PS, homazhe me lule e qirinj para Kryeministrisë në 1-vjetorin e 21 janarit

Jan 10, 2012 | 9:25

KRERET E PS, GJATE HOMAZHEVE PER VIKTIMAT E 21 JANARIT

Kreu socialist mbledh Sekretariatin për të organizuar aktivitetet politike të janarit.

Vizita në shtëpitë e viktimave, qirinj para Kryeministrisë.

Partia Socialiste nuk do të zhvillojë tubim përkujtimor për viktimat e 21 janarit. Ky është vendimi i marrë dje në mbledhjen e parë për këtë vit që kreu socialist Edi Rama pati me Sekretariatin e ri të Partisë Socialiste. Në njëvjetorin e protestës së opozitës para Kryeministrisë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë, socialistët do të respektojnë më shumë ritet tradicionale shqiptare të ngushëllimeve, sesa një manifestim publik homazhi. Ndryshe nga ç’flitej, se më 21 janar opozita do të mblidhte sërish qytetarët në bulevard për të rikujtuar edhe një herë ngjarjen e rëndë, në takimin e djeshëm është rënë dakord se ky përkujtim duhet të zhvillohet më pranë familjeve të viktimave. Më 21 janar pritet të ketë disa organizime në nderim të viktimave dhe protestës së madhe të opozitës. Socialistët do t’u bëjnë thirrje qytetarëve të Tiranës që të nderojnë viktimat në vendin ku ata humbën jetën, ku do të ndizen qirinj dhe vendosen lule për katër qytetarët, Ziver Veizin, Aleks Nikajn, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën. Nuk pritet të ketë fjalime të rastit përpara Kryeministrisë, ndërsa vizita homazhi do të zhvillohen në shtëpitë e tyre pranë familjarëve. Meqenëse harta gjeografike në të cilën banojnë familjarët e viktimave është e gjerë, PS do të ndajë disa grupe deputetësh, të cilët do të shkojnë në Fier, Gjirokastër, Lezhë, por dhe në Tiranë. Pritet që organizime të ketë dhe nga degët e PS në këto rrethe, në nderim dhe në kujtim të qytetarëve që ishin pjesë e protestës së madhe të opozitës më 21 janar 2011. Mësohet se gjatë mbledhjes së djeshme ka pasur mendime të ndryshme rreth përkujtimit të protestës dhe viktimave të saj të një viti më parë, ndërsa në unanimitet shumica ka vendosur se nisur dhe nga kursi i ri i Partisë Socialiste që prej shtatorit të kaluar, PS të mos organizojë grumbullime të mëdha qytetarësh apo tubime homazhi për nder të viktimave para godinës së Kryeministrisë. Në shumicë është pranuar se opozita duhet të respektojë traditën shqiptare, ku shtëpia e çdo viktime do të hapë derën për të pritur ngushëllime nga miqtë dhe të njohurit. Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar mjaft mirë, ku në Tiranë mbërritën shumë qytetarë nga të gjitha rrethet e vendit, opozita kërkoi largimin e qeverisë pas shfaqjes së videopërgjimit Prifti-Meta. Por, protesta para Kryeministrisë degjeneroi në një përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ndërsa mbetën të vrarë katër qytetarë, pjesëmarrës në protestë. Opozita akuzoi direkt Kryeministrin Berisha si përgjegjës për vrasjet dhe kërkoi shkarkimin e tij, ndërsa Prokuroria nisi menjëherë hetimet. Ende nuk kanë përfunduar hetimet për këtë ngjarje, ndërsa pritet që shumë shpejt dosja të kalojë në gjykatë, ku një gardist është i akuzuar si përgjegjës i armës nga kanë dalë plumbat.

Vizita në familjet e viktimave
Kryesocialisti e mbylli vitin 2011 me vizita të programuara në familjet e dy prej viktimave të 21 janarit. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rama ishte për Krishtlindje në shtëpinë Aleks Nikës, ku është takuar me familjarët dhe fëmijët e viktimës. Gjithashtu, para Krishtlindjes, kryesocialisti, bashkë me Lindën, ishte në familjen e Hekuran Dedës, të cilën e ka ngushëlluar për këtë humbje dhe ka denoncuar faktin që edhe pas një viti drejtësia nuk është bërë, ndërsa autorët e vrasjeve ende janë të lirë.

Rama në blog për 21 janarin
Kreu socialist apeloi pak ditë më parë për drejtësi në blogun e tij personal në internet. Sipas tij, vrasësit mbeten edhe pas një viti të lirë, ndërsa ata që urdhëruan vrasjet qeverisin. Kryesocialisti shprehet se të gjithë janë në pritje të përfundimit të hetimit dhe gjykimit të ngjarjes së 21 janarit, ndërsa Prokuroria, sipas tij, mbetet në kërkim të provave që ose janë fshirë, ose janë manipuluar. Një citat i Ramës u shoqërua me foton e Ziver Veizit. Fotoja është ekspozuar së fundi në ekspozitën e sapohapur të Gerhard Richter në Tate Modern të Londrës, Britani.

Takim me krerët e PS të mërkurën
Kryetari socialist, Edi Rama, ka thirrur në një takim në selinë rozë të gjithë kryetarët e PS në rrethe. Mësohet se në këtë takim do të marrin pjesë dhe sekretarët e Kryesisë socialiste. Në qendër të këtij takimi do të jenë organizimi i homazheve në nderim të viktimave të 21 janarit, por dhe 15 janari, dita e 20-vjetorit të krijimit të Forumit Rinor Eurosocialist. Do të kërkohet që të garantohet një pjesëmarrje sa më e madhe e të rinjve atë ditë, ku do të zhvillohet dhe Konventa Kombëtare e të Rinjve.

Miratohet axhenda politike deri në qershor
PS do mbledhë Kryesinë dhe Asamblenë

Partia Socialiste pritet të mbledhë brenda janarit Kryesinë dhe Asamblenë Kombëtare. Viti i ri kalendarik kërkon dhe miratimin e axhendës politike të kësaj force politike. Axhenda tashmë është gati, ndërsa pritet të diskutohet me deputetët e më pas t’i kalojë Kryesisë socialiste për miratim. Pas mbledhjes së Kryesisë do të jetë dhe Asambleja Kombëtare, forumi më i lartë vendimmarrës midis dy kongreseve, që do të miratojë të gjithë programin e veprimeve që socialistët do të zhvillojnë deri në muajin qershor. Axhenda do të jetë gjashtëmujore, për shkak se ky vit është një vit zgjedhor. Parlamenti i Shqipërisë do të zgjedhë Presidentin e ri të vendit në muajin korrik dhe për këtë shkak socialistët parashikojnë aktivitetin e tyre deri në qershor, duke mos ditur ende se ç’do të bëjnë në funksion të zgjedhjes së Presidentit dhe të koniunkturave politike që do të krijohen me këtë rast. Gjithashtu, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare pritet të bëhen dhe disa kooptime, 4-5 anëtarë të rinj që do të futen në Asamble për shkak të disa largimeve, siç ishte çregjistrimi i deputetit socialist Kastriot Islami, por dhe marrjes së mandatit të deputetit të disa anëtarëve të Asamblesë.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura