Rama: Do marrim lidershipin për integrimin në Parlament

Sep 6, 2011 | 10:41
Rama dje në mbledhjen e grupit parlamentar

Kreu socialist, Edi Rama, bëri publik dje kursin e ri politik të PS në Parlament, duke zyrtarizuar dhënien fund të bojkotit dyvjeçar.Duke folur para deputetëve socialistë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Rama artikuloi të gjitha detyrimet që socialistët do të përmbushin në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar. “Siç është vendosur prej kohësh dhe konfirmuar në mbledhjen e Asamblesë tonë Kombëtare, ne sot do të jemi në Kuvendin e Shqipërisë. Do të marrim pjesë edhe në çdo proces votimi për të mbajtur jo vetëm me fjalë, po edhe me votë qëndrimet tona në koherencë të plotë me programin e partisë dhe vendimmarrjen e Grupit”, u shpreh Rama. Ashtu si dhe nisjen e bojkotit dy vjet më parë, Rama u shprehu deputetëve socialistë arsyet pse ata duhet të jenë në Kuvend. “Shqipëria po i afrohet një tjetër dështimi të rëndë pas atij të afro një viti më parë, kur u refuzua nga Bashkimi Europian kërkesa për statusin e kandidatit. Ne duhet të bëjmë çmos, çdo gjë që kemi në dorë, që ky refuzim të mos përsëritet në tetor, edhe pse shanset janë minimale për shkak të të gjitha atyre plagëve të mëdha që Komisioni Europian ka diagnostikuar saktësisht, duke vendosur 12 prioritetet e axhendës politike të Shqipërisë për të hapur derën e mbyllur të Europës. Puna e Grupit tonë Parlamentar do të fokusohet me ngulm tek ato 12 prioritete. Ne do të marrim lidershipin politik të vendit në çështjen kombëtare të integrimit europian dhe do të jemi më shumë se kurrë partia e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë Europiane”, u shpreh Rama.
Por, kryesocialisti tha dje se mospranimi nga ana e maxhoranacës për të bërë ndryshimet kushtetuese nuk do të bllokojë angazhimin e opozitës në Kuvend. “Kushtetuta s’ndërrohet me pahir dhe ne s’ia lidhim duart vetes duke kushtëzuar aksionin tonë politik me ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë”, u shpreh Rama.
Apeli
Kryesocialisti, duke sjellë në vëmendje publikimet e fundit të WikiLeaks-it, i kërkoi prokurores së Përgjithshme të nisë hetimet ndaj akuzave për personat e veshur me imunitet. “Është dita për ta përsëritur edhe njëherë apelin e opozitës për prokuroren e Përgjithshme që të bëjë detyrën e saj, të mos lejojë vënien e kapakut të drejtësisë mbi krimet shtetërore, korrupsionin qeveritar, abuzimet e kujtdo qoftë, jo vetëm djathtas, por edhe majtas, për gjëma të reja e bëma të vjetra, me Kushtetutën, ligjin dhe popullin që përfaqëson”, u shpreh Rama. Gjithashtu, kreu i selisë rozë i kërkoi dhe Presidentit të Republikës të ushtrojë kompetencat e tij në mbrojtje të Kushtetutës. “E falënderoj Presidentin e Republikës për mesazhin e djeshëm drejtuar të gjitha partive parlamentare dhe duke e siguruar për vetëdijen tonë të plotë kombëtare e qytetare në këtë udhëkryq dramatik për vendin, si edhe për angazhimin tonë pa rezerva për një proces demokratik të mbështetur nga të gjitha forcat përparimtare në këtë vend, i bëj përsëri thirrje të mos mjaftohet me kaq. Sot populli shqiptar është peng i shtetit të zhytur në llumin e pushtetit, i gjykatave të vëna në shërbim të interesave personale, familjare e klanore të Saliut, i pasojave të tmerrshme ekonomike e sociale që prodhon përditë babëzia e kësaj qeverie. Prandaj të gjithë presim nga Presidenti i Republikës t’i dalë në mbrojtje pa rezerva Kushtetutës e popullit të vet, si garanti i ligjit themeltar të shtetit dhe i unitetit kombëtar të cenuar nga politika barbare e dasisë dhe e grabitjes së votës, pronës, parave të popullit”, u shpreh Rama.
Votimi
Kryesocialisti sqaroi dje se vota e deputetëve socialistë në Kuvend do të kërkojë dhe disa garanci që lidhen me mirëfunksionimin e Kuvendit. “Saliu e Sashenka e Kuvendit duhet ta harrojnë se mund ta kompleksojnë opozitën duke e fajësuar për ligjet e pamiratuara që kërkojnë 3/5 e votave të deputetëve. Ne nuk do të votojmë në asnjë rast për arnime e makiazhe që bëhen për t’i hedhur hi syve Brukselit. Do ta japim votën tonë vetëm kur procesi shtetndërtues përmes këtyre ligjeve të vihet në binarët që kërkon një vizion kombëtar e jopartiak, për funksionimin e shtetit dhe kur i gjithë procesi ligjvënës në tërësi të jetë në shërbim të forcimit të kushtetutshmërisë e të modernizimit real të shtetit, dhe kjo duhet të fillojë nga rikthimi i jetës së Kuvendit të Shqipërisë, te normat e bashkëjetesës parlamentare që përcaktohen prej një rregulloreje konsensuale, konform standardeve europiane të funksionimit të Parlamentit”, u shpreh Rama. Duke folur për domosdoshmërinë e reformës zgjedhore, Rama kërkoi përfshirjen në të dhe të faktorit ndërkombëtar. “Ne do të bëjmë çdo përpjekje që reforma e Kodit Zgjedhor të garantojë një votim të lirë e të ndershëm dhe një administratë zgjedhore të pakontrolluar nga Saliu. Përfshirja e ekspertëve të OSBE/ODHIR-it dhe opinioni i arbitrit ndërkombëtar të zgjedhjeve e i Komisionit të Venecias në këtë proces, janë për ne kusht i patjetërsueshëm për një reformë të thellë, të drejtë e të barabartë për të gjitha palët.

