Aktivisti Arben Kola reagoi pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së sotme para Parlamentit, duke akuzuar Policinë e Shtetit për provokim të qytetarëve dhe duke deklaruar se efektivët “marrin urdhra nga Ulsi Manja dhe Taulant Balla”.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Kola u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë qetësinë, ndërsa theksoi se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore.
Më tej, aktivisti tha se prania e grave, fëmijëve dhe qytetarëve në protestë është, sipas tij, elementi që “e vret këtë sistem dhe politikë të kalbur”, ndërsa përmendi edhe protestuesin Altin Hila, për të cilin u shpreh se ishte nxjerrë zvarrë gjatë protestës.
“Policia që merr urdhër nga Ulsi Manja, Taulant Balla e të tjerë, kjo polici tregon se tani ndodhet para një dileme: t’i shërbejë mafies apo popullit. Policia është e popullit dhe jo e mafies, prandaj duhet të jeni të vëmendshëm dhe të mos bini pre e provokimeve.
Duhet të ruani qetësinë. Ne do ta rrëzojmë me një revolucion paqësor sezbën Edi Ramën. Prandaj kini durim, se ajo çfarë e vret këtë sistem dhe politikë të kalbur është prania e fëmijëve dhe grave, njerëzve si Flamuri dhe atij zotërisë që u nxor zvarrë sot, Altin Hila, që vjen çdo ditë nga Durrësi me një fëmijë të sëmurë.
Një duartrokitje për të gjithë protestuesit që janë arrestuar sot. Janë provokuar nga bandat mafioze brenda Policisë së Shtetit”, tha ai.
© Panorama.al











