Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj deklaroi në Kuvend se qytetarët kanë dalë në protestë sepse kërkojnë drejtësi, zgjedhje të lira me qeveri teknike dhe institucione që u shërbejnë atyre, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës se ka bllokuar demokracinë dhe ka marrë peng vendin.
Deputeti i i PD-së përdori romanin “Ferma e Kafshëve” të George Orwell për të ironizuar mazhorancën, duke bërë krahasime mes personazheve të veprës dhe figurave të qeverisë.
Deputeti tha se prej 30 ditësh qytetarët protestojnë sepse u është mohuar e tashmja dhe po i vidhet e ardhmja. Sipas tij, mes qytetarëve dhe pushtetit qëndrojnë korrupsioni, arroganca dhe interesat e oligarkëve, ndërsa investimet strategjike janë kthyer në një mekanizëm për pasurimin e një pakice.
“Kudo mes pushtetit dhe qytetarëve është korrupsioni si mur që nuk shembet. Kudo mes qeverisë dhe njerëzve është arroganca me fjalët e saj pompoze që ka desemantizuar dhe gjuhën shqipe. Kudo mes zyrës dhe komunikimit është idioti, kopuku, xhahili, hajduti. Të zgjidhësh sot një hall duhet të jesh i njohur, duhet të jesh i fortë. Para nuk mjafton statusi i qytetarit, ai status që ndryshoi historinë e Europës që nga koha e Volterit e këtej. Kudo mes varfërisë dhe mirëqenies është oligarku, klienti i qeverisë dhe kryeministrit. Ai është në det, ai është në mal, ai është në rrugë, ai është në fushë.”, theksoi Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj akuzoi mazhorancën se ka bllokuar institucionet, zgjedhjet, konkurrencën politike dhe pluralizmin, duke e cilësuar Shqipërinë “një vend të marrë peng nga një pushtet që ka bllokuar gjithçka”.
“Asgjë europiane nuk ka në këtë qeverisje, asgjë. Keni ndërtuar një qeveri me ministra gjuxhanë, vlera nuk i njeh familja e vet, nuk i njeh lagja, nuk i njeh Shqipëria, por luan në babëzi, matrapazllëk, në gjuhë të verbër, në karakter gjigant në etjen për pushtet, për privilegje dhe pasuri. Trimët e dobët, të heshtur përballë të fortëve, shërbëtorë lepe-peqe ndaj tyre.”
Në përfundim, Gjekmarkaj tha se “kur një popull vendos të mos ketë më frikë, nuk ka kolltuk që e shpëton pushtetin, nuk ka mazhorancë që nuk rrëzohet dhe nuk ka kryeministër që nuk dorëzohet”.
“Shqipëria është më e madhe se çdo qeveri, më e madhe se çdo parti, se çdo individ, se çdo matrapaz, se çdo tufë batakçinjsh apo patronazhistësh që hyjnë në jetën e tyre përdhunshëm. Demokracia është më e madhe se çdo shumicë, vullneti i popullit është më i madh se çdo shumicë, liria është më e fortë se çdo pushtet, dhe kur një popull vendos të mos ketë më frikë, nuk ka kolltuk që e shpëton pushtetin, nuk ka kolltuk që nuk e thyen në këmbët, nuk ka mazhorancë që nuk rrëzohet, nuk ka kryeministër që nuk dorëzohet”, shtoi ai.
Fjala e plote:
E nderuar zonja drejtuese e seancës, të nderuar deputetë, meqenëse po flasim për ushqimin e kafshëve, ndjej për detyrë të flas pak për “Fermën e kafshëve”, që është libri që ka shënjuar qytetërimin tonë, i Xhorxh Oruellit dhe personazhet e veta. Ju e dini që aty ka shumë personazhe. Unë do merrem vetëm me katër prej tyre. I pari është Napoleoni, derri i cili merr pushtetin dhe shndërrohet në autoritar. I dyti është Snoëball, derri idealist dhe inteligjent, i cili dëbohet nga Napoleoni dhe ai përfaqëson revolucionarin rival. Po të ishte këtu zonja Spiropali, mund ta pyesja të më jepte një sqarim, por nuk është dhe ngelen pa përgjigje. I treti është Bokseri, kali punëtor i ndershëm dhe besnik, i cili mishëron klasën punëtore që sakrifikon gjithçka për regjimin. Ndoshta këtë metaforë mund të na zbërthejë Ervin Hoxha kur të ketë kohë. Dhe i katërti është Skuileri, derri propagandist që justifikon çdo vendim të Napoleonit. Ndoshta këtu na ndihmon dhe zoti Balla nëse është e arsyeshme.
