Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë si përgjegjëse për rritjen e çmimeve në vend. Sekretari i Këshillit Ekonomik në selinë rozë, Ervin Bushati, tha se çmimet e ushqimeve janë rritur me 4-5 herë, ndërkohë që sipas të dhënave të qeverisë, ato kanë një lëvizje me 5 në 100 lekë. “Për kë punon kjo qeveri, ndërsa fabrikon statistika për rritje të çmimeve të ushqimeve në treg me vetëm 5 lekë në 100, edhe atëherë kur Organizata Kombeve të Bashkuar për Ushqimet (FAO), Banka Botërore dhe çdo indeks ndërkombëtar, tregon që çmimet e ushqimeve janë rritur të paktën 4-5 herë më shumë sa kaq në një vit?”, tha Bushati në një komunikatë me mediat. Duke u ndalur në nismën e fundit të qeverisë për aministinë e bizneseve, sekretari i Këshillit Ekonomik të PS-së, tha se kjo amnisti duhet të vijë për qytetarët e thjeshtë. “Për kë punon kjo qeveri – që flet për amnisti ndaj vetes dhe ekonomisë që shkatërroi në këto 6 vite sundimi, por harron të amnistojë familjen normale shqiptare nga barra e rëndë që i le në supe me vjedhjet dhe abuzimet masive me fondet publike? Qytetarët normalë dhe bizneset e shumta, në vend që të jetojnë pastërtisht duke respektuar shoqërinë dhe ligjin, gjenden pre e një pushteti që i ndan njerëzit në miq dhe armiq. Nëse duhet të ketë një amnisti, ajo duhet të vijë për qytetarin e thjeshtë”. Sipas tij, interesi kryesor dhe i vetëm i kësaj qeverie është përfitimi për njerëzit e pushtetit. “Monopolet e qeveritarëve janë të vetmit përfitues në këtë treg që njeh vetëm rritje çmimesh”, tha më tej Bushati.











