Koncepti mbi një “shoqëri e madhe”, apo “shoqëri e mirë” ka mbërthyer ideolo-gjikisht dhe praktikisht politikën britanike, duke zënë shumë faqe shtypi, debate televizive, konferenca e leksione, por edhe shumë libra të botuar. David Camerun, për dy vjet me radhë, para se të vinte në pushtet, kishte hapur një debat mbi këndvështrimin e tij politik për një qeveri sa më të vogël dhe për më shumë pushtet, përgjegjësi dhe iniciativë qytetareve (“shoqëri e madhe”, ose anglisht “big society”), debat në të cilin është përfshirë edhe opozita aktuale laburiste me pozicionin alternativ të “shoqërisë së mirë” (good society”).
Në maj të vitit të kaluar, qeveria britanike miratoi një dokument politik angazhues për qeverinë, të motivuar ideologjikisht nga ambicia për të dhënë më shumë pushtet dhe mundësi në duart e qytetarëve.
Në fakt, edhe për vetë britanikët është dhe mbetet problem qartësimi i ndryshimit midis konceptit të “shoqërisë së mirë” të laburistëve dhe “shoqërisë së madhe” të konservatorëve, sepse që të dyja flasin për nevojën e fuqizimit të komunitetit të qytetarëve, të iniciativës së tyre, të organizimeve komunitare, të punësimit të qytetarëve si vetaksionere. Ndryshimi qëndron se konservatorët mbështesin një qeveri më të vogël dhe një rol pro-aktiv të qeverisë në fuqizimin e komuniteteve të qytetarëve. Pikërisht dokumenti politik i miratuar nga konservatorët dhe liberal demokratët në koalicion vitin e kaluar përmban pesë çështje:
T’u japim komuniteteve më shumë fuqi, duke ndryshuar sistemin e planifikimit që vetë lagjet të përcaktojnë formën e mjedisit ku jetojnë; t’u japim anëtarëve të komunitetit mundësinë dhe mbështetjen për të vetadministruar shërbime të ndryshme publike, të trajnojmë një gjeneratë të re organizuesish të komuniteteve dhe të mbështesim krijimin e grupeve komunitare në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. T’i inkurajojmë njerëzit për të marrë pjesë aktive në komunitetet e tyre vendore: ne do të marrim një sërë masash për të inkurajuar vullnetarizmin dhe përfshirjen në veprim shoqëror, duke përfshirë edhe linçimin e “Ditës Kombëtare të shoqërisë së madhe”, (kupto: ditën e vullnetarizmit në komunitet); ne do të marrim masa për të nxitur filantropin dhe dhurimin e të tjera.
Të transferojmë pushtetin nga qeverisja qendrore në qeverisjen vendore: do të promovojmë një devolucion radikal të pushtetit dhe një autonomi më të madhe financiare të qeverisjes vendore, që përfshin një rishikim të plotë të financave vendore; do t’u japim këshillave të qeverisjes vendore më shumë kompetenca të përgjithshme e të tjera.
Do të mbështesim kooperativa, organizata qytetarësh dhe sipërmarrje sociale: përmes përfshirjes së tyre në ofrimin e shërbimeve publike; do të përdorim fonde në mbështetje të nismave të grupeve me bazë komunitare, sipërmarrjeve sociale dhe organizatave joqeveritare.
Të publikojmë informacion qeveritar: që çdo informacion që disponohet nga qeveria të jetë tërësisht i aksesueshëm nga qytetarët; do të nxisim policinë të publikojë çdo statistikë vendore krimi, me qëllim që qytetarët të kenë çdo información për krimin që ndodh në çdo komunitet vendor dhe që qytetarët t’i kërkojnë llogari policisë për përformancën e saj.
Përmes këtij parashtrimi të shkurtër të asaj çka diskutohet të bëhet në një vend si Britania e Madhe, ndoshta ka ardhur koha që me momentumin e ri politik pas zgjedhjeve të fundit vendore, edhe në Shqipëri të ridimensionohen disa politika publike si nga qeveria qendrore, ashtu dhe nga pushteti i ri vendor.
Nxitja dhe sensibilizimi të paktën në nivelin e lartë politik të vendit, që mund të kemi sjellë përmes kontributit civil në debatin publik në zgjedhjet e fundit vendore mbi funksionalizmin e ndërlidhësit komunitar (apo organizuesit të komunitetit) në qytete (apo kryetarëve të çdo fshati të Republikës së Shqipërisë), përbën instrumentin ekzistues në vend për të përmirësuar qeverisjen, apo për t’u investuar në atë filozofi qeverisëse që do të përfshinte qytetarët.
Pa përsëritur çka kam shkruar në shkrimin “Qytetarët si partnerë – apo një shoqëri e madhe”, për mënyrën e funksionalizimit të organizuesit të komunitetit, botuar te kjo gazetë më 2 maj, po sjell edhe një herë në vëmendje argumente të gjithëpranuara, të cilat mund të konsiderohen sfidat e vërteta që mund të përballen vetëm me fuqizimin, përgjegjshmërinë, iniciativën dhe pjesëmarrjen qytetare.
Përmes përafrimit si filozofi të përvojës britanike dhe vendosjen e saj në kontekstin shqiptar në një plan të përgjithshëm, mund të përballohen shumë sfida të rëndësishme të shoqërisë sonë në stadin e saj aktual, si:
Niveli shumë i ulët i besueshmërisë publike te institucionet dhe politika në përgjithësi dhe distanca e qytetarëve me qeverisjen si një fenomen në përkeqësim.
Vetëm 18% e qytetarëve të vendit deklarojnë se bëjnë punë vullnetare një herë në vit dhe, për më tepër, kur vullnetarizmi vazhdon të konsiderohet si “trashëgimi komuniste”.
Nevoja evidente për edukim të gjithanshëm për detyrimet dhe përgjegjshmëritë qytetare në jetën komunitare, fuqizimi i qytetarëve dhe lidhjet komunitare janë investimi më i sigurt afatgjatë për çdo qasje nga poshtë për përgjegjshmëri dhe llogaridhënie të institucioneve, që rrit performancën e tyre dhe minimizon korrupsionin.
Është konkluzion i vërtetuar botërisht se pjesëmarrja e qytetarëve apo e individëve në organizata të ndryshme joqeveritare, apo grupime sociale, dallon një demokraci të zhvilluar nga ajo e pazhvilluar. Ndërsa nga pikëpamja e objektivave të qeverisjes, qendrore apo vendore, investimi drejt funksionalizimit të organizuesve të komunitetit dhe raporteve të tyre si urë lidhëse të qeverisjes me qytetarët sjell rezultate edhe më të drejtpërdrejta:
Përmes organizimit të komunitetit krijohen lidhje të drejtpërdrejta përfaqësuese, si rrjedhojë edhe partneriteti të institucioneve qendrore apo vendore në nivel komunitar. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme që kap gjithçka që ka të bëjë me qeverisjen, zbatimin e ligjit, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Shumë strategji kombëtare në qasjen e tyre përmbajtjesore lidhen drejtpërsëdrejti me fuqizimin qytetar, grupet komunitare, grupet interesit, organizatat joqeveritare e të tjera. Deri më sot, ajo që është bërë më pak ose aspak, qoftë nga qeverisja, qoftë nga donatorët dhe OJF-të, është investimi te ndërtimi i kapaciteteve për organizimin e komunitetit në raport fqinjësie.
Fusha prioritare të qeverisjes vendore, ku janë hedhur me miliona euro deri tani në kuadër të përmirësimit të qeverisjes, është pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje. Por kjo në asnjë çast nuk është parë nën këndvështrimin e qëndrueshmërisë së investimeve përmes organizimit të grupeve me bazë komunitare (referohuni më sipër për kontrast dokumentit britanik).
Së fundi, nën një këndvështrim pragmatist, zgjedhjet e fundit vendore kanë sjellë një momentum të ri, mendoj si për qeverisjen qendrore ashtu edhe për çdo njësi të qeverisjes vendore, për t’u investuar drejt një ekuilibri në partneritet me grupet komunitare e qytetare të qeverisjes. Kur kjo kërkohet dhe investohet për t’u bërë politikë e ditës në Mbretërinë e Bashkuar, atëherë çfarë mund të thuhet tjetër?
Tek ne, më shumë se kurrë, kërkohet investim për të krijuar sinergji veprimi, pushtet-qendror, pushtet- vendor, pushtet-qytetar. Nëse kjo nuk vjen si një nismë nga lart, pikë së pari nga qeveria qendrore, është brenda çdo mundësie ligjore dhe praktike që bashkitë të investohen në këtë drejtim në interes të performancës. Ndërsa lënia gjithçka si deri më sot në vetë inicitativën qytetare, apo të shoqërisë civile që operon kryesisht me fonde donatorësh, mund të sjellë një ndryshim, por minimalisht do të kërkojë shumë dekada të tjera për t’u konsoliduar si e qëndrueshme.
© Panorama.al












