Ligjet me 3/5, Balla përgënjeshtron Kuvendin

Jan 12, 2012 | 18:07

TIRANE- Sekretari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla përgënjeshtori sot një deklaratë të Kuvendit, sipas së cilës, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka refuzuar fillimin e punës për projekt-ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Në deklaratën e PS-së, sqarohet se kryetari i Grupit të PS-së, nuk ka refuzuar fillimin e punës për projekt-ligjet që kërkojnë tre të pestat e votave të Kuvendit, por ka kërkuar kohën e nevojshme për fillimin e punës në komision nga ana e përfaqësuesve socialistë.

Sipas selisë rozë, “Ngutja e palës tjetër dhe sidomos arbitrariteti në vendimmarrjen e Konferencës së Kryetarëve nuk e justifikojnë as qëllimin e përbashkët për ta mbyllur këtë proces në mars e as domosdoshmërinë që ky proces të jetë serioz, cilësor e transparent.”

Nëpërmjet kësaj deklaratë PS ka konfirmuar edhe njëherë për opinionin publik vullnetin e saj politik dhe qytetar për të përmbushur angazhimin ndaj vendit e ndaj Bashkimit Europian në këtë proces, por sipas saj, pa dëmtuar në asnjë rast e për asnjë arsye cilësinë e procesit ligjëvënës.

Socialistët kanë kërkuar seriozitet në trajtimin e çështjes, dhe jo lojë mediatike, sipas tyre, me qëllimin e vetëm për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga dështimet e përditshme të qeverisë.

Konferenca e Kryetarëve në mbledhjen e sotme miratoi pa opozitën kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit, duke perfshire ne te projektligjet e mbetura me 3/5.

Në deklaratën e Kuvendit thuhet se; “Konferenca përcolli me shqetësim kërkesën e Kryetarit të Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci për të hequr nga kalendari pr/ligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011.

© Panorama.al

Te lidhura