Kreu socialist, Edi Rama, tha dje se ka nisur konsultimet me një grup kostitucionalistësh për ndryshimet kushtetuese. Në një intervistë dhënë për “Top Channel”, Rama u shpreh kundër ndërhyrjeve të pjesshme në ligje të veçantë dhe ritheksoi vullnetin për një paketë të plotë kushtetuese ndryshimesh.“Kemi nisur një proces konsultimesh me ekspertë, konstitucionalistë dhe opinionistë për të analizuar dhe adresuar këtë domosdoshmëri, duke shprehur edhe publikisht vullnetin tonë, që të reflektojmë mbi gabimet që mund të jenë bërë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, gabime që nuk duhet t’i kushtojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por duhen korrigjuar edhe në funksion të përmbushjes së të gjitha atyre detyrimeve të shtruara qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Shqipërinë”, u shpreh Rama. Kreu socialist shprehu për herë të parë qëndrimin zyrtar të PS-së ndaj ftesës së kreut të Grupit demokrat, Astrit Patozi, për nisjen nga puna për reformën zgjedhore përmes një komisioni të posaçëm parlamentar. Sipas tij, vendi ka nevojë për reforma që tejkalojnë Kodin Zgjedhor. “Nuk bëhet fjalë për arna dhe nuk bëjmë asnjë lloj dialogu për të arnuar një ligj këtu e një ligj atje, por bëhet fjalë për një proces, i cili duhet të jetë serioz, i denjë për një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, i garantuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe me fokus ringritjen e shtetit të rënë të së drejtës”, u shpreh Rama. Dialogu dhe reformat sipas kryesocialistit mund të kryhen vetëm nëse reflektohet mbi atë që ndodhi në zgjedhjet vendore të 8 majit, gjë që Rama e kërkon të evidentohet dhe nga partnerët ndërkombëtarë. “Jo se kjo do të ndryshonte gjësend në rezultatin e një grabitjeje të vulosur me vendim gjykate, por pa asnjë dyshim do të krijonte bazën për të hapur një proces serioz reformimi të thellë kushtetues, ligjor, institucional dhe njëkohësisht implementimi të asaj që ligjërohet”, u shpreh Rama.
Duke folur për kursin e ri opozitar që vetë ai ka premtuar se do të nisë në shtator, Rama u shpreh se do të jetë e vetmja alternativë që do të përmbushë aspiratën europiane të vendit. “Ne i fituam zgjedhjet e 8 majit si një rezistencë opozitare, zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojmë si një alternativë qeverisëse. Pyetja që me të drejtë bëjnë të gjithë shqiptarët është, kush jemi ne, Partia Socialiste dhe opozita, pse dhe si ne do ta garantojmë këtë ndryshim. Ne ju sigurojmë se kjo pyetje do të marrë përgjigjen që meriton dhe Shqipëria do të kthehet më shpejt se vonë në rrugën e aspiratës së saj të madhe europiane”, u shpreh kryesocialisti. Partia Socialiste përmes kreut të saj ka shprehur gatishmëri për t’u angazhuar në një proces reformash që duhet të nisin me Kushtetutën, reformën parlamentare dhe reformën zgjedhore. Por, nisur nga eksperiencat e mëparshme të bashkëpunimit me maxhorancën, Rama ka kërkuar garanci nga faktori ndërkombëtar, i cili sipas tij duhet të monitorojë nga afër këtë proces. Vetëm pak ditë më parë, dy përfaqësuesit e lartë të BE-së, baronesha Kathrin Ashton, dhe Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, përmes një deklarate të përbashkët për Shqipërinë kërkuan nisjen e dialogut politik mes palëve. “Tani që Kolegji Zgjedhor ka përfunduar detyrën e tij, është koha që forcat politike në Shqipëri të kapërcejnë bllokimin politik dhe dialogu politik të kthehet në një nivel që do të lejonte funksionimin e duhur të institucioneve kryesore demokratike, sidomos Parlamentit”, thuhet në deklaratën e përbashkët Ashton-Fyle.











