Kreu i grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha sot nga konferenca për mediat (2 mars), se ditën që do mbahet seanca për kërkesën e SPAK që do heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, opozita do të zhvillojë protestë para institucionit ligjvënës.
Ai informoi edhe për strategjinë e opozitës, duke shndërruar zonën përreth parlamentit si bunker me protestues që nuk do ndalen nëse nuk i hiqet imuniteti zv/kryeministres së pezulluar dhe shkarkuar për abuzime me detyrën dhe aferat tenderuese.
Bardhi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke theksuar se kryeministri Edi Rama po mbron veten nëpërmjet Belinda Ballukut dhe shkarkimi i saj ishte i detyruar pasi humbi betejën në Gjykatën Kushtetuese.
“Shkarkimi i Ballukut është rrjedhojë e dështimit të Edi Ramës në Gjykatën Kushtetuese me vendimin. Kishte dy muaj që Rama e mbronte dhe ne e denonconim, por dështimi me vendimin e Kushtetueses solli edhe shkarkimin. Rama e kemi thënë, nuk mbron Ballukun, por po mbron veten e tij dhe kjo faktohet edhe nga përgjimet që Prokuroria ka sjell në Kuvend. Por gjithashtu është edhe peng i Ballukut ndaj edhe po e mbron në përballjen me drejtësinë”, u shpreh ai.
Po nëse Kuvendi nuk ia heq imunitetin zv/kryeministres së shkarkuar?
Bardhi tha se ky do ishte momenti më i rëndë në historinë 35-vjeçare të parlamentarizmit dhe paralajmëroi protestë ditën e seancës.
“Ky do ishte momenti më i rëndë në 35 vite demokraci që vë seriozisht në pikëpyetje ekzistencën e një shteti ligjor në Shqipëri. Ditën që Kuvendi do vendosë për imunitetin e Belinda Ballukut, PD do thërrasë një protestë para Kuvendit të Shqipërisë. Nëse ka një skenar ku mazhoranca do bëhet bunker i imunitetit të Ballukut atëherë edhe opozita do e trajtojë dhe do e kthejë atë në një bunker. Pra ditën që do mbahet seanca për imunitetin, qytetarët janë të ftuar të protestojnë para Parlamentit. Opozita e ka kërkuar që në dhjetor heqjen e imunitetit dhe duhet të ishte bërë që atëherë. Seanca e radhës e parashikuar për këtë është ajo e 12 marsit të këtij viti”, vijoi deputeti opozitar.
Sipas kreut të grupit të PD, edhe pse u shkarkua, balluku nuk ka ikur në të vërtetë, pasi zgjodhi pasardhësin që e kontrollon dhe do vijojë të intimidojë dëshmitarët dhe prishë provat, ndaj edhe SPAK ka të drejtë me provat që disponon, të kërkojë arrestimin e saj.
“Balluku vendosi pasardhësin e saj në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kjo vërteton ato që thotë Prokuroria se po prish prova dhe intimidon dëshmitarët, sepse nëpërmjet këtij emërimi ajo kontrollon dhe dikton pasardhësin e saj, po me qëllim prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve”, përfundoi Bardhi.
© Panorama.al












