“Rajonet të ndahen sipas modelit të BE” – Territorialja, Berisha ironizon Ramën: Kërkon të rikthejë Komitetin qendror në partinë e krimit! Po shpik çdo gjë për të mbijetuar, në mbledhjen e fundit…

Mar 31, 2026 | 12:18

Në takimin e Partisë Demokratike për Reformën Territoriale, kryetari Sali Berisha ironizoi kryeministrin Edi Rama në lidhje me mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të PS-së, që u mbajt ditën e shtunë.

Kryedemokrati theksoi se Rama kërkon që të rikthejë Komitetet qendrore në partinë e tij të krimit. Sipas tij, ai po përpiqet që të shpikë çdo gjë për të “mbijetuar” politikisht, ndërsa shtoi se e ka të kotë pasi është në “kohërat e fundit”.

Berisha po ashtu u shpreh, se në kuadër të propozimeve të tyre të reformës territoriale, PD kërkon që rajonet e vendit të ndahen sipas modelit të vendeve të BE.

Të bëjmë një përpjekje të madhe për një hartë që duhet të bazohet në kritere shkencore, demografike, territoriale dhe të ketë dy parime themelore, shërbimet ndaj qytetarit dhe zhvillimin e vendit. Zvicra paguan fshatarët për të qëndruar në zonat ku janë me një kontratë rigoroze për shërbimin shëndetësor. Me reformën tonë, do të kemi parasysh këto kritere. Ky merr masa që të largohen. Së dyti, rajonet.

Ky e ka mendjen te komitetet ekzekutive, do me i kthyer. Ky tani, i zhveshur nga çdo lloj njohurie për qeverisjen përveç atyre që ka trashëguar nga etërit e tij, në mbledhjen e fundit të asamblesë së krimit, tema ishte raporton ministrja e parlamentit. U kthye Komiteti qendror. Nuk mbaj mend, në Byro politike po, por nuk di nëse në komitetin qendror të partisë së krimit raportojnë ministrat apo jo. Po është në kohërat e fundit dhe përpiqet të shpikë çdo mënyrë për të mbijetuar.

Ne nuk kemi punë me komitetet ekzekutive, por ne jemi për të zbatuar të gjithë të drejtat kushtetuese të qeverive vendore. Decentralizimi dhe dekoncentrimi. Keni për të parë se përsëri, të gjithë pushtetin, do ta ketë në një dorë dhe të gjitha agjencitë pas kadastrës, do të mblidhen në Tiranë, dhe do të dërgojë Diellën. Ndaj edhe ne i qëndrojmë rajoneve të ngritura sipas modelit të vendeve anëtare të BE. Janë të domosdoshme, duhet të jenë në të gjithë kapacitetet për t’iu përgjigjur Evropës së rajoneve.”, u shpreh Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura