Qëllohet me gurë shtëpia dhe makina e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak

Jul 11, 2011 | 12:55

KRUJE – Qëllohet me gurë banesa dhe makina e nënkryetarit të Këshillit të Bashkisë së Krujës. Sipas Muharrem Hoçjes, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të së dielës. “Isha në gjumë bashkë me gruan e djalin kur dëgjova zhurmat e xhamave të shtëpisë që thyheshin. Kam dalë në derë i tronditur dhe thashë se ç’ndodhi, por nuk kam parë njeri në ato momente. Ndeza dritën e jashtme të hyrjes së shtëpisë dhe dallova që xhamat e dritareve të shtëpisë dhe ato të makinës ishin thyer me mjete të forta”. Hoçja e quajti ngjarjen si tentativë grabitjeje nga persona që veç qëllimit të tyre kanë lënë dhe shenjë, duke dashur ta trembin. Muharrem Hoçja, i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike, është dhe pronar i një lokali shumë pranë banesës së tij. Por, pavarësisht faktit që është dhe biznesmen, vetë ai pohon se nuk ka probleme apo hasmëri me askënd. Pas ngjarjes, nënkryetari i Këshillit Bashkiak reagoi dhe ndaj policisë lokale, pasi, sipas tij, erdhi me vonesë. “Nuk kam marrë asnjë mbështetje nga ana e policisë, edhe pse kam njoftuar menjëherë dhe rajoni i policisë me banesën time nuk është më shumë se dhjetë minuta më këmbë. Njoftova për ngjarjen shumë shpejt, por forcat e rendit mbërritën në shtëpinë time pas 7 orësh, pra në 08:00 të mëngjesit. Kjo është e patolerueshme”, u shpreh Hoçja. Nga ana tjetër, Policia e Krujës deklaroi se kanë shkuar në vendin e ngjarjes menjëherë pasi ndodhi njoftimi, në mëngjes, dhe kanë nisur hetimet për zbardhje e saj. Mësohet se një vit më parë, një tjetër ngjarje ka ndodhur, pasi banesa trekatëshe e tij mori flakë. r.n

© Panorama.al

Te lidhura