
Kreu i PS kërkon simpatizantë nga rrethet për tubimin e FRESH dhe 1-vjetorin e 21 janarit.
Plehrat, Rama kërkon mbështetje nga krerët e rretheve.
Kreu socialist, Edi Rama, mblodhi dje në një takim kryetarët e PS-së në rrethe, të cilëve u dha porositë e para për vitin 2012. Në një takim me dyer të mbyllura për mediat ai kërkoi një angazhim total për tri çështje, të cilat i konsideroi imediate dhe që duhen plotësuar brenda muajit janar. Kryetarëve të PS-së në rrethe Rama u kërkoi që të mbështesin maksimalisht me firma aksionin e Aleancës Kundër Importimit të Plehrave, e cila ka nisur betejën për mbledhjen e 50 mijë firmave për të zhvilluar referendumin popullor kundër ligjit të miratuar nga qeveria. Rama ka kërkuar që strukturat socialiste, me anëtarësinë dhe simpatizantët e saj, të japin firmat e tyre kundër këtij ligji. Për dy nga angazhimet krejtësisht socialiste, festimin e 20-vjetorit të krijimit të FRESSH-it dhe homazhet për vrasjet e 21 janarit, Rama kërkoi dhe mbështetjen e strukturave socialiste jashtë Tiranës. Më 15 janar, në aktivitetet që do të zhvillohen në përvjetorin e krijimit të Forumit Rinor Eurosocialist, Rama ka kërkuar sjelljen në Tiranë të sa më shumë të rinjve nga të gjitha rrethet e vendit, të cilët do të asistojnë në Konventën Kombëtare që do të shënojë dhe ringritjen e këtij forumi, por dhe aktivitetet e tjera si ekspozitën fotografike, takimin në Akademinë e Arteve për programin e ri dhe një koncert rinor në bulevard. Ndryshe nga 15 janari, dita e rinisë eurosocialiste, në homazhet përkujtimore në njëvjetorin e vrasjes së katër protestuesve, kreu socialist ka kërkuar njerëz të zgjedhur, të qetë dhe të spikatur në aktivitetet politike të partisë. Ky do të jetë një numër i kufizuar për shkak të natyrës së aktivitetit që do të organizojë PS-ja, e cila pas homazheve para Kryeministrisë, në vendet ku u vranë katër protestuesit, do të zhvillohet në sallën e Universitetit të Arteve edhe një takim me familjarë, protestues të asaj dite, apo dhe të keqtrajtuar nga policia. Përmes videoprojektorit do të risillen në kujtesë skenat e protestës së 21 janarit 2011. Ky ishte takimi i parë për këtë vit që kreu socialist zhvilloi me të zgjedhurit e PS në rrethe, ndërsa në takim u tha se takime të tilla do të ketë çdo muaj, ku do të bëhet një bilanc i realizimit të porosive të lëna nga mbledhja e mëparshme e ku të pranishëm do të jenë dhe sekretarët e Kryesisë socialiste, që do të informohen për tematikat që ata mbulojnë.
Sondazhi, 78% e qytetarëve, kundër importit të plehrave
Qytetarët shqiptarë janë kundër importimit të plehrave nga jashtë vendit. Ky është përfundimi i një sondazhi të porositur nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave. Sipas tij, sondazhi rezulton se 82.2% e të anketuarve mendojnë se një referendum është i nevojshëm për të vendosur nëse Shqipëria duhet ta lejojë ose jo importin e mbetjeve. Në të njëjtën kohë, nëse do të mbahej një referendum, 78.4% e të anketuarve do të votonin kundër importit të mbetjeve. Anketimi është zhvilluar dhjetorin e vitit të kaluar dhe pjesë e tij janë 600 të intervistuar nëpërmjet intervistave ballë për ballë. Anketa është zhvilluar në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë dhe marzhi i gabimit është ±4.0%. Nga të dhënat rezulton se 83.2% e të anketuarve janë në dijeni për ligjin për menaxhimin e mbetjeve, ndërsa 69.6% e të intervistuarve, të cilët janë në dijeni të ligjit për menaxhimin e mbetjeve, mendojnë se ky ligj e lejon importimin e mbetjeve.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











