QKK vendos: “Falja e gjakut”, në garë për “Oscar”

Sep 23, 2011 | 12:15
Nga filmi “Falja e gjakut”

Pasi kaloi provën më të vështirë, atë të publikut, “Falja e gjakut” e kalon edhe “provën” e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Komisionit i ngritur për përzgjedhjen e filmit konkurrues të Academy of Motion, Picture, Arts and Science – 2012, u mblodh dje për të vendosur se cili do ta përfaqësonte kinematografinë shqiptare në garën e madhe “Oscar”. Mes katër filmave konkurrentë, të cilët janë shfaqur gjatë harkut kohor njëvjeçar, pikërisht: “Maya”, “Ballkan Bazar”, “Amnistia” dhe “Falja e gjakut”, komisioni i përbërë nga Teodor Laço, Esat Musliu, Bujar Lako, Durim Neziri dhe Agron Tufa, me shumicë votash, vendosi që të jetë pikërisht ky i fundit. “The Forgivenes of Blood”, me regji të Joshua Marstonit, gjithashtu bashkautor i skenarit me Andamion Muratajn, do të garojë për kategorinë “Foreign Language Film Award”. Në vendimin e QKK-së, i cili u bë publik së pari prej skenaristit Andamion Murataj, por edhe nga kandidatë të tjerë që kanë mbetur të pakënaqur, thuhet: “Komisioni mori në shqyrtim kërkesat e paraqitura, diskutoi rreth tyre dhe me shumicë votash vendosi të përzgjedhë filmin artistik ‘Falja e gjakut’, skenari Andamion Murataj, Joshua Marston, regjia Joshua Marston, për të kandiduar në kategorinë ‘Foreign Language Film Award’, që organizohet nga Academy of Motion, Picture, Arts and Science – 2012, me këtë motivacion: Filmi është tërësisht në gjuhën shqipe; njëri nga autorët e skenarit, Andamion Murataj, është shqiptar; ‘Lissus Media’, është kompani shqiptare, bashkëprodhuese në realizimin e filmit; filmi është xhiruar tërësisht në Shqipëri; aktorët e filmit janë të gjithë shqiptarë; shumica dërrmuese e stafit realizues janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë; filmi është pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika shqiptare për trajtimin me origjinalitet dhe freskinë artistike, të një problemi që mbetet i mprehtë për shoqërinë tonë”. Ishin këto 7 arsye pse komisioni vendosi për filmin “Falja e gjakut”, i cili në muajin shkurt u vlerësua me “Ariun e Argjendtë” në Festivalin e Berlinit. I pari film që flet shqip që fiton një çmim të tillë prestigjioz dhe i pari film që përzgjidhet nga QKK për oskar, edhe pse nuk është mbështetur prej tij financiarisht.
Letra kundër vendimit
E, si në çdo garë, gjithmonë do të ketë fitues edhe humbës. Menjëherë pas hapjes së lajmit, regjisori Bujar Alimani, i cili garonte me filmin “Amnistia”, i cili gjithashtu është pritur mirë në aktivitete ndërkombëtare, nisi një letër drejtuar ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, dhe për dijeni kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Artan Minarolli. Në këtë letër, Alimani akuzon komisionin përzgjedhës se ka shkelur rregulloren e Academy Awards në lidhje me shtetësinë e autorëve. Argument ky që pritej të hidhej në lojë dhe nga vetë realizuesit e “Falja e gjakut”. Madje, Alimani njofton se i ka dërguar edhe një e-mail zyrtar Academy of Motion, Picture, Arts and Science, ku vihet në dijeni për këtë problem dhe i kërkon ta analizojë vendimin e komisionit shqiptar. “E gjykoj jo vetëm të padrejtë, por edhe totalisht absurd përzgjedhjen e paramenduar në vendimin e komisionit përzgjedhës pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për filmin shqiptar që do mund ta përfaqësojë Shqipërinë në çmimet ‘Oscar’. Ky vendim është totalisht i kundërligjshëm me vetë rregulloren që Academy of Motion, Picture, Arts and Science-2012, në kategorinë Foreign Language Film Award, e ka publikuar dhe madje i ka dërguar Qendrës Kombëtare të Kinematografisë mbi sqarimet e nevojshme për kriteret të cilat duhet të plotësojë një produksion për të garuar në këtë kategori.
Kriteret janë të qarta dhe të publikuara. Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe komisioni përzgjedhës ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtën e projekteve të tjerë duke e kaluar filmin “Falja e gjakut” të marrë pjesë në këtë kategori, edhe pse nuk plotësonte kriteret kryesore, siç janë produksioni në maxhorancë, regjisori, skenaristi (në rastin e përzgjedhjes është i dyti në credits të deklaruar në CV-në e filmit). Kritere të tjera që gjithashtu nuk plotëson janë kompozitori dhe art designer (skenografi)”, shkruan Alimani, duke shtuar se ky vendim fyen dhe godet kinematografinë shqiptare. Sipas tij, një vit më parë, “Muaji i mjaltit”, me regji të Goran Paskaljeviç, u skualifikua për të njëjtën arsye. “90 Production i kërkon ministrit, z. Aldo Bumçi, të kthejë një vendim që mban në vetvete mosrespektimin e rregullave, të cilat mund ta penalizojnë Shqipërinë në afat 2-vjeçar nga Akademia Amerikane e Filmit Artit dhe Shkencës. 90 Production i bën thirrje komunitetit të kineastëve shqiptarë të mbajnë qëndrim kundrejt këtij vendimi absurd e të kërkojnë rishqyrtim të vendimit”, shkruan ai.
Murataj: Kemi më shumë shanse për “Oscar”
Qysh pas marrjes së “Ariut të argjendtë” në Berlin, autorët e “Faljes së gjakut” ishin të bindur se e meritonin të garonin për “Oscar” dhe se i kishin të gjitha kreditet jo vetëm për të kaluar raundin e parë, atë të QKK-së, pavarësisht se nuk e kanë pasur mbështetjen e saj në financim, madje as në realizimin e premierës së filmit, por edhe në përzgjedhjen mes shumicës së kandidaturave në listën e Foreign Language Film Award. Sapo u firmos vendimi, skenaristi Andamion Murataj e ndau këtë lajm edhe me mediat. Sigurisht, nuk e fshehu gëzimin që ia arriti në atë përpjekje, të cilën ai e quan “luftë”. Pas reagimit të kineastit Bujar Alimani, Murataj thotë: “Unë jam i bindur që të gjithë filmat në shqyrtim e meritonin dhe do ta nderonin Shqipërinë në prezantimin në Academy Award. Jam i sigurt që kush më pak e kush më shumë kishte grupe të huaja xhirimi. Megjithëse ne nuk kemi pasur marrëdhënie më të ngrohtë me Qendrën e Filmit, jam shumë i nderuar që filmi ‘Falja e Gjakut’ u zgjodh nga komisioni i shqyrtimit si filmi që ka shanset më të larta për të mbërritur në natën finale të Oscar-ve; si i tillë, ky është kontributi më i çmuar për kinemanë shqiptare në përgjithësi. Më në fund, jam i lumtur që ky vendim është në sinkron me mënyrën sesi publiku shqiptar po e pret këtë film”.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura