Kreu i Grupit të PD Gazment Bardhi, ka komentuar reagimin e kryeministrit Edi Rama në lidhje me protestën e opozitës ditën e djeshme, 10 shkurt, para kryeministrisë, ndërsa është shprehur se kreu i qeverisë, sipas tij, ka frikë se opozita nuk zmbrapset.
“Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset”, shkruan Bardhi.
Ai u ndal edhe tek përplasjet e demokratëve me policinë në protestë, ndërsa thekon se “vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotësjellës, as me shkopinj gome”.
Bardhi shton se protestat e opozitës do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin. “Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron”, shkruan ai.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Edi Rama sot foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë. Qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku. Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit.
Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset.
Është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin. Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotësjellës, as me shkopinj gome.
Protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin.
Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron.
© Panorama.al












