PS-PD, në rend dite ligje me 3/5 e votave

Sep 3, 2011 | 11:39
Konferenca e kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare miratoi dje kalendarin trejavor të punimeve të saj.E pranishme ishte dhe opozita, e cila përfaqësohet nga kreu i Grupit Parlamentar, Ruçi, nënkryetari i Kuvendit, Dokle, nga kryetarja e Komisionit për Mediat, Leskaj, dhe nënkryetari i Komisionit të Shëndetësisë, Ethem Ruka. Sipas njoftimit të Kuvendit, Konferenca, në unanimitet miratoi kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, 5 shtator 2011-23 shtator 2011, si dhe programin e punës, 5 shtator 2011-14 tetor 2011. Kryetarja e Kuvendit i ftoi kryetarët e grupeve parlamentare të nisin punën për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, si dhe theksoi domosdoshmërinë e votimit sa më parë të ligjeve të rëndësishme si ai për ngritjen e Gjykatës Administrative dhe të Kodeve, ligje të cilat kërkojnë 3/5 e votave të Parlamentit. Konferenca vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare ditën e hënë, datë 5 shtator, ora 18:00.
Diskutimet
Kalendari trejavor i punimeve të Kuvendit përfshin një numër të madh ligjesh që kërkojnë shumicë të cilësuar, duke vënë në provë që në nisje të këtij sesioni rolin e opozitës për të miratuar reformat që kërkojnë edhe votat e saj. Ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar janë ato ligje që janë mbartur prej disa muajsh për shkak të mungesës dhe refuzimit të opozitës në Kuvend. Mësohet se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u ka kërkuar anëtarëve të konferencës se si do të veprojnë me reformën zgjedhore. “Po me reformën zgjedhore çfarë do të bëjmë? Duhet të biem dakord për ngritjen e komisionit parlamentar për këtë çështje”, mësohet të ketë thënë Topalli. Por, kreu i grupit të deputetëve socialistë, Ruçi, e ka cilësuar si të hershëm një diskutim të tillë. “Ne kemi një rend dite dhe do të punojmë mbi këtë. Është ende herët për të nisur që tani punën për reformën zgjedhore”, mësohet të jetë shprehur Ruçi. Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar që ligjet që janë diskutuar në komisione gjatë kohës që ajo nuk ka qenë e pranishme, por që nuk janë votuar në Kuvend, të rifuten për diskutim, ku të merren parasysh dhe vërejtjet e deputetëve të PS. Ky propozim është pranuar nga maxhoranca, ku një prej këtyre ligjeve ishte dhe ai për transmetimet televizive me zë dhe figurë. Socialistët gjithashtu janë shprehur se do të përfshijnë në rend dite interpelanca me ministrat e qeverisë për të analizuar aktivitetin e tyre.

“KQZ të shqyrtojë çështjen e Shalës”

Kolegji Zgjedhor, i mbledhur dje paradite, i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të pranojë dhe shqyrtojë ankimimin e PD-së për pavlefshmëri në këtë komunë. KQZ-ja, më herët, nuk arriti ta shqyrtojë këtë kërkesë ankimore për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm prej katër votash, pasi në mbledhje mungonte anëtari i KQZ-së, Osman Hysenaj. Partia Demokratike kërkoi pavlefshmërinë në komunë, e cila mban peng rezultatin final të 8 majit, pasi KQZ, pas numërimit të votave, shpalli fitues me dy vota më shumë kandidatin e Partisë Socialiste. Pak ditë më parë, deputetët e selisë rozë u shprehën se Saliu po vinte në veprim skemën e vjedhjes në bashkëpunim të mandatit nga Kolegji dhe KQZ.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura