PS-PD bashkuan votat në Parlament, Ivi Kaso: Rezoluta për integrimin në BE u ndryshua me kërkesë të opozitës, Kuvendi s’kishte asnjë informacion

May 18, 2026 | 22:19

Deputeti i Partisë Demokratike Ivi Kaso ka komentuar miratimin e rezolutës për procesin e integrimit europian në seancën e fundit plenare, ku mazhoranca dhe opozita u bashkuan dhe votuan pro të njëjtit dokument, pavarësisht debateve të forta politike.

Ivi kaso

Sipas Kasos, teksti i rezolutës së miratuar është ndjeshëm i ndryshëm nga drafti fillestar i propozuar nga Partia Socialiste, duke theksuar se ndryshimet janë bërë me kërkesë të opozitës.

“Nëse shihni tekstin e miratuar dhe atë të propozuar fillimisht nga PS është kryekëput i ndryshëm, u ndryshua me kërkesë nga opozita. Jemi të qëndrimin që për integrimin si Kuvend kemi një rol parësor dhe falë vullnetit të mazhorancës jemi përjashtuar nga ky rol aktiv. Kuvendi deri para 2 javësh nuk kishte asnjë informacion në lidhje me procesin negociues që i takon integrimit”, u shpreh Kaso.

Ai shtoi se pas raportit të fundit të Këshillit Europian të BE-së, i cili sipas tij përmbante kritika të forta, ishte detyrë e Kuvendit të jepte një reagim përmes rezolutës së miratuar.

“Pas raportit të fundit të Këshillit Europian të BE, që ishte mbushur me kritika, i takonte Parlamentit që të jepte një shenjë në këtë drejtim, dhe shenja me një rezolutë që përkthen në dokument zyrtar farsën zgjedhore dhe kritikat e BE në raportin e AFET dhe nuk përmban asnjë fjalë vlerësuese për rolin e qeverisë dhe angazhohet të plotësojë “detyrat” e dhëna nga BE, duhej të miratohej”, tha ai.

Deputeti theksoi se Partia Demokratike përmes qëndrimeve të saj thekson se procesi i integrimit europian nuk është i bllokuar, por ndodhet në një fazë stanjacioni.

“Opozita nuk ka thënë kurrë që procesi i integrimit është bllokuar por se është në stanjacion”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura