
Flet deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku
“Topi ia mbylli vetë derën rikthimit në PD me ato gjëra të shëmtuara që ka bërë”
Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, shikon Jozefina Topallin si Presidente të vendit nga muaji korrik, kur Parlamenti të zgjedhë kreun e ri të shtetit. Ndërsa për Kryeministrin Berisha ajo thotë se duhet të vazhdojë të drejtojë qeverinë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, aktorja e njohur shprehet se duhet të jetë shumica ajo që do të propozojë dhe të zgjedhë kreun e ri të shtetit, pasi qytetarët ia kanë besuar asaj këtë çështje.
“Një President është një figurë që në momente të caktuara duhet ta thotë fjalën e tij fuqishëm, duhet të jetë një personalitet i këtij vendi, duhet të jetë në çdo moment dhe në çdo kohë. I takon maxhorancës ta zgjedhë Presidentin, sepse është forca që udhëheq dhe që ka fituar zgjedhjet. Nga kjo forcë që udhëheq aktualisht, ka njerëz që do ta bëjnë shumë më mirë këtë punë”, thotë Bulku. Lidhur me diskutimet që kanë lindur brenda maxhorancës se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm, deputetja demokrate, duke folur për Berishën dhe Topallin, thotë: “Berishën do të doja ta shikoja akoma Kryeministër, sepse është njeri shumë këmbëngulës dhe me shumë iniciativë. Unë do të doja ta shikoja Kryeministër për vetë pozicionin, për vetë ngarkesën dhe për specifikën e Kryeministrit. Zonja Topalli do të ishte një figurë e mrekullueshme. Deri tani nuk kemi pasur ndonjë femër dhe do të ishte shumë bukur. Ajo vjen nga një karrierë politike shumë e njohur dhe shumë e suksesshme. Këto dy figura janë të përsosura, por mendoj se zoti Berisha është njeriu që duhet të punojë dhe të kontribuojë më fuqishëm, ashtu siç është edhe vetë pozicioni i Kryeministrit në qeveri”. Sa u takon ndryshimeve në qeveri, Bulku thekson se ato nuk janë të nevojshme, pasi maxhoranca ka përballuar me sukses shumë vështirësi gjatë këtyre viteve dhe është e gatshme të kërkojë një mandat të tretë qeverisës.
Zonja Bulku, ditët e fundit klasa politike është përfshirë në debatin e zgjedhjes së Presidentit. Maxhoranca ka deklaruar se do ta zgjedhë ajo kreun e shtetit në muajin korrik, ndërsa ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për një zgjedhje konsensuale. Në gjykimin tuaj, a duhet që shumica të tentojë zgjedhjen e tij brenda tri raundeve të para?

Më duket se me eksperiencën e Presidentit aktual nuk është aq e thjeshtë për të menduar në mënyrë personale, se sa mirë do të ishte një mënyrë apo një tjetër. Për të zgjedhur një President, është një përgjegjësi shumë e madhe. Një President është një figurë që në momente të caktuara duhet ta thotë fjalën e tij fuqishëm, duhet të jetë një personalitet i këtij vendi, duhet të jetë në çdo moment dhe në çdo kohë. I takon maxhorancës ta zgjedhë Presidentin, sepse është forca që udhëheq dhe që ka fituar zgjedhjet. Nga kjo forcë që udhëheq aktualisht, ka njerëz që do ta bëjnë shumë më mirë këtë punë.
Brenda Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka pasur zëra të shumtë, që kanë folur për emrin e Presidentit të ri. Disa prej tyre kanë artikuluar emrin e Kryeministrit Berisha, por ka pasur edhe deputetë që janë shprehur për zonjën Topalli. Kë shikoni ju më afër këtij pozicioni?
Këta dy emra që përmendët ju, pa dyshim që do të ishin Presidentë të nderuar. Ata janë figura tashmë të sprovuara në politikë për zotësinë e tyre. Por absolutisht që mund të jetë kushdo. Berishën do të doja ta shikoja akoma Kryeministër, sepse është njeri shumë këmbëngulës dhe me shumë iniciativë. Unë do të doja ta shikoja Kryeministër për vetë pozicionin, për vetë ngarkesën dhe për specifikën e Kryeministrit. Zonja Topalli do të ishte një figurë e mrekullueshme. Deri tani nuk kemi pasur ndonjë femër dhe do të ishte shumë bukur. Ajo vjen nga një karrierë politike shumë e njohur dhe shumë e suksesshme. Këto dy figura janë të përsosura, por mendoj se zoti Berisha është njeriu që duhet të punojë dhe të kontribuojë më fuqishëm, ashtu siç është edhe vetë pozicioni i Kryeministrit në qeveri.
Gjatë këtyre ditëve është folur gjithashtu edhe për lëvizjet e mundshme në qeveri. E shikoni këtë kabinet qeveritar që ka aktualisht maxhoranca të aftë dhe të besueshëm të kërkojë një mandat tjetër në vitin 2013?
Për mua është një kabinet i aftë, është i suksesshëm, ka përballuar sfida të mëdha. Vitet që kanë kaluar, nuk kanë qenë të kollajshme, kanë pasur vështirësi të mëdha, përfshi këtu edhe problemin ekonomik që e kanë kaluar shumë vende. Nuk më duket e arsyeshme për të bërë ndryshime në qeveri. Është një qeveri që ka treguar fuqinë e vet dhe aftësinë e vet edhe në momente shumë të vështira që kemi kaluar ne.
Në zgjedhjet lokale u provua se Partia Demokratike ka më shumë elektoral në fshat sesa në qytet. Në shumë qytete të mëdha, PD-ja humbi. A është ky një moment për të bërë një analizë, në mënyrë që këto gabime të mos përsëriten në zgjedhjet e ardhshme?
Gabime mund të bëjë kushdo, por varet se sa të kushtojnë. Në momentin që ti fiton, ato nuk janë më gabime madhore. Në zgjedhjet e ardhshme ne me të gjithë punën dhe analizën, mendojmë se do të jemi shumë më mirë dhe do të fitojmë. Ne kemi treguar se masa e madhe e popullit, kudo që të jenë, na e jep votën neve.
Nëse në vitin 2005 PD-ja premtoi luftën kundër korrupsionit dhe në vitin 2009 u përqendrua te investimet në infrastrukturë, me çfarë motoje do të kërkoni ju një mandat të tretë në vitin 2013?
Unë nuk mendoj që është ulur hovi i luftës kundër korrupsionit, përkundrazi, ka qenë dhe është në çdo moment parësor. Nuk mohoj dot gjithashtu se sa i domosdoshëm dhe i fuqishëm për zhvillimin e Shqipërisë është ndërtimi i rrugëve. Kjo është ajo që nuk duhet të ndalet më. Kryeministri Berisha e ka kuptuar shumë mirë që pa këtë nuk ka asnjë lloj zhvillimi dhe kjo është ‘a’-ja e të gjithave dhe këtë po e bën fuqishëm e shumë shpejt. Nuk mendoj se edhe kjo është lënë pas dore.
Zonja Bulku, në vlerësimin tuaj, Presidenti Bamir Topi e ka të mbyllur derën në Partinë Demokratike?
Më duket se e mbylli vetë me ato pak gjëra të shëmtuara që ka bërë. Duke dalë nga ajo parti, duke qenë në një pozicion të respektuar, duke qenë edhe i respektuar shumë për t’u bërë President, nuk mendoj se Partia Demokratike apo zoti Berisha i bëri ndonjë të keqe Bamir Topit duke e bërë President. E shëmtuar në fakt ishte vota e 8 majit, që doli hapur. Ndonjëherë fati i keq të nxjerr shumë zbuluar dhe mendoj që ky ishte një moment i fatit të keq të tij. Ajo gjë nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Unë jam shprehur edhe kur ka ndodhur 21 janari, kur Presidenti ka heshtur dhe më pas e ka quajtur ‘ngjarje në bulevard’. Unë nuk do ta falja dot kurrë.
Ai ka paralajmëruar se do të krijonte një parti të re, e cila bazën e saj do ta ketë sigurisht te elektorati i djathtë. Mendoni se kjo parti do ta rrezikojë fitoren e zgjedhjeve vitin e ardhshëm?
Për trembje nuk bëhet fjalë, sepse kjo parti që mund të bëhet nesër, nuk erdhi si pasojë e një respektimi shumë të madh të kësaj figure. Erdhi duke e pasur paralelisht këtë figurë pak të degraduar, nga një njeri që doli nga një elektorat i djathtë, i votuar me shumë respekt dhe bindje dhe mënyra e devijimit ishte e shëmtuar. Nuk ishte e një politikani të zgjuar, nuk ishte e një Presidenti të zgjuar. Unë them se nuk është zgjuarsi edhe fakti që flitet për politikë kur ai është ende President, i cili duhet të punojë deri në orën e fundit për punën e Presidentit dhe nuk mund të bëjë paralelisht Presidentin e gjithashtu të bëjë gati partinë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











