PS mbron Ballukun, Manja: SPAK ka shtuar fakte të reja, por natyra e veprës penale nuk ndryshon! Pretendimi për rëndimin e masës së sigurisë s’përmbush standartin procedurial

Mar 9, 2026 | 10:39

Për socialistët, SPAK, ndonëse ka shtuar fakte penale të reja ndaj Belinda Ballukut, vepra mbetet e njëjtë, ajo e shkeljes së barazisë në tendera, ndaj kërkesa për rëndim të masës së sigurisë ndaj saj nuk përmbush standartin procedurial.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, Ulsi Manja pretendoi se nëse çdo zgjerim i hetimit do të konsiderohet rrethanë e re që të kërkojë arrest për Ballukun, do të binte në kundërshtim me proporcionalitetin.

Megjithëse, SPAK ka argumentuar se Balluku ka tentuar të prishë provat dhe se pozitat e saj janë rënduar, socialistët pretendojnë se masa e kërkuar për arrest ndaj saj nuk qëndron për sa kohë nuk ka vepër penale të shtuar.

“SPAK thotë se janë shtuar edhe disa fakte të reja penale, çka sipas saj, shtimi i tyre e shton automatikisht sanksionin e veprës, por edhe dëmin që ka pësuar shteti nga këto procedura. 

Në vlerësimin tonë si këshill, fakti që çdo zgjerim i hetimit të ishte një rrethanë e re për rëndim të masave atëherë do të binte që çdo hetim kompleks do të përbënte arsye për paraburgim, që do të binte në kundërshtim në raport me proporcionalitetin.

Edhe me shtimin e episodeve të reja të pretenduara, nuk ndryshon natyra e veprës penale, mbetet e njëjta, shkelje e barazisë në pjesëmarrjen në tendera. Nuk ka vepër penale të re që të jetë marrë e shtuar deputetes Balluku nga SPAK.

Pra, pretendimi për rëndimin e nevojave të sigurimit nuk rezulton të përmbushë standardin procedural të kërkuar për zëvendësimin e masës së sigurimit.”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura