
Miqësia me homologun Risteski, presidenti i FSHF-së anashkalon thirrjet raciste në Maqedoni-Shqipëri. Prodani: Ristevski na priti mirë, s’vërejtëm ndonjë veprim antishqiptar
Arsyeja: presidenti i FSHF-së Duka nuk ka dashur “të prishë miqësinë” me homologun maqedonas. Lajmi është bërë i ditur nga sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, i cili në një prononcim për mediat, shqiptare dhe maqedonase, ka theksuar se federata nuk do të merret me fyerjet dhe ofendimet vulgare të një pjese të vogël të tifozerisë maqedonase. “Ne natyrisht i dënojmë të gjitha ato thirrje nacionaliste që i dëgjuam gjatë ndeshjes Maqedoni-Shqipëri, edhe pse nuk i kuptonim, por mësuam se çka po fyenin. Mendoj se edhe Federata Maqedonase e Futbollit nuk i mbështet këta tifozë, sepse në fund të fundit gjobat ajo do t’i pësojë. Mirëpo nuk do të ankohemi në UEFA, sepse ata ishin një grup i vogël tifozësh që shpejt do të izolohen. Nga ana tjetër, mund të them se ndeshja ka vajtur mirë dhe ishte tamam miqësore. Nuk vërejtëm ndonjë veprim antishqiptar te kreu i FFM-së, z.Risteski, i cili sipas mendimit tim na ka bërë pritje shumë të mirë. Me këta të fundit kemi raporte shumë të mira”, tha Prodani. Ndeshja e ditës së mërkurë u shoqërua me thirrje nacionaliste, si: “dhoma gazi për shqiptarët”, “shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë”, “vritni shqiptarët” etj. etj., të cilat u proklamuan nga minuta e parë e deri në fund nga grupi i tifozëve lokalë “Majmuni”. Por më tepër se këto thirrje, ajo që të bën të dyshosh, është se si një ndeshje e tillë u lejua të bëhej jo vetëm në një qytet si Prilepi, me një maxhorancë të theksuar maqedonasish dhe për më tepër me mendime ultra-nacionaliste dhe në një stadium, fusha e të cilit ishte jashtë standardeve për një ndeshje kombëtaresh. Nga informacionet e marra thuhet se ka qenë presidenti i Federatës Maqedonase që pat zgjedhur Prilepin, teksa homologu shqiptar, Duka, thjesht e ka miratuar, duke mos kërkuar garanci për këtë ndeshje (edhe më parë kur është luajtur në këtë stadium ka pasur thirrje raciste). Sakaq, i pyetur se përse kishin zgjedhur Prilepin për zhvillimin e ndeshjes dhe jo ndonjë qytet tjetër të Maqedonisë, Prodani u përgjigj: “Është federata mikpritëse që vendos se ku do të zhvillohet ndeshja dhe ne nuk mund të përzihemi. E theksoj se edhe ne kur kemi luajtur në Korçë, vetë e kemi caktuar qytetin, por duke kuptuar situatën që është në Maqedoni, herën tjetër do provojmë që me marrëveshje të dyja federatave, ndeshja të luhet në një qytet tjetër”, sqaroi Prodani.
Qenan Idrizi: Dilema, të shkojmë apo jo në Prilep
Nënkryetari i FFM-së, Qenan Idrizi, e kishte parandier se shqiptarët do të fyheshin në Prilep. “Ishim në hall të shkojmë apo të mos shkojmë në Prilep. Nëse do shkonim, e dija se do të kishte fyerje ndaj nesh, por po të mos shkonim, atëherë do krijohej përshtypja se ne shqiptarët e Maqedonisë nuk kemi respekt ndaj FSHF-së. Jemi shumë të mërzitur me atë që pamë. Grupi i tifozëve “Majmunët” na shanë dhe ofenduan në kor, ndërsa ne me xhentilesën tonë u patëm blerë para takimit edhe një tortë për një jubile të tyre. Të them të drejtën, ne u ankuam që ndeshja të mos luhej në Prilep, por për këtë dimë që ka vendosur Duka dhe Haxhi-Risteski, ndaj nuk patëm mundësi që të ndryshonim asgjë. Ky i fundit mendoj se e pat bërë me qëllim zhvillimin e ndeshjes në Prilep për të festuar jubileun me tifozëve prilepas”, komentoi dje për mediat maqedonase Idrizi.
Aleanca Kuq e Zi dënon racizmin në Prilep
Fyerjet ndaj simboleve kombëtare shqiptare AK i cilësoi provokim kombëtar dhe, thirrjet e tifozëve maqedonas, si shoviniste e raciste. Aleanca konsideron se kjo që u dëshmua në këtë ndeshje ishte shprehje e një nacionalizmi primitiv dhe të dhunshëm. AK i ka bërë thirrje qeverisë maqedonase të distancohet nga këto akte dhe të ndëshkohen ata persona që janë pjesë e këtyre turmave histerike. Edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar ndaj koreve raciste maqedonase gjatë ndeshjes miqësore Maqedoni-Shqipëri, që u zhvillua të martën në stadiumin e Prilepit. “Autoritetet shqiptare dhe maqedonase të reagojnë për thirrjet antishqiptare. Partitë shqiptare në Maqedoni duhet të frenojnë këto akte”, thotë PDIU në reagimin e saj. Kombëtarja mori një barazim me Maqedoninë, por ndeshja edhe pse mbante epitetin e miqësores, realisht nuk ishte e tillë. Tifozët maqedonas sërish e shprehën urrejtjen ndaj shqiptarëve, të cilët i fyen në baza etnike. Fyerjeve të tyre me sharje u janë kundërpërgjigjur edhe tifozët shqiptarë. Ky është një rast i përsëritur, ndaj AK ka kërkuar një reagim më të madh nga politika shqiptare.
Leonard Karaj











