Putin: Paqja në Ukrainë mund të arrihet shpejt nëse të dyja palët bëjnë kompromis

Jun 4, 2026 | 19:34

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës mund të arrihet në një kohë të shkurtër, nëse të dyja palët tregojnë gatishmëri për kompromis.

putin

Gjatë një takimi me përfaqësues të mediave ndërkombëtare, Putin tha se Moska është e gatshme të negociojë dhe të bëjë lëshime, por sipas tij edhe Ukraina duhet të ndjekë të njëjtën rrugë.

“Jemi të gatshëm të arrijmë një marrëveshje paqeje me Ukrainën. Rusia është e gatshme për kompromis dhe edhe Ukraina duhet të bëjë të njëjtën gjë. Nëse kjo ndodh, konflikti mund të përfundojë shpejt”, deklaroi presidenti rus.

Putin pretendoi se forcat ruse vijojnë avancimin në territorin ukrainas dhe se Moska ka forcuar kontrollin në disa rajone të pushtuara.

Sipas tij, Rusia kontrollon plotësisht rajonin e Luhanskut, mbi 85% të rajonit të Donetskut dhe rreth 80% të rajonit të Zaporizhias. Ai shtoi gjithashtu se gjatë muajve të fundit ushtria ruse ka marrë nën kontroll mijëra kilometra katrorë territor në Ukrainë.

Presidenti rus argumentoi se ushtria ukrainase po përballet me mungesë të konsiderueshme personeli, ndërsa theksoi se Rusia vazhdon të forcojë kapacitetet e saj ushtarake dhe mbrojtëse.

Putin pranoi se dronët ukrainas vazhdojnë të kryejnë sulme brenda territorit rus, por u shpreh i bindur se Moska disponon burimet e nevojshme për të arritur objektivat e saj në luftë.

Deklaratat e kreut të Kremlinit vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon prej më shumë se katër vitesh, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për një zgjidhje diplomatike mbeten ende pa rezultat konkret.

© Panorama.al

Te lidhura