Nga Foltorja para Kryeministrisë, Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen të gjithë ditën e nesërme, më 10 shkurt, në protestën e tretë kombëtare para Kryeministrisë kundër qeverisë dhe skandalit të Belinda Ballukut.
Kreu i Partisë Demokratike theksoi se do të bëjnë të mundur që qeverinë e krimit ta “hedhin” në lumin Lana.
“Jam këtu për t’u zotuar para jush, para shqiptarëve se asgjë në botë nuk do mund të pengojë qytetarët e këtij vendi pa hedhur në Lanë qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, qeverinë e hajdutëve, qeverinë anti-shqiptare, qeverinë anti-europiane. Pra nesër është një ditë e madhe. Është një ditë e shqiptarëve për Europën. Është një ditë e shqiptarëve për të ardhmen e tyre. Është një ditë e shqiptarëve për prosperitetin e tyre, për begatinë e tyre, për lirinë e tyre.”, tha Berisha.
Një ftesë bëri edhe për forcat e rendit, që do të jenë në shesh për mbarëvajtjen e protestës, duke iu thënë se duhet t’i bashkohen atyre për të mirën e familjes së tyre si edhe të vendit.
“Ndaj dhe nesër ftoj qytetarët e Tiranës, këtij qyteti të bekuar, të dalin të gjithë në shesh. Ftoj shqiptarët të bashkohen, të ngremë zërin tonë, zëri ynë të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë botën se asgjë nuk na shkëput nga qëllimi ynë. Nesër, u bëj thirrje forcave të rendit, të marrin vendimin historik, të bashkohen me protestuesit. Bashkohuni me protestuesit, sepse bashkoheni me interesin e vendit tuaj, interesin e familjeve tuaja, me interesin tuaj, me të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. U bëj thirrje, bashkohuni me protestuesit të shporrim këtë bandë kusarësh që nuk ka pasur kurrë Shqipëria në krye si sot.”, shtoi ai.
Kryedemokrati u ndal gjithashtu edhe te reagimi i Komisionit Evropian, i cili kërkoi nga Kuvendi që të lëvizë dhe t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut, e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, për t’i hapur rrugën kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
“Një mirënjohje të pakufishme Komisionit Europian për deklaratën e sotme, në të cilin i tha kryebanditit, kryehajdutit, se kurrë drejtësinë nuk mund ta pengosh.”, shtoi kryedemokrati.
Pjesë nga fjala e Berishës:
A ka krim më të shëmtuar se ky? Një popull që vuajti shekuj, një popull që njohu regjimet më çnjerëzore, varfëritë më ekstreme, një popull që priti dhe pret me padurimin më të madh si arritjen e jetës së këtij kombi integrimin në BE, t’ia mbyllim derën tani për vjedhjet që ka bërë Edi Rama, për vjedhjet që ka bërë organizata e tij kriminale. Jo, kurrë.Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush, para shqiptarëve se asgjë në botë nuk do mund të pengojë qytetarët e këtij vendi pa hedhur në Lanë qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, qeverinë e hajdutëve, qeverinë anti-shqiptare, qeverinë anti-europiane.
Miq, pra nesër është një ditë e madhe. Është një ditë e shqiptarëve për Europën. Është një ditë e shqiptarëve për të ardhmen e tyre. Është një ditë e shqiptarëve për prosperitetin e tyre, për begatinë e tyre, për lirinë e tyre. Në qoftë se, ne shpallim solemnisht para shqiptarëve se për opozitën, integrimi në BE është e ardhmja më e shkëlqyer, sepse ne besojmë se integrimi do të thotë qytetarë më të lirë, qytetarë më të mëkëmbur, qytetarë më të sigurt, Shqipëri më e zhvilluar.
Asgjë nuk na ndan ne nga kjo rrugë. Ndaj dhe nesër ftoj qytetarët e Tiranës, këtij qyteti të bekuar, të dalin të gjithë në shesh. Ftoj shqiptarët të bashkohen, të ngremë zërin tonë, zëri ynë të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë botën se asgjë nuk na shkëput nga qëllimi ynë. Nesër, u bëj thirrje forcave të rendit, të marrin vendimin historik, të bashkohen me protestuesit.
Bashkohuni me protestuesit, sepse bashkoheni me interesin e vendit tuaj, interesin e familjeve tuaja, me interesin tuaj, me të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. U bëj thirrje, bashkohuni me protestuesit të shporrim këtë bandë kusarësh që nuk ka pasur kurrë Shqipëria në krye si sot. Bashkohuni me misionarët e kombit që do shpëtojnë kombin nga kjo rrokullisje.
Do shporrin këtë organizatë kriminale nga qeverisja. Do rikthejnë ligjin, Kushtetutën, të drejtën, lirinë, votën e lirë, mëkëmbjen, udhëtimin drejt Europës. Rrofshi ju! Edhe njëherë, të gjithë nga ora 17:00, në Tiranë, në kryengritjen paqësore, kryengritjen e fitores, kryengritjen e të ardhmes, kryengritjen për Europën.
Një mirënjohje të pakufishme Komisionit Europian për deklaratën e sotme, në të cilin i tha kryebanditit, kryehajdutit, se kurrë drejtësinë nuk mund ta pengosh. Le të bëhemi ne përmbaruesit e vendimit, ta detyrojmë hajdutin të shkojë aty ku e ka vendin. Edhe njëherë, nesër, e gjithë Shqipëria në Tiranë. Tirana në bulevardet dhe rrugët e saj. Fitore, fitore, fitore!
© Panorama.al











