Partia Socialiste padit në Kolegjin Zgjedhor Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
PS i është drejtuar sot Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit duke i kërkuar zyrtarisht të detyrojë KQZ-në të marrë vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49, dhe pas kësaj të shpallë kandidatin fitues.
Në kërkesë padinë e Partisë Socialiste thuhet se kjo kërkesë është e mbështetur në nenet 122, 123, 129, 131, 145, 152, 153, 155, 156, 158 të Kodit Zgjedhor.
Kërkesë padia e PS-së drejtuar Kolegjit Zgjedhor mban firmën e deputetit Fatmir Xhafaj.
***
Kërkesë Padia e plotë
Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit
Të nderuar Gjyqtarë.
Në përfundim të procesit të numërimit të votave për kandidatët për kryetar të Bashkisë
Tiranë dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, nga dhjetë KZAZ të kësaj Zone Zgjedhore janë miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ Nr.49 nuk e ka miratuar këtë tabelë duke marrë Vendimin Nr.37 datë 16/05/2011 për mos miratimin e saj. Proces numërimi i përcaktuar në bazë të nenit 120 të Kodit Zgjedhor. Në këto kushte, në zbatim të parashikimeve të nenit 122 e 35 të Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste (PS), si subjekt zgjedhor i regjistruar për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011, ka paraqitur ankim në KQZ në këtë datë me objekt ndryshimin e Vendimit Nr.37 datë 16/05/2011 të KZAZ Nr.49 dhe miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë. Ankim i cili është depozituar KQZ dhe është regjistruar në regjistrin e ankimeve më datën 16/05/2011 me nr.4449 prot., ora 20.15. Në bazë të neneve 129 e 131 të Kodit Zgjedhor shqyrtimi i kësaj kërkese ankimore duhet të kishte përfunduar dhe duhet të ishte marrë vendimi për të brenda 72 orëve nga regjistrimi I saj në regjistrin e ankimeve të KQZ.
Deri në datën e sotme të paraqitjes së kësaj kërkesë padie, ka kaluar afati ligjor që KQZ të merrte vendim për këtë kërkesë ankimore dhe në këto kushte i drejtohemi këtij Kolegji, që në bazë të nenit 158/1, germa c) të detyrojë KQZ të marrë vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49.
Së dyti: Duke qenë se për dhjetë KZAZ-të e tjera të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë
(KZAZ Nr.45, Nr.46, Nr.47, Nr.48, Nr.50, Nr.51, Nr.52, Nr.53, Nr.54 e Nr.55), janë marrë vendimet e janë miratuar me kohë Tabelat Përmbledhëse të Rezultateve për ato KZAZ, në zbatim të nenit 123 të Kodit Zgjedhor rezulton se është plotësuar e ka kaluar edhe afati prej 48 orë i parashikuar në këtë dispozitë për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues. Afat që llogaritet nga momenti i plotësimit të atij prej 72 orë për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49. Në këto kushte, është ligjërisht e detyrueshme të urdhërohet KQZ që së bashku me miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49, të marrë vendim edhe për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia
Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues për këtë Bashki në bazë të rezultateve të miratuara. Është e tillë pasi neni 123 i Kodit Zgjedhor nuk kërkon asnjë kusht tjetër paraprak veç sa shprehim e kërkohet me këtë kërkesë padi. Për këto shkaqe, mbështetur në sa më sipër shprehëm, kërkojmë:
– Gjykimin e çështjes në themel.
– Detyrimin e KQZ të marrë vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të
Rezultateve për KZAZ Nr.49.
– Detyrimin e KQZ të marrë vendim për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës
Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues.
PADITËSI
Partia Socialiste e Shqipërisë
Përfaqësuar nga
Fatmir XHAFAJ
© Panorama.al











