Është dashur më shumë sesa një javë që rënia e çmimeve të naftës në bursën e Londrës të reflektohet në vendin tonë. Lajmi i mirë këto ditë për të gjithë ata që kanë në pronësi një makinë, është që karburanti ka zbritur nga nivelet e mbi 175 lekëve, ku ka qëndruar prej kohësh në shumicën e pikave të karburantit. Importuesit në vend kanë pranuar se çmimi i naftës në vend është mjaft i ndjeshëm ndaj ndryshimeve në bursë, për shkak se ne jemi importues në një pjesë të konsiderueshme, ndërkohë që një pjesë të çmimit të rritur e mban mbi vete kostoja e rritur e transportit apo taksave të qeverisë. Gjithsesi, një pjesë e tyre pranon se efekti bursë tek ne lidhur me uljen duhet të kalojë disa ditë, pastaj të ndihet. Dhe, në fakt ka kaluar plot një javë që nga ulja e çmimit të një fuçie naftë në 113 dollarë që çmimet të uleshin edhe në vend. Dje në Tiranë, një litër naftë është shitur maksimumi 174 lekë, ndërkohë që në karburante të ndryshme gjeje dhe çmime 170 lekë/litër. Që nga nëntori i vitit të kaluar, tregu shqiptar ka pësuar ndryshime të theksuara që lidhen me çmimin e naftës, ku për një kohë të gjatë ai u stakua mbi 175 lekë për litër, ndërkohë që në një pjesë të karburanteve pamë edhe çmime 182 lekë për litër. Gjatë prillit, çmimi i naftës pati gjithashtu një rritje. Në raportin e fundit, INSTAT vlerësonte se çmimi i naftës në muajin e kaluar shënoi një rritje prej 2.4 për qind, kurse ai i benzinës 0.2 për qind. Në fakt, ekspertët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se rritja e çmimit të naftës përgjatë vitit 2011 do të ishte edhe sfida e radhës për ekonominë globale dhe kjo u vërtetua kur një fuçi naftë arriti mbi 130 dollarë.
174 leke/leter
Është tregtuar dje maksimumi një fuçi naftë në vend, ndërkohë që në karburante të ndryshme gjenden çmime edhe më të lira, të cilat prekin nivelin 170 lekë/litër.











