Mijëra shqiptare kërkojnë largimin e kryeministrit, Rama për Euronews Serbia: Protestat janë çmimi që po paguajmë për suksesin! Njerëzit jetojnë më mirë dhe duan edhe më shumë!

Jul 14, 2026 | 10:28

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që prej 44 ditësh zhvillohen në Shqipëri, duke i cilësuar ato si pasojë të “pritshmërive në rritje” të qytetarëve dhe jo thjesht si reagim ndaj projektit të debatueshëm të resortit në zonën e flamingove.

Rama Euroneews Serbia

Kryeministri shqiptar Edi Rama, duke folur për “EuroNews Serbia“, deklaroi se protestat aktuale në Shqipëri përfaqësojnë shumë më tepër sesa tema konkrete rreth së cilës mblidhen qytetarët, duke i vlerësuar ato si një shenjë se shoqëria po hyn në një fazë të re zhvillimi me pritshmëri më të larta.

“Protesta është diçka shumë më e madhe sesa vetë tema. Nuk janë vetëm flamingot. Është shumë më tepër se kaq. Është një sinjal se vendi ka kaluar në një nivel të dytë, se zhvillimi është bërë normalitet, se njerëzit nuk janë më të gatshëm të durojnë atë që mungon”, tha Rama në intervistën për Euronews Serbia.

Gjatë bisedës, Rama theksoi se qytetarët po bëhen gjithnjë e më pak tolerantë ndaj mangësive dhe se kërkojnë ndryshime të shpejta.

“Njerëzit janë gjithnjë e më pak tolerantë ndaj asaj që mungon. Prandaj njerëzit duan më shumë. E duan këtë menjëherë. Dhe nuk mund t’ua vëmë për faj këtë. Kjo është kostoja që paguajmë për suksesin tonë. Kjo është, sipas mendimit tim, një protestë e pritshmërive në rritje dhe ne duhet të përballemi me këtë”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Rama shtoi se arsyeja themelore për protesta të tilla është pikërisht përmirësimi i standardit të jetesës.

“Sido që ta quajnë njerëzit këtë, sado ashpër ta kritikojnë – në fund, arsyeja është se njerëzit jetojnë më mirë. Dhe prandaj duan edhe shumë më tepër. Është normale, shoqëritë e varfra kanë një prag shumë të lartë tolerance ndaj asaj që u mungon. Shoqëritë e zhvilluara dhe shoqëritë në zhvillim kanë një prag shumë më të ulët të asaj që është e pranueshme. Ata duan atë që u mungon.”

Ai shpjegoi dallimin në mentalitet mes shoqërive që janë në zhvillim dhe atyre të zhvilluara.

“Sepse sapo ta kuptojnë këtë – njerëzit e varfër kanë zakon të thonë: ‘Mund të jetë edhe më keq’. Njerëzit që nuk janë më të varfër kanë gjithmonë prirjen të thonë: ‘Por mund të jetë shumë më mirë’. Dhe kanë të drejtë. Mund të jetë shumë më mirë. Problemi është vetëm të mos biem pre e recetave të gabuara, sepse atëherë mund të bëhet shumë më keq”, tha Rama.

 

© Panorama.al

Te lidhura