Rama i quajti si “fashistë” e “iranianë”, 123 akademikë shqiptarë nëpër botë mbështesin protestuesit: Rinia zgjoi trurin shqiptar nga apatia për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Jun 17, 2026 | 15:30

Në një kohë që Kryeministri Edi Rama i ka quajtur protestuesit si “fashist” apo “iranianë”, një grup prej 123 akademikësh dhe kërkuesish shkencorë shqiptarë që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të botës kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për protestat qytetare që po zhvillohen në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një reagim legjitim ndaj dështimeve të zgjatura politike dhe institucionale.

Akademiket firmat mbeshtetja protesta

Në një deklaratë të përbashkët, ata vlerësojnë veçanërisht rolin e të rinjve, të cilët sipas tyre kanë zgjuar shoqërinë shqiptare nga apatia dhe kanë rikthyer në qendër të debatit publik kërkesën për një Shqipëri të re, të ndërtuar mbi përgjegjshmëri, meritokraci, drejtësi dhe institucione në shërbim të qytetarëve.

Akademikët argumentojnë se kriza që po përjeton vendi reflektohet edhe në gjendjen e arsimit, shkencës dhe inovacionit, sektorë që sipas tyre janë lënë prej vitesh jashtë prioriteteve të zhvillimit. Për këtë arsye, ata shprehen se protestat nuk përfaqësojnë vetëm një pakënaqësi të momentit, por një kërkesë më të gjerë për ndryshim politik dhe institucional, si kusht për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin.

 DEKLARATA E PLOTE

Ne, një grup akademikësh shqiptarë jashtë vendit, shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë të plotë me protestat paqësore qytetare në Shqipëri dhe me kërkesat e tyre legjitime për një Shqipëri të re, të qeverisur me përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi, me institucione që u shërbejnë qytetarëve, jo pushtetit.

Besojmë se shumë nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot janë rezultat i dështimeve të përsëritura politike dhe institucionale, të cilat për shumë vite kanë dobësuar besimin e qytetarëve te shteti, te drejtësia dhe te mundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.

Për këtë arsye, protestat e sotme nuk janë thjesht një reagim ndaj një situate të momentit, por shprehje e një lodhjeje të thellë shoqërore me modele qeverisjeje që nuk kanë vepruar në funksion të së mirës së përbashkët. Ne e shohim këtë krizë edhe përmes gjendjes së arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri. Politikat e ndjekura ndër dekada nuk i kanë vendosur këta sektorë dhe kapitalin njerëzor në qendër të zhvillimit të vendit. Përkundrazi, ato kanë toleruar nën financimin, mungesën e meritokracisë, dobësimin e integritetit akademik, lidhjet klienteliste dhe mungesën e një vizioni afatgjatë për dijen si interes kombëtar. Pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz, pa inovacion dhe pa meritokraci, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese apo institucione të forta demokratike.

Një shoqëri nuk mund të ecë përpara duke nënvlerësuar dijen, duke dobësuar universitetet, duke larguar të rinjtë si dhe duke trajtuar aftësinë, kompetencën dhe punën e ndershme si vlera dytësore. Për këtë arsye, gjendja e arsimit, shkencës dhe inovacionit nuk është një çështje sektoriale, por një tregues i drejtpërdrejtë i dështimit të modelit qeverisës të deritanishëm.

Mungesa e financimit të qëndrueshëm, ndërhyrjet politike, autonomia universitare e brishtë, standardet e dobëta dhe mungesa e lidhjes me zhvillimin ekonomik janë pjesë e së njëjtës krize që sot qytetarët po e kundërshtojnë me të drejtë në rrugë. Shqipëria po humbet prej vitesh një pjesë të konsiderueshme të të rinjve dhe profesionistëve të saj të kualifikuar. Për të ndryshuar këtë realitet, duhet të rikthehet besimi se dija, puna dhe merita vlerësohen dhe krijojnë mundësi reale për të ardhmen.

Si akademikë dhe kërkues shqiptarë jashtë vendit, shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar me ekspertizë dhe përvojë në një të ardhme ku një Shqipëri e re ndërton institucione serioze në shërbim të interesit publik dhe u jep arsimit, shkencës dhe inovacionit vendin që meritojnë. Por ky kontribut nuk mund të shkëputet nga nevoja për ndryshim të thellë politik dhe institucional, të kërkuar sot me të drejtë nga qytetarët protestues që çdo ditë demonstrojnë se një Shqipëri e re është e mundshme. E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa dije.

Një vend që nuk vlerëson arsimin, shkencën, inovacionin dhe kapitalin e vet njerëzor dobëson vetveten. Një Shqipëri e re kërkon jo vetëm ndryshim politik, por edhe shkëputje të qartë nga dështimet shumëvjeçare që e kanë mbajtur vendin larg potencialit të tij.


NËNSHKRUESIT
Kjo deklaratë mbështetet dhe nënshkruhet nga akademikët dhe kërkuesit e mëposhtëm shqiptarë të diasporës:
akademiket qe firmosen

akademiket qe firmosen1

akademiket qe firmosen2

© Panorama.al

Te lidhura