PS refuzoi të heqë imunitetin e Ballukut, artikulli i Politico: Brukseli kërkon drejtësi pasi ish-zv.kryeministrja shqiptare shmang arrestimin! 200 milionë euro abuzime. Zyrtari i KE mori shënim

Mar 12, 2026 | 20:24

Bashkimi Europian i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë funksionimin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, pasi Parlamenti i Shqipërisë votoi kundër heqjes së imunitetit për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke shmangur kështu arrestimin e saj.

balluku

Sipas një artikulli të publikuar nga POLITICO Europe, vendimi i parlamentit ka ngritur shqetësime në Bruksel për ndikimin që mund të ketë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Një zëdhënës i Komisioni Europian deklaroi se BE “merr shënim rezultatin e votimit në parlamentin shqiptar”, duke theksuar se angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit është thelbësor për procesin e anëtarësimit në BE.

“Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të ruajtur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, citohet në reagim.

Balluku është në shënjestër të SPAK për dyshime se ka ndërhyrë në projekte infrastrukturore me vlerë mbi 200 milionë euro. Ajo u shkarkua nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës nga kryeministri Edi Rama në fund të shkurtit, ndërsa vetë i ka mohuar akuzat.

Pas votimit në parlament reaguan edhe ambasadat e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës, të cilat kërkuan që procesi gjyqësor të mos pengohet dhe theksuan se ndjekja penale e korrupsionit, edhe në raste të profilit të lartë, është një kusht i domosdoshëm për integrimin europian të Shqipërisë.

Ndërkohë, kryeministri Rama reagoi duke deklaruar se shumica qeverisëse veproi në përputhje me Kushtetutën dhe se qeveria mbështet plotësisht punën e SPAK, duke theksuar gjithashtu objektivin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.

Artikulli i Politico:

Parlamenti i Shqipërisë votoi të enjten kundër heqjes së imunitetit për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila përballet me akuza për korrupsion. Vendimi ka nxitur paralajmërime nga Bashkimi Europian për pasojat që mund të ketë në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste në pushtet mbrojtën Ballukun, ndaj së cilës SPAK ka kërkuar arrestim, duke e akuzuar për ndërhyrje në projekte infrastrukturore me vlerë mbi 200 milionë euro.

Balluku u shkarkua nga Rama në fund të shkurtit, si nga posti i zëvendëskryeministres ashtu edhe nga ai i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo mohon çdo shkelje.

“BE-ja merr shënim rezultatin e votimit të sotëm në parlamentin shqiptar. Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE”, tha të enjten për POLITICO një zëdhënës i Komisioni Europian.

“Sqarimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të ruajtur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.”

Edhe ambasadat e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës reaguan ndaj votimit, duke përsëritur qëndrimin e Brukselit dhe duke kërkuar që procesi gjyqësor të mos pengohet.

Për t’u anëtarësuar në BE, “ndjekja penale efektive e korrupsionit, edhe në raste të profilit të lartë, është një parakusht thelbësor”, thuhet në një deklaratë të ambasadës gjermane në Tiranë, e cila i bëri thirrje qeverisë shqiptare të respektojë shtetin e së drejtës. “Presim qartë që drejtësia të jetë në gjendje t’i ndjekë këto çështje shpejt dhe pa pengesa”, shtohet më tej.

Rama reagoi me një deklaratë në rrjetin social X, duke thënë se “të gjithë pajtohemi 100 për qind” me “parimet e shprehura”. Ai këmbënguli se Shqipëria synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030 dhe se qeveria në Tiranë e mbështet plotësisht SPAK.

“Sot shumica qeverisëse bëri pikërisht atë që do të bënte çdo parlament demokratik në Europë”, shkroi kryeministri. Ai argumentoi se miratimi i kërkesave të prokurorëve për arrestimin e një deputeti duhet të ndjekë Kushtetutën dhe nuk mund të trajtohet si “kalimi i kufijve të Shengenit pa kontrolle”.

Paraardhësi i Ballukut në qeveri, Arben Ahmetaj, kërkohet gjithashtu nga SPAK për akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Në fund të vitit 2025, Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë i kërkoi autoriteteve të Zvicrës ekstradimin e tij.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, një tjetër anëtar i partisë së Ramës, ndodhet në paraburgim që prej arrestimit të tij në vitin 2025 për akuza të ngjashme.

Brussels calls for justice as ex-Albanian deputy prime minister avoids arrest

© Panorama.al

Te lidhura