Qeveria greke nën presion, sërish në rrezik falimentimi

Jul 16, 2012 | 14:56

Antonis Samaras, duke dalë nga Parlamenti grek

Sondazhi i fundit, rreth 80 % e grekëve duan rinegociim të memorandumit.

Presioni ndaj qeverisë së Antonis Samaras në Greqi është rritur si nga kreditorët ashtu edhe nga opozita e populli, të cilët qëndrojnë fort të palëkundur në kërkesat e tyre. Thellimi i pakënaqësive nga të gjitha palët mund t’i kushtojë vendit daljen nga eurozona. Kreditorët ndërkombëtarë, duke qenë se raporti i trojkës rezultoi negativ për arritjet që ka bërë Greqia në angazhimet e saj, nuk do t’i lejojnë këtij vendi të bëjë kërkesat e nevojshme për rinegociimin e masave të kursimit. Edhe nga FMN u deklarua një ditë më parë se është tepër herët që Greqia të kërkojë ndryshime në strukturën e marrëveshjes së huas. Nga ana tjetër, lideri i opozitës së Syriza, Aleksis Tsipras, tha se qeveria nuk po e arrin atë që premtoi, negocim të masave, por përkundrazi do të marrë masa të reja të ashpra që me siguri do ta çojnë vendin drejt falimentimit dhe daljes nga eurozona, sepse as politikat e ashtuquajtura të zhvillimit ekonomik nuk po funksionojnë. Qeveria e Samaras duhet të gjejë mënyrën për të përfituar 11.5 miliardë euro të tjera me masa të reja kursimi, për të vendosur edhe një herë në vend besimin e kreditorëve. Qeveria greke ka marrë përsipër edhe një sfidë të vështirë. Kur nga procesi i privatizimit të aseteve shtetërore gjatë tri viteve të fundit janë përfituar vetëm 1 miliard euro të ardhura, qeveria Samaras ka premtuar që deri në vitin 2015 do të mbledhë nga ky proces 15 miliardë euro. Veç kësaj, pjesa më madhe e grekëve duan që qeveria të rinegociojë kushtet e huas me BE/FMN me gjithë impaktin që do të ketë kjo për të ardhmen e vendit në eurozonë, sipas një sondazhi. Anketa e kryer nga MRB tregoi se 73.9 për qind e grekëve duan rinegociim të masave të kursimit. Vendi ndodhet në recesionin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kjo po zgjat prej pesë vitesh. Papunësia në Greqi ka arritur shifrën rekord prek 22.5 për qind. Sipas zyrtarëve në BE, është shumë herët për të vendosur nëse Greqia do t’i përmbushë nevojat e saj financiare dhe diskutimet mund të nisin kur misioni i huadhënësve (trojka) të kthehet në Athinë. Ata pritet ta vizitojnë Greqinë sërish më 24 korrik.

Qëndrimi i Merkel
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila duket se ka në dorë frerët e vendimeve të eurozonës, tha se kushtet e paketës së ndihmës për Greqinë nuk do të ndryshohen. Ajo do t’i lejojë Greqisë vetëm pak javë më shumë kohë për të realizuar angazhimet e saj. Zëdhënësi i Merkelit, Stefen Seibert, tha se “si përmbajtja, ashtu edhe afatet kohore të memorandumit nuk janë për debat. Memorandumi është parakushti i domosdoshëm për bashkëpunim të mëtejshëm”, duke iu referuar marrëveshjes së ndihmës mes Greqisë dhe kreditorëve të saj.

© Panorama.al

Te lidhura