. “Partitë pjesëmarrëse në këtë tryezë ranë dakord që të punojnë si një subjekt i vetëm politik, megjithëse janë parti të ndryshme, në lidhje me reformën. Pra, opozita do të punojë si subjekt politik, unik, për reformën. Sot nuk do të flasim për sistemin, sepse ky është një proces. Ka filluar sot puna, është një proces që do të vazhdojë, por në të ardhmen do të flitet më konkretisht. U vendos të krijohet edhe një bërthamë, një grup pune, që do të mbajë komunikimin aktiv dhe gjallë me përfaqësuesit e PS në Parlament. Themelore është që opozita do të vazhdojë në këtë formë betejën e saj për zgjedhje të lira”, u shpreh Zogaj.
Ndoka
Paskal Milo, Nard Ndoka dhe Petro Koçi kërkojnë ndryshim të sistemit aktual zgjedhor. PDS kërkon sistem proporcional kombëtar ose korrektim të sistemit proporcional rajonal. Ndërsa kreu demokristian mësohet se është për një sistem proporcional rajonal me zona më të mëdha zgjedhore, për t’i dhënë një peshë specifike të barabartë votës së qytetarëve në të gjithë vendin. “Ne jemi për sistem proporcional rajonal jo me 12 qarqe, por me 6 qarqe të mëdha. Skema e 12 qarqeve për ne është antikushtetuese, sepse nuk krijon barazinë e votës së çdo qytetari nga njëri qark në tjetrin, por kemi dhe diskriminim të partive nga ky sistem, ku mijëra vota mbeten të pallogaritura. Mund të krijohet një model me 6 zona që të jenë të barabarta, si peshë specifike e votës”, është shprehur Ndoka. Për kreun e PDS-së, përbërja e komisioneve zgjedhore duhet të jetë jobipartizane dhe jopolitike, që nga KQZ-ja e deri te komisionet më të ulëta. Duke folur për mënyrën e votimit, kreu i PDS-së është shprehur për një votim elektronik. Edhe aleati tjetër i PS, Nard Ndoka, kërkon administrim jopolitik të zgjedhjeve, ndërsa shprehet se numërimi i votave duhet të bëhet në çdo qendër votimi. “Administrimi i zgjedhjet të bëhet jo me përfaqësues partiakë, por me gjykatës, punonjës civilë, duke parë dhe modele të tjera. Duhet të çlirohen nga zgjedhjet nga përfaqësuesit partiakë”, mësohet të jetë shprehur Ndoka, ndërsa propozon se në votim duhet të identifikohet çdo zgjedhës në mënyrë elektronike, përmes kartës së identitetit.
Grup pune për reformën zgjedhore
Tryeza e djeshme e Opozitës së Bashkuar ka vendosur ngritjen e një grupi pune, i cili do të shërbejë si një ndërmjetës mes dy negociatorëve të PS, Gjiknuri e Hysi, dhe partive të tryezës opozitare. Në këtë grup ata kanë propozuar Skënder Gjinushin, Nard Ndokën dhe Spartak Ngjelën për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me negociatorët e PS për të gjitha temat dhe çështjet që do të jenë në diskutim në Komisionin e posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, që do të zhvillohet, me sa duket, mes dy partive kryesore, PS dhe PD. Në pamundësi që të jenë pjesë e tryezës për reformën, aleatët e PS do të japin pëlqimin e tyre përmes këtij grupi pune.
Zogaj: Beteja për zgjedhje të lira
“Kryetarët e partive të koalicionit shfaqën mendimet e tyre për këtë reformë. Synimi i përbashkët i tryezës sonë, i koalicionit tonë, është që të shkohet drejt një kodi zgjedhor gjithëpërfshirës, ku të reflektohen maksimalisht mendimet dhe opsionet e partive të opozitës me qëllim që të ketë më shumë transparencë në zgjedhje, të maksimalizohet fuqia elektorale e gjithë subjekteve dhe ajo që është më e rëndësishme, të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo përfaqëson vazhdimin e betejës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, u shpreh koordinatori i tryezës opozitare.
Partitë e “Aleanca për të ardhmen”
Përveç Nard Ndokës, që ishte dje dhe i zoti i shtëpisë, në takim merrte pjesë dhe kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, kreu i PSV 91, Petro Koçi, kreu i G99-s, Ervin Mete, kreu i Partisë Socialiste të Moderuar, Gjergj Koja, Partia e Gjelbër me Edlir Petanaj, Kurt Kola nga ish-të përndjekurit politikë, si dhe koordinatori i tryezës opozitare, Preç Zogaj. Kjo është hera e parë pas zgjedhjeve vendore të 8 majit që mblidhen disa nga partitë e koalicionit zgjedhor “Aleanca për të ardhmen”. Në takimet e mëparshme, Rama ka zhvilluar dreka pune në dy grupe me Milon, Koçin e Ndokën, e veçmas me Ngjelën dhe Gjinushin.
Tryeza
Tryeza e djeshme e Opozitës së Bashkuar u mblodh në zyrat e Partisë Demokristiane të Nard Ndokës, përballë me Torre Drinin. Është hera e parë që një mbledhje e Opozitës së Bashkuar bëhet në selinë e një partie të spektrit të djathtë. Duket se Rama po ndjek mundësinë e një rotacioni në mbledhjet e tryezës së opozitës. Deri para zgjedhjeve lokale të 8 majit, opozita institucionalizoi selinë e G99-s si vendin ku do të mblidhej vazhdimisht kjo tryezë, ndërsa koordinator u caktua Ndre Legisi. Pritet që mbledhjet e ardhshme të zhvillohen në selitë e partive të tjera.
Opozita në mbështetje të grevës së minatorëve
Në mbledhjen e djeshme të tryezës opozitare, krerët e partive janë angazhuar për një mbështetje të hapur për grevën dhe problematikën e minatorëve të Bulqizës. Koordinatori i Opozitës së Bashkuar, Zogaj, tha pas takimit se “problemi dytë ka të bëjë me shqetësimet e mëdha, me gjendjen e tmerrshme që po krijohet në Bulqizë nga greva e urisë së minatorëve dhe për këtë, përfaqësues të partive opozitare do të jenë në kontakt me këtë grevë, me minatorët, për të mbështetur dhe për të kërkuar një zgjidhje definitive, që i jep fund kësaj drame pa mbarim në Bulqizë”. Pas interpelancës parlamentare me ministrin e METE-s, socialistët kanë dalë në krah të minatorëve dhe grevës së tyre 3-mujore, e cila nuk po gjen zgjidhje.
Statusi kandidat, Bushati e Beja nuk presin surpriza
Maxhoranca dhe opozita duket se janë realiste për kohën e kufizuar për marrjen e ftesës së vendit kandidat në BE. Fatos Beja, kryetar i Komisionit të Jashtëm dhe Ditmir Bushati nga Komisioni i Integrimit, deklarojnë se muaji i mbetur nga progres-raporti i radhës nuk mund të përbëjë kthesën në favorin tonë. “Personalisht nuk pres surpriza. Pres një fotografim të realitetit shqiptar, ashtu siç është, një diagnostikim shumë të kthjellët, siç e bën gjithmonë Komisioni Europian dhe pres gjithashtu edhe përcaktimin e një udhërrëfyesi të qartë se ku duhet të ecë politika shqiptare, cilat duhet të jenë detyrat e saj, sepse Shqipëria ka humbur shumë dhe them se jemi vonë edhe për vitin tjetër dhe duhet të fillojmë të punojmë në mënyrë shumë sistematike”, tha Bushati. “Kur dëgjova deklaratën e trishtueshme të liderit të opozitës që Parlamenti merret me rrumpalla draft-ligje dhe se nuk do të votojmë ligje me 3/5, atëherë kuptohet që jemi në situatën e bllokimit me dashje, me dëshirë të procesit normal të Parlamentit, atëherë, sigurisht që nuk mund të ecësh përpara dhe nuk mund të jesh i suksesshëm”, tha Beja. Por, dy deputetët i gjejnë arsyet e një refuzimi të mundshëm edhe këtë vit te forca kundërshtare. “Gjithsesi, teknikisht është mundësia qysh këtë javë që ne të futemi në proces votimi të atyre gjërave që ndihmojnë integrimin e Shqipërisë”, u shpreh Beja. “Nuk e pengon opozita qeverinë për t’u kthyer përgjigje pozitive kërkesave tona, si për reformën parlamentare, ashtu edhe për atë zgjedhore që burojnë nga këto 12 përparësi”, theksoi Bushati.
Aristir Lumezi
© Panorama.al











