PS rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, Berisha para protestuesve: Sot Edi Rama shënoi fundin e tij politik

Mar 12, 2026 | 11:41

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi para protestuesve të mbledhur para Kuvendit se Edi Rama, me rrëzimin e kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin e deputetes Belinda Ballukut, shënoi fundin e tij politik.

Sipas tij, Rama nuk mbrojti Ballukun por veten e tij dhe krimet që ka kryer. Berisha theksoi se ai po bën çdo gjë për veten në kurriz të qytetarëve shqiptarë, duke u mbyllur edhe dyert e integrimit.

“Nuk ka sot një qeveritar në Europë që të bëjë ligje, që të votojë për mbrojtjen e vjedhjeve të tij siç bëri Edi Rama. Nuk ka një qeveritar tjetër në Europë që të ketë firmosur në dhjetëra dhe qindra herë vjedhjen e pasurive të qytetarëve shqiptarë dhe fondeve të tyre. Nuk ka një qeveritar tjetër në Europë, që për të mbrojtur krimet e tij, të mbyllë dyert e procesit të integrimit për qytetarët shqiptarë.”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Së pari, një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra dhe gra guximtarë që keni lënë çdo gjë për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në një ditë të zezë të historisë sonë. Keni ardhur këtu në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, në mbrojtje të interesave të çdo qytetari shqiptar nga një organizatë kriminale, e cila përdor pushtetin e grabitur për të mbrojtur vjedhjet dhe krimet e veta. Të dashur miq, sot Edi Rama, kreu i organizatës kriminale, shënoi vetëvrasjen e tij politike.
Shënoi fundin e tij politik.

Firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë me të gjitha mjetet nga pushteti i tij i krimit. Sot, ai nuk votoi për Lubi Ballukun, votoi për veten e tij, votoi për të mbrojtur vjedhjet që ka bërë, krimet e shëmtuara që ka kryer. Miq, në historinë kombëtare nuk ka pasur njeri me standarde më të ulëta njerëzore se ky njeri. Por theksoj sërish se është puna juaj, është qëndresa juaj, është protesta juaj, kryengritja juaj që bëri që sot ai të dalë para mbarë shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar në historinë kombëtare. Si qeveritari më i poshtëruar në Europë.

Nuk ka sot një qeveritar në Europë që të bëjë ligje, që të votojë për mbrojtjen e vjedhjeve të tij siç bëri Edi Rama. Nuk ka një qeveritar tjetër në Europë që të ketë firmosur në dhjetëra dhe qindra herë vjedhjen e pasurive të qytetarëve shqiptarë dhe fondeve të tyre. Nuk ka një qeveritar tjetër në Europë, që për të mbrojtur krimet e tij, të mbyllë dyert e procesit të integrimit për qytetarët shqiptarë.

© Panorama.al

Te lidhura