Rachel Berryman: Një amerikane që çlodh shqiptarët me joga

Jan 29, 2012 | 12:56

Një mësuese amerikane joge, që shndërron gjendjet shpirtërore dhe fizike të klientëve shqiptarë. Përmes ushtrimeve specifike, Rachel Berryman ka gjetur “formulën” e nevojshme për të përmirësuar situatat e vështira pas një dite të ngarkuar me punë dhe plot stres, e për t’u ndier të nesërmen sërish i mbushur me forcë, energji pozitive dhe gati për një fillimdite të re. Jo më kot, ajo ka fituar tanimë besimin e 35 klientëve që trokasin gjatë javës në palestrën ku punon

Çfarë është Joga
Joga është një disiplinë mendore, fizike dhe shpirtërore, që e ka origjinën e saj në Indinë e Lashtë. Individët që praktikojnë jogën përmes metodave specifike, një prej tyre edhe meditimi, ndiejnë atë që quhet supershpirti, apo harmonia e plotë mes trupit dhe mendjes. Kjo disiplinë është e lidhur njëherësh edhe me teknika të tjera të meditimit që burojnë nga kulturat e hinduizmit dhe budizmit. Ndërsa, përmes ushtrimeve specifike fizike, përftohet një fizik i çlodhur, dhe sistem imunitar i kuruar nga streset apo problematikat që mbart një ditë e lodhshme. Joga gjithashtu është e njohur për efektet e saj kurative, siç janë pagjumësia, presion i lartë i gjakut etj.

Vendimi për të “braktisur” Amerikën dhe për t’u vendosur në kryeqytetin shqiptar, nuk i doli keq. Bën një punë që dëshiron, është mësuese e 35 klientëve me të cilët ka ndërtuar marrëdhënie korrekte profesionale, mbi të gjitha i pëlqen shumë Shqipëria. Prej tri vitesh që Rachel Berryman ushtron profesionin e saj si mësuese e jogës, ndihet më shumë se e plotësuar. Në krye të herës e quajti sfidë… një eksperiencë e re, në një vend të panjohur me njerëz të panjohur. Pas vështirësive të fillimit e përpjekjeve të përshtatjes, mësuesja amerikane ka fituar besimin e shumë klientëve shqiptarë, që kërkojnë prej saj ndryshimin të kalojë në damar, qetësinë shpirtërore, harmoninë mes trupit dhe mendjes, mbi të gjitha: të ndihen në paqe me veten. Nëse të gjitha këto përmbushen, nuk ka dyshime që pas profesionalizmit të Rachel, ka gjithmonë një sukses dhe falënderim për punën e bërë.
Si erdhi në Tiranë
Për Shqipërinë kishte dëgjuar si nëpër tym… Kishte dëgjuar se shqiptarët janë njerëz që pëlqejnë shumë modën, që rrinë me orë të zgjatura nëpër bare dhe restorante, dhe mes këtyre endej edhe kategorizimi i tipit njerëz “workaholic”(punëtorë të mëdhenj). Ditën që vendosi të bënte gati valixhet, për të lënë Virginian, qytetin e lindjes, e për t’u vendosur në një kryeqytet të panjohur për të siç ishte Tirana, Rachel Berryman, mësuesja e diplomuar për joga-n në Indi, kishte disa piketa të qarta në ngulitura në mendjen e saj. “Njerëz që punojnë shumë, që lodhen dhe stresohen gjatë ditës për shkak të ngarkesës së punës, të tjerë të papunë, por që vrasin kohën duke qëndruar nëpër kafene, ose edhe për arsye me të thjeshta individë që duan me çdo kusht të ndihen në paqe me veten, duke përftuar një harmoni mes shpirtit dhe mendjes, ka në çdo kënd të botës… Shqipëria më ngjiti shumë pas vizitës sime të parë, si pjesë e një organizate joqeveritare amerikane, në ndihmë të njerëzve në nevojë. Me gjithë vështirësitë e problematikat që mbart jeta e gjithkujt këtu, mendova se aplikimi i jogës, si disiplinë shpirtërore dhe fizike, do ishte ilaç shërues për shumëkënd që përqafon një gjini ndryshe nga palestra, vrapimi nga Liqeni Artificial, dietat etj.”, thotë Berryman.
Si e gjeti jogën
Lidhjen e parë me jogën e pati në Amerikë, fill pas përfundimit të shkollës së lartë për menaxhim. Puna e parë e saj pas auditorëve të universitetit ishte pikërisht administrimi menaxhimi i një studioje familjare joge në Virginia. “Vendosa që të specializohesha më tej në joga, ndaj nevojitej një trajnim më i kualifikuar. Për këtë mendova që të trajnohesha përreth një muaj në Indi, në një shkollë me thuajse 200 kursantë të tjerë nga e gjithë bota. Gjatë kohës që mësoja dhe praktikoja jogën, mund të ndieja realisht efektet e post seancave gjatë ditës, energjinë pozitive që rrjedh nga koka për t’u shpërndarë në të gjithë trupin, qetësinë shpirtërore që përftohet pas meditimit, ushtrimet fizike e teknikat relaksuese, gjithçka. U pajisa me një certifikatë profesionale dhe mora titullin e mësueses së jogës. Pas vizitës së parë të punës me një OJF amerikane këtu në Tiranë, u riktheva si mësuese e specializuar joge. Këtë herë mendoj se ishte Shqipëria që më zgjodhi mua, aq shumë më tërhoqi vendi juaj”, thotë duke qeshur.
Klientët
Numri i klientëve në palestrën që ajo drejton, ka ardhur në rritje nga muaji në muaj, dhe sot Rachel numëron rreth 35 të tillë. Janë klientë të rastësishëm, por që kanë të ardhura të mjaftueshme financiare për të paguar 3 mijë lekë të rinj pas çdo seance joge. “Kryesisht punoj me individë që kanë pozicione pune cilësore dhe të mirëpaguara. Janë femra të punësuara nëpër banka ose që punojnë për shoqata të huaja ndërkombëtare. Mosha e tyre varion nga 25 deri në 40. Pjesa dërrmuese janë femra, vetëm pesë prej tyre janë meshkuj, dhe këta të gjithë me kombësi belge, por që jetojnë e punojnë këtu. Me meshkujt shqiptarë ende nuk kam mundur ta fitoj betejën për t’i bërë pjesë të mrekullive që ofron praktikimi i jogës”, rrëfen 26-vjeçarja. Fjalët e para që dëgjon nga goja e klientëve të saj, janë shprehje në formë ankesash se sa shumë janë stresuar në punë, sa të pafuqishëm ndihen dhe sa të lodhura i ndiejnë gjymtyrët e trupit, sa të rënë ndihen shpirtërisht… “Duke biseduar me secilin prej klientëve, sigurisht në anglisht, sepse nuk kam mundur të mësoj shumë shqip, kam gjetur mirëkuptimin e tyre, mbi të gjitha dëshirën për të bashkëpunuar në dobi të rezultateve të prekshme për gjithsecilin. Ka seanca të cilat i zhvilloj individualisht, ashtu siç ka të tjera që bëhen në grup. Pasi bisedojmë për mangësitë fizike apo shpirtërore, edhe unë e kam më të lehtë për të nisur praktikimin e taktikave të ndryshme të jogës me secilin prej tyre. Pas një seance, e cila zgjat rreth një orë e gjysmë, ndryshimi është i dukshëm”, vijon ajo.
Efektet e jogës
Joga është një mënyrë e spikatur për t’iu larguar disi edhe metodave shabllone, si praktikimi i palestrave me mjete elektronike, i aromaterapive, mesazheve relaksuese dhe mbajtja e dietave, sidomos ato spartane, efektet negative të së cilës janë të njohura gjithkund, e të gjitha me qëllimin e vetëm: për një trup dhe mendje të shëndoshë! Përmes jogës është e mundur edhe humbja e kilogramëve të tepërt, por në mënyrë graduale dhe pa efekte anësore. Joga gjithashtu ka efekte kurative të shumë sëmundjeve, siç janë pagjumësia, presioni i lartë i gjakut, sistem i rënduar imunitar etj. “Përmes nxjerrjes së frymëmarrjes, meditimit për disa minuta rresht, pozicioneve fizike dhe ushtrimeve përftohet harmonia mes trupit dhe mendjes në gjithë sistemin imunitar, duke u mbushur plot energji, relaks dhe qetësi emocionale për t’u admiruar…”, përfundon mësuesja amerikane e jogës.

