Ndarja nga jeta e aktorit të njohur Sam Neill në moshën 78-vjeçare ka tronditur botën e kinemasë, duke sjellë reagime të shumta nga kolegë, miq dhe figura të njohura, të cilët e kujtojnë si një artist të rrallë dhe njeri të jashtëzakonshëm. Në rrjetet sociale kanë vërshuar mesazhe prekëse, ku nderohet kontributi i tij në kinematografi.
Aktorja Toni Collette, me të cilën Neill kishte bashkëpunuar në disa projekte, e cilësoi atë si një “hero”, “legjendë” dhe “njeri të ëmbël”. Në një postim në Instagram ajo shkroi: “Miku ynë i madh. Na mungon shumë tashmë. Pusho në paqe, kudo që të jesh”.
Edhe regjisori australian Philip Noyce, i cili punoi me Neill në filmin “Dead Calm” (1989), e kujtoi atë si një nga njerëzit më të ndershëm në industri. “Sam ishte ndoshta aktori më i butë që kam takuar ndonjëherë. I qetë dhe i sinqertë në një botë plot ego. Fjala e tij ishte një kontratë”, u shpreh ai për “The Guardian”.
Regjisori Colin Trevorrow, i njohur për “Jurassic World Dominion”, e përshkroi Neill si “një njeri thellësisht i ndjeshëm dhe i veçantë”, duke shtuar se ai e kishte mbështetur në momente të vështira. “Do ta kujtoj për qetësinë, dashurinë për verën dhe sigurinë që përcillte në çdo rol”, tha ai.
Aktori Richard E. Grant, mik i tij për më shumë se tre dekada, e cilësoi Neill si një “zotëri të vërtetë”. Në një mesazh emocional, ai theksoi: “Më udhëhoqi dhe më mbështeti gjatë një periudhe shumë të vështirë në jetën time”.
Homazhe bëri edhe produksioni i serialit të njohur “Peaky Blinders”, ku Neill interpretoi inspektorin Chester Campbell. Në një deklaratë thuhej se roli i tij “ka bërë histori” dhe se ai ishte ndër figurat që i dhanë serialit identitetin fillestar.
Ndërkohë, aktori Alan Cumming e përshkroi si “një person të mrekullueshëm”, ndërsa këngëtarja Kylie Minogue i dha lamtumirën me fjalët “Vale Sam”, një shprehje e përdorur gjerësisht në Australi për të nderuar të ndjerët.
© Panorama.al












