Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar një dokument, në të cilin theksohet se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka bërë thirrje për donacione në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Krahas dokumentit që ka publikuar në rrjete sociale, Meta shprehet se kryeministri Edi Rama nuk e ka pasur kurrë prioritet shëndetin publik, por vetëm korrupsionin dhe shpërdorimin e fondeve.
Ai thekson se ndërsa shëndetësia është në gjendje të rëndë, qeveria jep mbi 4 milionë euro për të financuar koncertin e Kanye West.
“Kjo braktisje e rëndë e pacientëve dhe e njerëzve në nevojë në spitale është një tregues i qartë se për Edi Ramën mbrojtja e shëndetit publik nuk ka qenë kurrë prioritet. Në vend të saj, prioritet mbetet korrupsioni dhe shpërdorimi i fondeve publike, përfshirë edhe 4.2 milionë euro nga Fondi i Emergjencave, të përdorura për cirk, si koncerti i Kanye West.”, ka shkruar ai.
Meta shprehet po ashtu se QSUT meriton mirënjohje për faktin se ka bërë publike degradimin në të cilin ndodhet shërbimi shëndetësor.
Reagimi i plotë:
Në vend që qytetarët të marrin shërbimet e duhura jetike që prej kohësh mungojnë në sistemin shëndetësor, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) rezulton se nuk disponon as pajisjet më bazike, të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe shpëtimin e jetës.
Paradoksalisht, QSUT meriton të falënderohet që e bëri publik degradimin e qëllimshëm dhe kriminal në të cilën ndodhet shërbimi shëndetësor, duke iu drejtuar qytetarëve për ndihmë, pasi duket se nuk ka më mundësi t’i drejtohet Qeverisë, e cila ka vendosur si prioritet korrupsionin dhe vjedhjen e parave publike.
Kjo braktisje e rëndë e pacientëve dhe e njerëzve në nevojë në spitale është një tregues i qartë se për Edi Ramën mbrojtja e shëndetit publik nuk ka qenë kurrë prioritet.
Në vend të saj, prioritet mbetet korrupsioni dhe shpërdorimi i fondeve publike, përfshirë edhe 4.2 milionë euro nga Fondi i Emergjencave, të përdorura për cirk, si koncerti i Kanye West.













