DURRES – Momentet e tentativës për blerjen e një arme zjarri i shkaktojnë vdekjen një 40-vjeçari në qytetin e Durrësit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, në një lokal të fshatit Koxhas, pranë Maminasit në Durrës. Policia ka bërë të ditur se Odise Pana është personi që ka gjetur vdekjen në Spitalin Rajonal të Durrësit. Ai mësohet se është qëlluar aksidentalisht me armë zjarri. Ky të paktën është deri tani varianti i kësaj ngjarjeje, nga verifikimet e para të policisë. Sipas burimeve të Policisë, viktima bashkë me persona të tjerë ndodhej në një lokal të fshatit Koxhas, rreth orës 21:30. Ende nuk dihen rrethanat se si është goditur nga plumbi vdekjeprurës Odise Pana, banor i zonës. Megjithatë, hetimet e para flasin për një shkrehje të pistoletës gjatë kohës që po e provonin para blerjes. Mjekët e Spitalit të Durrësit kanë pohuar mbrëmë se 40-vjeçari ka pasur një plumb në pjesën e kraharorit dhe, pas ndërhyrjes urgjente, ai nuk ka mundur që të mbijetojë. Të lajmëruar për këtë ngjarje, në vendin ku ndodhi plagosja me pasojë vdekjen, ka mbërritur policia, e cila ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të saj. Në komisariatin e policisë u shoqëruan 10 persona, të cilët në mbrëmje ndodheshin në lokal dhe jashtë tij. Mendohet se ndër të shoqëruarit ndodhet edhe autori, por ende nuk është konfirmuar ky fakt. Pritet që pas marrjes në pyetje të të gjithë dëshmitarëve, të saktësohet dhe kjo ngjarje me pasojë humbjen e jetës së një personi. l.m
Tirane, dy te plagosur me thike
Dy persona kanë mbetur të plagosur në kryeqytet ditën e djeshme, ndërkohë që autori i ngjarjes është shpallur në kërkim. Policia e kryeqytetit njoftoi se po kryen kërkime për shtetasin Ramazan Hamdi Peza, 49 vjeç, lindur në Durrës e banues në Tiranë, i cili akuzohet se në rrugën “Zef Jubani”, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë të ftohtë thikë, duke i plagosur shtetasit Roland dhe Leonard Dumi, 44 vjeç dhe 42 vjeç, të cilët pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndodhen të shtruar në Spitalin Ushtarak Tiranë.











