
Në valën e debateve për festivalin flet kompozitori e orkestruesi
Ndonëse në votimin përfundimtar kënga e tij nuk mori ndonjë vlerësim nga juria, ai nuk doli pa trofe. Pas shumë vitesh, në Festivalin e Këngës në RTSH u kthyen çmimet për komponentët e këngës dhe Klodian Qafoku mori çmimin e orkestracionit më të mirë për këngën “Vlen sa një jetë” me muzikë të atij vetë, tekst të Arben Dukës dhe kënduar nga Marjeta Billo. Ndërsa ende vazhdojnë debatet për edicionin që lamë pas, Qafoku, i cili është një nga përfaqësuesit e Shqipërisë në Festivalin Europian me këngën “Zjarr e ftohtë”, kënduar nga Luiz Ejlli, flet për edicionin e 50-të të Festivalit në RTSH.
Tashmë që është krijuar një distancë kohore nga Festivali i Këngës në RTSh, ndoshta mund të gjykohet mbi, ç’shije ju la ky edicion, si pjesëmarrës, por edhe si muzikant?
Festivali i 50 i Këngës në RTSH ishte një festë e madhe, e cila u bë jo vetëm si një jubile, por edhe si një nderim për të gjithë ata që e lindën dhe zhvilluan deri sot. Për mua ishte pjesëmarrja e 7-të si kompozitor dhe si orkestrues i festivalit, të cilin e kam ndjekur hap pas hapi, që kur nisi të fillonte provat e para. Një punë absolutisht e mirëpërcaktuar, e qartësuar në dimensione të gjera artistike, duke vënë në lëvizje rreth 60 instrumentistë, dirigjentë, kompozitorë, orkestrues, poetë apo dhe stafin organizativ, nën mbikëqyrjen dhe angazhimin profesional të drejtorit artistik, Shpëtim Saraçi. Të mos harrojmë që Festivali i Këngës kishte plot 20 vjet që nuk aplikonte strukturën live. U desh përkushtim dhe konsulencë, duke parë dhe eksperiencat nëpër festivalet e ndryshme të vendeve të huaja për sa i përket realizimit total live. Nuk mund të lë pa përmendur punën e dy ton maestrove, Emaunele Donnini dhe Mauro Lafigara, të ardhur nga Italia posaçërisht për festivalin, të cilët për mua qenë gladiatorët e këtij eventi, duke bërë që “veshët” e auditorit shqiptar të ndihen sa më mirë me “sound”-in që kishin vite qe s’e dëgjonin të tillë. Pra, mendoj se këtë vit, festivali zgjoi muskujt e krijimtarisë, shtoi pagjumësinë e përgjegjësisë, edukatën e punës dhe bashkoi ankthet artistike prej vërteti, drejtpërdrejt.
A pruri melodi ky festival?
Normalisht, në çdo kompeticion artistik brenda dhe jashtë vendit ka kritika, dhe mirë bëjnë. Për sa i përket krijimtarisë artistike, çdokush është i lirë të shprehet për çdo këngë apo për çdo melodi, dikujt i pëlqen, dikujt s’i pëlqen, është çështje preference dhe shije, mbi të gjitha një kulture të mirëfilltë artistike për ta kuptuar. Unë personalisht mendoj se në festival pati melodi që do të mbeten jetëgjata, por çmimin e jetëgjatësisë nuk e jep e sotmja, nuk e japim as ne pjesëmarrësit dhe as kritizerët. Të gjithë ne jemi në provë nga juria-kohë.
Një festival live është një provë zjarri për këngëtarët, a u kalua?
Ajo që më bëri përshtypje, ishte se për herë të parë në prova pashë këngëtarët që nuk kishin probleme me teknikën e monitorimit në “stage”, gjë e cila i ka munduar vitet e tjera, e për rrjedhojë të kësaj sigurie çdokush këndonte lirshëm dhe pa problem. Sigurisht që jo çdo këngëtar e përcolli këngën në nivelin që kërkonte kompozitori përkatës i këngës, pasi emocionet dhe mungesa e eksperiencës te disa këngëtarë të rinj bëri që dhe të kishte luhatje stonative, është live e çdo gjë duhet të mirëkuptohet.