Vipat që praktikojnë jogën
Eva Longoria, frymëzim shpirtëror përmes jogës
Protagonistja e serialit të njohur “Shtëpiake të dëshpëruara” ka një lidhje të fortë me jogën. Ajo është fiksuar disa herë nga objektivët e aparateve fotografikë, duke praktikuar jogën në kushtet e shtëpisë. E afeksionuar pas kësaj disipline, Eva Longoria është shprehur se gjithnjë merr dozat e nevojshme të frymëzimit shpirtëror pas praktikimit të jogës.

Madonna dhe fiksimi i saj pas jogës
Këngëtarja e famshme, Madonna, ka dëshmuar që kur bëhet fjalë për veten, thuajse gjithçka e merr seriozisht. Edhe kur bëhet fjalë për jogën, ajo është shprehur për revistën amerikane “People” se e praktikon shtatë ditë të javës, me vullnetin maksimal dhe përqendrimin absolut. “Më pëlqen joga, sepse më ndryshon komplet gjendjen emocionale dhe atë fizike. Thënë thjesht, ndihem mirë me veten”, ka thënë ajo.

Kim Kardashian, yoga me instruktor nudo
Manisë për të praktikuar këtë disiplinë të lashtë indiane, sigurisht që nuk i kanë shpëtuar shumë personazhe të huaj të famshëm. Rasti i fundit që bëri bujë në media, ishte ai i publikimit të disa fotove, ku modelja dhe aktorja amerikane u shfaq duke praktikuar joga gjatë një seance me një instruktor nudo. Kim Kardashian gjithnjë është shprehur për maninë e saj ndaj jogës dhe efektet e saj çudibërëse, ndaj shpeshherë ajo e praktikon këtë disiplinë edhe në kushtet e shtëpisë.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura