-Nuk jam fare e çuditur. Po ajo duket që nga mënyra se si flirton me shefin. Do të promovojë veten. Pastaj, ç’është ai fund i shkurtër apo bluzë e gjatë?!
-Jam e sigurt që është anoreksike, ia kthen shoqja.
Thashethemet! Vetëm pak fjalë të pëshpëritura, të ndara në konfidencë, mund të na japin kaq shumë shtysë. Me miqtë, kolegët apo familjarët, të thuash gjëra të këqija për njerëzit e tjerë, të bën të ndihesh mirë. Edhe pse në teori secili prej nesh nuk është fare dakord me këtë, kjo është një sjellje krejt e zakonshme. Secili prej jush mund ta gjejë veten. Shifrat e psikologëve nëpër botë tregojnë se 60% e bisedave mes të rriturve janë rreth dikujt, që nuk është i pranishëm. Dhe shumica e tyre është gjykim mbi ta.
Të gjithë e dimë që është e gabuar të bësh thashetheme dhe askush nuk do të duket te tjetri qëllimkeq. Atëherë, pse përfshihemi në këtë kënaqësi fajtore!?
Thashethemet ndërtojnë lidhje sociale, sepse të ndash mospëlqime për dikë, ofron mundësinë që të krijosh lidhje më të forta sesa ta pëlqesh të përfolurin. Dy njerëz që nuk e njohin shumë njëri-tjetrin, do të ndiheshin më të ngushtë nëse do ndanin një opinion jo të mirë për një të tretë, sesa të flisnin gjëra të bukura për të. Është një mënyrë për të treguar se ndajnë vlera dhe kanë sens humori.
“Uria jonë për thashetheme është e pangopur”. Duke thënë gjëra jo të mira, rrezikoni të dukeni keq në sytë e dialoguesit, kështu që duke transportuar një sekret, ju duhet të kujdeseni të tregoni se keni shumë besim te njeriu të cilit po i flisni. Por nga ana tjetër, kjo e bën tjetrin të ndihet më i përfshirë dhe të ngacmohet edhe ai vetë për t’ju thënë sekretet e veta. Kështu që punët shkojnë zinxhir. Prandaj thashethemet s’mbarojnë asnjëherë.
Megjithatë, thashethemet kanë edhe funksione pozitive në stabilizimin e vlerave të grupit. Ato tregojnë kufijtë, duke përdorur turpin, për të bindur të ardhurit e rinj që t’u përshtaten rregullave nëse do duan të jenë pjesë e lojës. Përveç kësaj, antropologët thonë se thashethemi është një faktor jetik evoluimi në zhvillimin e trurit tonë. Gjuha erdhi si nevojë jona për të shpërndarë fjalë, jo e anasjella. Të folurit për njerëzit që nuk janë të pranishëm, bën të mundur që edhe bashkëbiseduesi të mësojë diçka për një tjetër që nuk e njeh.
“Të dëgjuarit e thashethemeve mund të jetë mënyra më e shkurtër dhe më e lehtë për të marrë informacione në një vend pune, ku sapo ke shkuar. Një shembull pak i rrezikshëm do ishte për shembull që një punonjëse e re nuk e di që nuk duhet të telefonojë fëmijën apo të dashurin vazhdimisht gjatë orarit të punës. Pra, duke u marrë gjatë me gjëra personale, mund të të bëjë të biesh në sy për keq.
Ca shembuj konkretë
Thashethemet gjithashtu ndihmojnë ngjitjen sociale. Krijon një farë statusi, varësisht koherencës që je me thashethemet dhe nivelit të “vështirësisë” që ai ka pasur për t’u zbuluar. Pra kjo tregon se sa afër je ti me të shenjëstruarin. Të kesh informacione “të mira” për një politikan për shembull, mund të të japë pikë. Nga këta tanët, janë nja tre që përfliten për lidhje të dyta apo të treta (paralelisht me të parën të kuptohemi). Ata mund të jenë të tërë, por po themi për këto që kanë plasur.
Po prej nga vijnë të gjitha këto nevoja a ndjesi tonat aspak të mira? Psikologët thonë gjithandej se të qenët “i keq” nis në një moshë fare të re, kur fëmijët nisin ta krahasojnë veten me fëmijët e tjerë. Ndihmuar pa dyshim edhe nga shtysa e prindërve apo edukatorëve e mësuesve. Duke qenë se janë të ndaluar të qëllojnë shokun për shembull, nisin të praktikojnë dhunën verbale. Të gjithë e dinë që secili fëmijë do të donte të ishte i preferuari i prindit, e meqë është kështu, ata zhvlerësojnë shokët dhe thonë gjëra jo të mira për këdo që është ndryshe nga ta.
Megjithatë, ka edhe aspekte të tjera të thashethemeve, jo domosdoshmërisht të këqija. Ne merremi me to edhe për të ndarë shqetësimet tona, për të kërkuar siguri dhe mbështetje. Është një mënyrë indirekte për të folur njëkohësisht me veten dhe me tjetrin. Është gjithashtu argëtuese të ngacmosh kureshtjen e të tjerëve dhe ta monopolizosh bisedën kur ke një informacion për të zbuluar. Ka më… Një femër për shembull mund të bëjë thashetheme të këqija për të tjerat, për të fituar një ndjenjë sigurie. Kështu, ajo do ta kapërcejë për pak shqetësimin që ka për dobësitë e saj.
Por në fund, ky mund të jetë një aktivitet i rrezikshëm: ai mund të të çojë në ngathtësi dhe mosbesim. Mund të lërë viktima të paafta për të mbrojtur veten e tyre dhe mund të lërë gjurmë dyshimi edhe te ti. “Pasi reputacioni i një personi është i dëmtuar, është shumë e vështirë ta ndryshosh atë”. Sa prej jush do ta shohin tani e tutje, studiuesin, analistin Ardian Klosi me syrin apo vlerësimin që e kanë parë më parë, përpara se të publikohej lajmi për shqetësimet e tij shëndetësore?! Nëse kjo gjë nuk do të ishte bërë mediatike, të paktën nuk do kishte mbërritur në veshët e të gjithëve, dhe pasojat do të ishin më të pakta. Po edhe kur rastet nuk janë kaq ekstreme, teoria vlen njësoj. Për shembull, a mundet ta ndryshojë njeri imazhin e Spartak Ngjelës, Mustafa Nanos, Gjergj Lekës, apo sa e sa të tjerëve (ne po përmendim vetëm ata beqarët për mos të prishur punë)) si ‘qejflinj’ femrash? Pak si vështirë… Po ju mos i thoni njeriu….
Për ta mbyllur, thashethemet mund të kthehen edhe në favor. Pra, personazhi mund të ndihet i trajtuar padrejtësisht dhe ta përdorë thashethemin për të viktimizuar veten. Po me të pushuar së ndjeri i tillë, atë energji që shpenzon mund ta kthesh si të dobishme në zhvillimin e vetes. Ndonjë emër që ju vjen ndër mend? Epo… Pirro Çako ia doli!
ANI JAUPAJ