Pati rikthime, por edhe mungesa ky festival, si e gjykoni?
Kam lexuar në disa gazeta që “shumë personalitete të muzikës kanë braktisur me kohë festivalin”, apo “shumë kompozitorë nuk marrin pjesë…”. Nuk mendoj se një festival është tren që i mban të gjitha personalitetet e muzikës. Ne kemi aq personalitete në muzikë, saqë nuk i nxënë tri festivale bashkë. Prandaj mungesën e tyre nuk duhet t’ia faturojmë festivalit. S’e di për cilër këngëtarë, kompozitorë apo poetë bëhet fjalë për “braktisje”. Ky festival numëronte emra vërtet profesionalë “të vjetër”, “të mesëm” e “të rinj”, si B. Alibali, F. Ndoci, vëllezërit Prifti, E. Deda, S. Braho etj. Ishin kompozitorët Sh. Kushta, L. Agolli, F. Shehu, I. Dangëllia, L. Zhegu, E. Zhulali, E. Sina etj. Rikthimet apo edhe tekstshkruesit e përvitshëm nuk i munguan këtij eventi, si Arben Duka, Agim Doçi, Jorgo Papingji, Timo Flloko, Irma Kurti etj. Po të ishte sikleti i braktisjes, atëherë nata gala e festivalit nuk do të kryhej, dhe këngëtarët qe do “të braktisnin” festivalin nuk do ta nderonin atë. Pra, nuk i ka penguar njeri dhe as nuk i ka “shtënë” frikën festivali, këngëtarëve, përkundrazi, të gjithë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre, qoftë jokompetitiv.
Ndonëse ky ishte një nga ato edicione kur nuk u fol qysh më parë për fitues të paracaktuar, “shitje” çmimesh, apo për problemin 20-vjeçar të interpretimit “live”, sërish nuk munguan kritikat, i keni ndjekur, ju janë dukur ndërtuese?
Mendoj që kritikat për festivalin ndahen në dy lloje: në kritikat reale dhe në kritikat joreale. Në të parën hyjnë kritikët, të cilët gjykojnë aspektin kryesor të festivalit, që është “kënga” me të gjithë komponentët e saj, si dhe mënyrën e organizimit për mirë apo për defektet që mund të mbartin. Ndërsa në jorealen hyjnë ata kritikë (të vetëshpallur të tillë), të cilët flasin dhe merakosen më tepër për karriget e Pallatit të Kongreseve dhe punët personale të drejtorëve të RTSH-së, sesa me elementin kryesor artistik, “këngën”. Festivali është një “ndërtesë tradite”, ndërtuar me sakrifica, që kërcënohet nga ajri i ndotur përreth. Në këtë ndotje fus qoftë dashakeqësit apo qoftë “klandestinët”, që varin në qafë fletëhyrje artistësh. Por është jubileu, ku nuk duhet sharë festivali, ashtu siç mund të shahet një hotel që ka përreth moçal, apo që shpesh ia heqin energjinë elektrike.
Si çdo vit, edhe kësaj here në “tabelë të qitjes” u vu juria, mendoni se “problemi” i festivalit qëndron te juria?
Juria si gjithmonë është drejtuar nga emra, të cilët kontribuojnë në fushën e artit dhe muzikës. Sigurisht të debatuarit ndër vite vijnë nga ata që kanë hatërmbetje prej mospranimit të tyre në garën e festivalit. Është koha kur duhet të jemi vigjilentë ndaj reagimit të audiencës, sigurisht ndaj kritikës së argumentuar, por edhe të jemi të kthjellet para lobingjeve që flasin në emër të shumicës. Unë për vete luftoj çdo ditë që të fus artin brenda meje, dhe jo të shoh veten time hipur mbi art.