Të nderuar kolegë, Herodoti rrëfen se në betejën e Salaminës një ushtar grek, teksa mbante me dorë aq fort duke bllokuar një anije, i presin dorën dhe ai zgjat dorën tjetër, dhe përsëri mbërthen anijen, i presin përsëri dorën, dhe pastaj, aq i vendosur ishte për ta mbrojtur lirinë e atdheut, saqë e mbërthen anijen me dhëmbët e tij. I presin kokën, vetëm atëherë çlirohen nga luftëtari trim që luftonte për liri. Po të ishte mes nesh Fan Noli, sigurisht do të thoshte që ky luftëtar i Salaminës është ndoshta më pak i paepur sesa kotukofagët e kësaj mazhorance të kapur pas karrigeve, pas tenderave, pas korrupsionit, pas banalitetit, pas një arrogance publike që ka pushtuar çdo sferë. Pra, ky është një vend i marrë peng nga një pushtet që ka bllokuar gjithçka. Ju keni bllokuar institucionet, keni bllokuar zgjedhjet politike, keni bllokuar zgjedhjet lokale, keni bllokuar rrotacionin politik, keni bllokuar konkurrencën, keni kthyer pluralizmin në fasadë, keni bllokuar shpresën, keni prishur paktet sociale dhe keni shkatërruar hierarkinë sociale. Keni denatyruar këtë parlament në mënyrë që ai mos të ndiqet më nga qytetarët, duke patur parasysh çfarë keni futur brenda në të dhe çfarë marrin përsipër të thonë para qytetarëve pa u skuqur, pa u zverdhur, me një fytyrë që ju bëhet më keq sesa sholla e këpucës.
Prandaj shqiptarët janë në rrugë prej 30 ditësh. Ata protestojnë, nuk kërkojnë t’u rikthehet e shkuara, paçka se grabitja e asaj i zemëron, por ata kërkojnë drejtësi dhe kush ka detyrim ta bëjë atë duhet ta bëjë. Ata kërkojnë të tashmen që u është mohuar dhe të ardhmen që po ju vidhet në sytë e tyre. Kudo mes pushtetit dhe qytetarëve është korrupsioni si mur që nuk shembet. Kudo mes qeverisë dhe njerëzve është arroganca me fjalët e saj pompoze që ka desemantizuar dhe gjuhën shqipe. Kudo mes zyrës dhe komunikimit është idioti, kopuku, xhahili, hajduti. Të zgjidhësh sot një hall duhet të jesh i njohur, duhet të jesh i fortë. Para nuk mjafton statusi i qytetarit, ai status që ndryshoi historinë e Europës që nga koha e Volterit e këtej.
Kudo mes varfërisë dhe mirëqenies është oligarku, klienti i qeverisë dhe kryeministrit. Ai është në det, ai është në mal, ai është në rrugë, ai është në fushë. Prania e tij është kudo si prania e Zotit, dhe na vjen të themi: “Oligarkë, bukën e përditshme falna, Zot”, si lutjen që i drejtojmë Hyjit. Kudo mes propagandës dhe të vërtetës është kryeministri që gjithçka e kthen në propagandë. Tani kryeministri Edi Rama është i vetëm përballë shoqërisë. Sot përballë shqiptarëve nuk qëndron një pushtet i fortë, as i drejtë, as i ndershëm; qëndron një pushtet lakuriq, një pushtet banal që guxon e mbyll studentat dhe më dënon sepse vendosin një pankartë në shtëpinë e tyre që është universiteti, një pushtet i fshehur pas kukullave dhe kullave, një pushtet i futur në paketën e malit të madh të korrupsionit.
Ky pushtet sot flet me gjuhën e injorancës dhe të guximit që lind nga frika e të përlyerit. Pas ashtuquajturave investime strategjike nuk fshihet ndonjë strategji kombëtare apo ndonjë ministër i madh për zhvillimin; fshihet vetëm strategjia e thjeshtë e pasurimit të një kaste me pasuritë e kësaj toke, strategjia e grabitjes, strategjia e depersonalizimit të individit, me pas e depersonalizimit të shoqërisë, duke pranuar autoritarizmin. Populli në rrugë po përpiqet të ndalë një transformim, një regres, një mallkim, që toka e Shqiponjës mos të ndërrojë emër e të quhet toka e hajdutëve.
Një qytetar që humbet dinjitetin është më i lehtë për t’u sunduar. Një shoqëri pa kujtesë është më e lehtë për t’u manipuluar. Kur ai dhe ajo vendosin dhe dëshmojnë dinjitet, kur ata rigjejnë kujtesën, qytetari është shoqëria, marrin në dorë fatet e vendit. Ju ndërtoni kulla, ndërsa Shqipëria zbrazet me para që vijnë nga bota e zezë e krimit. Ju ndërtoni me të rrasat 21 milionë euro, ndërsa familjet numërojnë ditët për t’u larguar. Ju flisni për rekorde imagjinare, ndërsa të rinjtë kanë vetëm një rekord: largimin nga vendi. Asgjë europiane nuk ka në këtë qeverisje, asgjë. Keni ndërtuar një qeveri me ministra gjuxhanë, vlera nuk i njeh familja e vet, nuk i njeh lagja, nuk i njeh Shqipëria, por luan në babëzi, matrapazllëk, në gjuhë të verbër, në karakter gjigant në etjen për pushtet, për privilegje dhe pasuri. Trimët e dobët, të heshtur përballë të fortëve, shërbëtorë lepe-peqe ndaj tyre.
Historia është e pamëshirshme me pushtetet që përbuzin qytetarët. Ato fillojnë të besojnë propagandën që përllojnë vetë, e ngatërrojnë frikën me respektin, heshtjen me pajtimin dhe nënshtrimin me besnikërinë. Por historia nuk është shkruar kurrë nga u burrët, është shkruar nga qytetarët. Ndaj shqiptarët janë në rrugë për veten, për fëmijët e tyre, për vendin e tyre, për zhgënjimet, për frustrimet. Nuk janë aty as për Iranin, as për Izraelin, as për Sorosin. Ata janë aty kundër padrejtësisë, aty janë, aty, ata janë aty për një shoqëri normale të cilën prej 14 vitesh jua keni mohuar. Ata nuk janë aty për të kthyer pas orën e historisë, por për ta vënë atë në kohën e demokracisë. Ata kërkojnë zgjedhje të lira dhe qeveri teknike. Ata kërkojnë institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe jo një piramidë që mbyllet me një individ në krye të saj. Kërkojnë një shtet ku ligji të mos jetë llastik, të mbahet për barkun që ju sot ndjeni.
Vetmia ajo të bën të humbasësh, të ruan, të bën të flasësh përçart, ajo të bën të gënjesh, ajo të bën të delirosh, dhe nesër do ta ndjeni edhe më shumë, sepse një pushtet që ndahet nga populli dhe që nuk lind prej tij është si një lis i thatë. Mund të duket ende në këmbë, po rrënjët i ka të kalbura. Shqipëria është më e madhe se çdo qeveri, më e madhe se çdo parti, se çdo individ, se çdo matrapaz, se çdo tufë batakçinjsh apo patronazhistësh që hyjnë në jetën e tyre përdhunshëm. Demokracia është më e madhe se çdo shumicë, vullneti i popullit është më i madh se çdo shumicë, liria është më e fortë se çdo pushtet, dhe kur një popull vendos të mos ketë më frikë, nuk ka kolltuk që e shpëton pushtetin, nuk ka kolltuk që nuk e thyen në këmbët, nuk ka mazhorancë që nuk rrëzohet, nuk ka kryeministër që nuk dorëzohet. Faleminderit.
© Panorama.al