Ruçi: Përgatituni për interpelanca me ministrat

Pas fjalës së gjatë të Edi Ramës, kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, u kërkoi deputetëve të përgatiten për një opozitë të fortë në Parlament. Ruçi u ka kërkuar përgatitjen e planeve të punës deputetëve, sipas ndarjes së tyre në komisionet parlamentare dhe angazhim intensiv për të skanuar çdo ligj të miratuar nga maxhoranca deri në këtë kohë. Gjithashtu, Ruçi ka kërkuar nga ekspertët ligjorë të PS që të rimarrin ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, shumica e të cilave kanë mbi tre vjet që presin miratim, për të bërë rregullimet dhe mendimet e nevojshme. Kreu i Grupit Parlamentar u kërkoi në veçanti deputetëve që të përgatisin interpelanca me ministrat e linjës për çdo komision parlamentar për të evidentuar kryesisht përmes tyre aferat korruptive duke iu referuar dhe konkluzioneve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por edhe denoncimeve të bëra në media. Ndryshe nga mbledhjet e tjera të Grupit Parlamentar socialist, nuk ka pasur asnjë diskutim në mbledhjen që shënonte zyrtarisht mbylljen e bojkotit dhe nisjen e jetës normale parlamentare. I pranishëm në mbledhje ishte dhe deputeti Andis Harasani, një nga kritikët e bojkotit të Grupit Parlamentar socialist, ndërsa mungonin disa deputetë. Kastriot Islami dhe Pandeli Majko ndodhen jashtë shtetit, pjesë e një delegacioni parlamentar. Ra gjithashtu në sy mungesa e deputetit Ben Blushi, i cili ishte prezent në seancën e pasdites.

Kursi i ri i PS

. Do të marrim pjesë në çdo proces votimi për të mbajtur jo vetëm me fjalë, po edhe me votë qëndrimet tona në koherencë të plotë me programin e partisë dhe vendimmarrjen e Grupit.

. Puna e Grupit tonë Parlamentar do të fokusohet me ngulm te 12 prioritetet e BE-së. Ne do të marrim lidershipin politik të vendit në çështjen kombëtare të integrimit europian.

. Grupi Parlamentar nuk do të mjaftohet më me vënien e gishtit në plagët e panumërta të vendit, por do të bëhet nismëtar aktiv i hapave që Parlamenti duhet të ndërmarrë për t’i lehtësuar ato plagë.

. Apel prokurores së Përgjithshme që të bëjë detyrën e saj, të mos lejojë vënien e kapakut të drejtësisë mbi krimet shtetërore, korrupsionin qeveritar, abuzimet e kujtdo qoftë, jo vetëm djathtas, por edhe majtas, për gjëma të reja e bëma të vjetra.

. Presim nga Presidenti i Republikës t’i dalë në mbrojtje pa rezerva Kushtetutës e popullit të vet, si garanti i ligjit themeltar të shtetit dhe i unitetit kombëtar të cenuar nga politika barbare e dasisë dhe e grabitjes së votës, pronës, parave të popullit.

. Do të bëjmë çdo përpjekje që reforma e Kodit Zgjedhor të garantojë një votim të lirë e të ndershëm dhe një administratë zgjedhore të pakontrolluar nga Saliu.

. Përfshirja e ekspertëve të OSBE/ODHIR-it dhe opinioni i arbitrit ndërkombëtar të zgjedhjeve e i Komisionit të Venecias në këtë proces, janë për ne kusht i patjetërsueshëm për një reformë të thellë, të drejtë e të barabartë për të gjitha palët.

. Do ta japim votën tonë vetëm kur procesi shtetndërtues përmes këtyre ligjeve të vihet në binarët që kërkon një vizion kombëtar e jopartiak, për funksionimin e shtetit, kur të jenë përcaktuar normat e bashkëjetesës parlamentare që përcaktohen prej një rregulloreje konsensuale, konform standardeve europiane.

Kushtetuta s’ndërrohet me pahir dhe ne s’ia lidhim duart vetes duke kushtëzuar aksionin tonë politik me ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë.

. Parlamenti është vendi ku ne do të bëhemi avokati i lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Deri në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura