Partia Demokratike dhe Partia Socialiste votojnë së bashku disa ndryshime në ligjin që kërkon 3/5 e votave. Xhafaj: Ligji i vonuar. Paloka: Për shkak të bojkotit tuaj
Opozita është shprehur pro draftit të propozuar nga qeveria që në prill të vitit të kaluar dhe që kishte mbetur pezull për shkak të mosdhënies së konsensusit. Megjithatë, pavarësisht se në fund të mbledhjes që zgjati rreth 90 minuta, opozita votoi pro, gjatë debatit ajo ishte kritike për disa nga pikat e këtij drafti. Nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, është shprehur se shqetësimi i opozitës është fakti se tahografi, një instrument që do të vendoset në makinat e tonazhit të rëndë dhe që mat të gjitha lëvizjet që bën automjeti, sot, megjithëse është analog dhe jo dixhital, nuk kontrollohet. “Ne thamë që në fillim që për ne është një hap para. Është një hap pozitiv dhe e mbështesim, bile zonja Hysi e konsideroi dhe të vonuar vendosjen e këtij mjeti të rëndësishëm. Është një hap pozitiv dhe askush nga ne nuk është shprehur kundër kësaj. Ajo që duhet të na shqetësojë që është ajo që zoti Hashorva, i cili tha se është tahografi analog është një instrument që nuk kontrollohet sot”, u shpreh Xhafa. Nga ana e saj, maxhoranca hodhi poshtë pretendimet e opozitës se kjo nismë është e vonuar, teksa kujtoi se ajo ka qëndruar për rreth një vit e gjysmë në Parlament për shkak se deputetët e PS-së nuk jepnin konsensusin. “Nuk do merremi me tahografin, se besoj se zbërthyem mjaftueshëm. Por ajo që tha Xhafaj lidhur me vonesën dhe domosdoshmërinë e këtij projektligji, mendoj se e dimë të gjithë nga ka ardhur mungesa. Se ne këtë e kemi diskutuar edhe njëherë tjetër, dhe vetëm për mungesë të dëshirës së opozitës, pavarësisht nga arsyet, është kjo vonesë. Të mos i tregojmë njëri-tjetrit sa të interesuar që jemi, kur të gjitha janë në dritën e diellit”, u shpreh Edi Paloka. Drejtori i Politikave në Ministrinë e Transporteve, Kujtim Hashorva, tha se makinat që e kanë tahografin nuk do të jenë të detyruara që ta ndryshojnë atë, ndërsa ato që nuk janë të pajisura me tahograf do të marrin atë dixhital, i cili do të kushtojë nga 200 deri në 400 euro.
Debati në Komision
Fatmir Xhafaj: Ka në Kuvend tre ndryshime për Kodin Rrugor. A është, gjatë kësaj kohe në Ministri, duke u përgatitur ndonjë amendament tjetër?
Kujtim Hashorva (përfaqësues i Ministrisë së Transporteve): Ne kemi një ndryshim të rëndësishëm sepse Drejtoria e Rrugëve do të transformohet në Autoriteti Rrugor. Unë besoj se do të kërkohet një shtyrje deri më 15 dhjetor për t’i përmirësuar amendamentet.
Sajmir Tahiri: Sa mjete duhet të bëjnë ndryshimin e tahografit? A ka një kosto zëvendësimi i tahografit?
Kujtim Hashorva: Mjetet që duhet të pajisen me tahograf janë mbi 3.5 tonë dhe që përshkruajnë distanca mbi 50 km. Ne kemi llogaritur që mjete të tilla do të jenë 20 mijë nga rreth 300 mijë që ka Shqipëria. Tahografin do ta përballojë operatori dhe vlera e tij është nga 200-400 euro.
Sajmir Tahiri: Momenti fillestar i zëvendësimit sa do më kushtojë?
Kujtim Hashorva: Operatorët aktualë mund ta përdorin tahografin analog derisa të funksionojë mjeti i tij.
Dashnor Sula (i drejtohet PS): Ai e tha njëherë, ju e pyesni prapë si do zëvendësohen tahografët.
Pandeli Majko: Dash, ty do të të vëmë tahograf kur të shkosh në stadium.
Dashnor Sula: U bëmë si tao-tao. Dy orë kot këtu.
Sajmir Tahiri: O Dasho, po s’të pëlqeu, çfarë të them unë.
Vasilika Hysi: Dashi, çfarë ke, ke ndeshje sot?
Dashnor Sula: Duket sikur po tallemi tani.
Bashkim Fino: Dashi është i dënuar.
Vasilika Hysi: Se sa jetë ka marrë kjo maxhorancë e di kushdo, e di me Gërdecin, me Bulqizën, me rrugët. Unë jam krenare që kam qenë aktiviste e të drejtave të njeriut.
Ilir Rusmali: E morët fjalën për pyetje. Ju thashë është një masë sigurie për të mbrojtur jetët e njerëzve. Jetët e njerëzve Komiteti i Helsinkit Shqiptar s’i sheh kurrë sa të jetë jeta me 200 euro.
Vasilika Hysi: Më i interesuar për tahografin jam unë që kam humbur jetën e vëllait të vetëm nga aksidentet dhe mos më thoni mua se nuk e dua të drejtën dhe sigurinë në rrugë.
Dashnor Sula: Ju nuk keni me çfarë të kaloni kohën më duket.
Bashkim Fino: Kemi me çfarë ta kalojmë kohën. Ne nuk merremi me grushte, si puna jote.
Dashnor Sula: Më mirë me grushte sesa kështu.
Bashkim Fino: Ëëë mirë me grushte. Nesër të gjithë bashkë do votojmë ta kalojmë këtë kod.
Dashnor Sula: Ishalla.
Bashkim Fino: Si ti nuk jam unë Dashi. Atë që e themi e themi ne, jemi burra. Ti nuk merresh vesh me kë je, me Bamirin apo me këta. Ti je me Bamirin dhe ia fut Sali Shehut. E ke pasur shok e mik.
Dashnor Sula: Jo si puna juaj që ju bëri Nano milionerë dhe ia futët pastaj.
Bashkim Fino: Ne Fatosin e hoqëm, ju Saliun nuk e hiqni dot.
Topi: Dialogu politik është detyrim kushtetues
Presidenti Bamir Topi është shprehur dje se dialogu politik është detyrim kushtetues. Duke folur në takimin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës, organizuar në Universitetin e Arteve, kreu i shtetit tha se “shpeshherë kemi parë se si individë apo institucione politike, të cilët kanë përgjegjësi dhe detyrimin zyrtar e publik të jenë përfaqësues, tolerantë dhe transparentë, – të veprojnë ndryshe, duke cenuar me sjelljet dhe vendimet e tyre jo vetëm interesat individuale të qytetarëve, por edhe të vendit”. Sipas tij, “dita e sotme është një apel për të gjithë ata, për ta lexuar nevojën për dialog politik dhe institucional jo si një dhuratë apo lëshim, por si detyrim kushtetues e civil, si mjeti i vetëm për t’u shërbyer si duhet qytetarëve dhe shoqërisë. Një vend me probleme që kërkojnë zgjidhje, nuk ka kohë për të humbur me konflikte boshe politike, nominale apo ideologjike”.












