NATO po përshtatet me mjedisin e sigurisë në ndryshim të vazhdueshëm dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të largohen nga aleanca, tha Ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, për ‘Reuters’, në një intervistë përpara një samiti në Ankara, më 7-8 korrik.
Turqia do të presë udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe zyrtarë nga vendet e Gjirit dhe Azi-Paqësorit, në një kohë kur aleanca po përpiqet të menaxhojë mosmarrëveshjet mbi ndarjen e barrës së mbrojtjes, shpenzimet e mbrojtjes dhe presionin e SHBA-së mbi aleatët që të jenë më të përfshirë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Në përgjigjet e tij me shkrim, Guler tha se axhenda e samitit do të përfshijë unitetin e Aleancës, vlerësimin e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes të shteteve anëtare, forcimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, si dhe mbështetje të mëtejshme për Ukrainën.
Në të njëjtën kohë, ai argumentoi se Turqia duhet të marrë pjesë aktive në nismat evropiane të mbrojtjes.
“NATO vazhdon të jetë një platformë unike dhe themelore për sigurinë dhe mbrojtjen euroatlantike. Ne nuk e konsiderojmë se jemi në një periudhë krize, por në një proces përshtatjeje ndaj mjedisit të sigurisë në ndryshim”, tha ai.
Ministri turk vlerësoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë tërheqjen e tyre nga NATO, por po u kërkojnë aleatëve të tyre evropianë dhe Kanadasë të marrin një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë e Evropës.
Siç vuri në dukje ai, arkitektura evropiane e mbrojtjes duhet të përfshijë Turqinë në planifikimin dhe iniciativat e saj përkatëse.
© Panorama.al












