Rama mbledh administratën e Bashkisë së Tiranës, Teliti: Grusht shteti! Zhulali: Miting që shkel parimin e ndarjes së pushteteve, punonjësit ta bojkotojnë

Feb 20, 2025 | 14:42

Këshilltarët bashkiakë të opozitës kanë dalë kundër kryeministrit Edi Rama, i cili pasditen e sotme (20 shkurt) mbledh në Sheshin Skënderbej administratën e Bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të Erion Veliajt.

zhulali-teliti

Përmes postimeve në rrjete sociale ata e kanë cilësuar “grusht shteti” dhe “shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve”.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, shprehet se “kryeministri ka kapur çdo pushtet”, duke thënë se “në vend që të zbatojë Kushtetutën  dhe të shkarkojë urgjentisht Veliajn, organizon miting me administratën e Bashkisë, duke e përdorur atë si me qenë ndonjë repart partie.”

Postimi i Telitit:

GRUSHT SHTETI NË QENDËR TË TIRANËS!

Grusht shteti institucional në mes të Tiranës!

Kryeministri që ka kapur çdo pushtet , tani vendos të vetëshpallet edhe kryetar bashkie , duke e kthyer shtetin totalisht në pronë private.

Në vend që të zbatojë Kushtetutën dhe të shkarkojë urgjentisht Veliaj dhe të lejojë zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për ti deleguar përkohësisht kompetencat zyrtarisht njërit prej nënkryetarëve të bashkisë, Rama organizon miting me administratën e Bashkisë, duke e përdorur atë si me qenë ndonjë repart partie.

 Pasi “e çoi me duart e tij” në burgun e Durrësit , tani Kryeministri po mundohet të dalë si “shpëtimtari” i kryeqytetit.

Kjo nuk është më as fasadë, por është autokraci e pastër!

Shqipëria ?? nuk mund të jetë peng i një njeriu!

Ndërsa nënkryetarja e grupit të këshilltarëve bashkiakë demokratë, Ilda Zhulali, shprehet se Rama po shkel parimet më themelore të demokracisë dhe të autonomisë së pushtetit vendor. Ajo u ka bërë thirrje punonjësve të bojkotojnë takimin.

Postimi:

Sot, Edi Rama po shkel parimet më themelore të demokracisë dhe të autonomisë së pushtetit vendor.

Organizimi i një mitingu të detyrueshëm për punonjësit e Bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të kryetarit Erion Veliaj, është një veprim i papranueshëm dhe arbitrar:

– Është shkelje e neneve 13, 45, 108, 109, të Kushtetutës dhe neneve 3, 4, 6, 22, 24 të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor.

– Është akt flagrant imponimi dhe kontrolli mbi pushtetin vendor të Tiranës.

– Është akt manipulimi dhe shtypjeje.

– Është shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve.

U bëj thirrje:

– Punonjësve të Bashkisë Tiranë të refuzojnë dhe bojkotojnë aktet e paligjshme dhe antikushtetuese të Edi Ramës.

– Presidentit të Republikës, të reagojë pa vonesë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

– OSBE, Këshillit të Europës, Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale, të dënojnë prerazi dhe pa vonesë shkeljen e parimeve të Kartës Europian për Autonominë Vendore, të shtetit të së drejtës dhe decentralizimit nga Kryeministri Rama.

© Panorama.al

Te lidhura