Prej gati tre orësh vijon protesta jashtë Kuvendit ka qenë intensive, teksa qytetarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Rama, teksa paralelisht mbahet seanca plenare.
Nuk kanë munguar edhe thirrjet për deputetët dhe ministrat që dilnin nga godina, deri gjuajtja me vezë dhe ndjekja e tyre nga pas, si rasti i Tërmet Peçit.
Dhe në këtë situatë Policia është përpjekur të shtyjë protestuesit apo t’i largojë me forcë. Siç shihet nga pamjet, protestuesit kanë hedhur vezë edhe ndaj një ‘Audi’ qeveritar.
Në këto rrethana tensioni dhe revolte qytetare me thirrjet “Rama dorëhiqu”, “parlament i krimit”, “Arresto Ballukun”, “Revolucion”, “Parlament analfabet”, “Hajdutë” etj., është dashur ardhja e forcave shtesë të policisë.
Trupa FNSH me skafandra dhe pajisje të tjera mbrojtëse dhe sulmuese janë rreshtuar para parlamentit për të mbrojtur godinën dhe deputetët.
Mes thirrjeve, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij.
Momente më pas situata është tensionuar edhe më shumë, teksa Policia ka ushtruar forcën e saj duke larguar protestuesit në distancë nga hyrja e Kuvendit.
Me disa kordonë të përzier forcash, mes tyre të Rendit, patrullave dhe FNSH-ve, janë krijuar skuadra mbrojtëse në rrethimin e të gjithë territorit të Kuvendit dhe deri në rrugën kryesore.
Protestuesit janë mbajtur në distancë nga hyrja dhe përtej rrugës, duke mos i lejuar t’i afrohen Kuvendit në kohën që kalonin deputetët dhe makinat e tyre.
© Panorama.al





















