Rritet fluksi i personave që paraqiten në spital me helmime nga ushqimet. Këtë fundjavë tek Infektivi kanë marrë trajtim mjekësor mbi 25 vetë. Sipas mjekëve, cilësia e ujit, konsumimi i ushqimeve jo të freskëta dhe të ruajtura në kushte jo të mira higjienike, janë shkaktarët kryesorë të këtyre helmimeve. Ata këshillojnë që qytetarët të zgjedhin vendet e blerjes së frutave dhe perimeve si dhe të mos përdorin ushqime të gatshme dhe ëmbëlsira që shiten nga tregtarë ambulantë. “Uji i ndenjur i depozitave është bartës i madh bakteresh dhe përdorimi i tij pa u zier, shkakton çrregullime në organizëm. Janë të shumtë pacientët që kanë kërkuar ndihmën e parë, pasi kanë konsumuar në bare lëngje apo pije të ngrohta”, thonë mjekët infeksionistë. Ato shtojnë se këto shqetësime e kanë burimin pikërisht nga përdorimi i ujit të depozitave për përgatitjen e kafeve dhe pijeve të tjera dhe për këtë arsye ata kërkojnë marrjen e masave nga strukturat përkatëse të shëndetësisë. “Duhet të shtohet edhe higjiena për të gjitha produktet që konsumojnë. Mjekët kërkojnë që çdo produkt të konsumohet pasi të jetë larë mirë dhe të jetë i ruajtur në vende të freskëta si dhe të kontrollohet data e skadencës së çdo produkti”, thonë mjekët.











